LIVE UPDATES

Mes debateve të shumta, mbyllet seanca parlamentare

➤ Kuvendi i Shqipërisë u zhvillua edhe sot me debate të forta. ➤ Shkak për përplasjet mes maxhorancës dhe opozitës është bërë futja pa leje e ish-ministrit të shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili nuk dëshmoi dje në Komisionin Hetimor për Sterilizimin.➤ Deputeti demokrat Flamur Noka iu drejtua me tone të larta kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, ndërsa Gazment Bardhi kërkoi shtyrjen e punimeve. ➤ Po ashtu, opozita kërkon përgjigje nga Garda e Republikës dhe Drejtoria e Burgjeve. ➤ Por nuk ka mbetur me kaq. ➤ Përplasje ka pasur edhe mes deputetit Agron Shehaj dhe ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiut për ilaçet tek spitali Onkologjik. ➤ Akuza kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin edhe Flamur Noka dhe ministri Blendi Gonxhja. ➤ Pavarësisht tensioneve në sallë sot u miratuan të gjitha ligjet në rendin e ditës,

9 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Mes debateve të shumta, mbyllet seanca parlamentare, javën tjetër opozita në protestë

Mes debateve të shumta, mbyllet seanca parlamentare
Kuvendi i Shqipërisë

TIRANË- Kuvendi u mbyll sot me shumë debate mes opozitës dhe mazhorancës. Një nga temat më të diskutuara ishte dëshmia e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë. Deputetët e opozitës, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi kërkuan reagimin e kryeparlamentares Elisa Spiropali për futjen pa leje të Ilir Beqajt në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësi. Opozita kërkoi që Garda e Republikës të mbajë përgjegjësi për incidentin, ndërkohë që kryeparlamentarja Spiropali kërkoi që të mos përdornin fyerje ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë.

Ndërsa deputetja demokrate Ina Zhupa tregoi më shumë detaje në lidhje me atë që ndodhi në orët e para të mëngjesit me Beqajn. Nga Foltorja e Kuvendit, Zhupa tregoi se me çfarë fjalësh iu drejtua Beqaj, të cilat ajo i cilësoi si kërcënuese. Po ashtu, denoncoi edhe faktin që me ish-ministrin ishte shkelur protokolli i sigurisë, edhe pse duhej monitoruar për shkak se ndaj tij është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg".

"Erdhi dhe na tha, mbylle gojën, qepe ti, ta tregoj unë ty, kush je ti. Hapni kamerat, e dini çfarë na tha polici i Burgjeve? Na tha 's'kam furgon këtu', nuk kam ku ta çoj. Pra gjithë protokolli i sigurisë, kishte rënë. Ne ishim në mëshirë të hajdutit dy metra. Kam telefonuar Komandantin e Gardës për të sjellë një gardist atje dhe erdhi pasi ne ishim kërcënuar,”- tha ndër të tjera Zhupa.

Po ashtu, referuar kërkesës së kryetares së Komisionit, Albana Vokshi, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla tha se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kompetenca për të zgjatur afatin e komisionit hetimor për koncensionet në shëndetësi. Në fjalën e tij, Balla tha se opozita i ka sabotuar vetë punimet, ndaj zgjatja e mandatit të punimeve nuk do të bëhen. Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi edhe një herë zgjatjen e afatit për 30 ditë. Po ashtu, pati edhe një përplasje me kryetarjen e Kuvendit, Elisa Spiropalin.

Gjatë seancës ndodhi një incident në lidhje me deputetin demokrat Lefter Gështenja, i cili u nxor nga kolegët dhe Garda e Republikës prej krahësh nga Kuvend. Kjo pasi gjatë seancës Gështenja ka shfaqur probleme shëndetësore, ndaj edhe është detyruar të largohet nga salla.

Nga ana tjetër asnjë përfundim nuk ka dalë nga interpelanca e sotme mes deputetit të pavarur, Agron Shehajt dhe ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu për skandalin e Onkologjikut dhe medikamentet që mungojnë.

Po ashtu edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u përfshi në një debat me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Goxhja i kujtoi këtij të fundit kohën kur ishte drejtor i Entit Kombëtar të Banesave, duke shtuar se vëllezërit dhe motra e Nokës kanë përfituar prej postit për të marrë banesa në Sarandë dhe Tiranë. Nga ana e tij, deputeti Noka u përgjigj ministrit duke u shprehur se motra e tij ka banesë në Sarandë, por e ka blerë vetë dhe nuk e ka përfituar nga shteti. Ndër të tjera i premtoi se në seancën e radhës plenare do të listonte bizneset që ministri kishte në emër të tij.

Gjithashtu u miratuan të gjitha ligjet që ishin në rendin e ditës:

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, bërë në Nju Jork, në datën 10.12.2008” është miratuar më 73 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenime.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që vepron përmes Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, për projektin “Bashki të forta (BTF), faza 2”, është miratuar me 72 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenime.

Projektvendim “Për disa ndryshime të vendimit nr. 69/2021 “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar. Andrea Mano, nënkomisoni i medias, është miratuar me 71  vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenime.

Ashtu si çdo seancë tjetër dhe kjo e sotmja u mbyll me tensione dhe debate mes opozitës dhe maxhorancës. Ndërsa javën tjetër, pritet që të ketë protestë nga opozita në Kuvend, pasi do të kalojë buxheti për miratim. Kreu i PD-së ka lajmëruar se kjo do të jetë një nga protestat më të fuqishme të PD-së. /ZËRI

1 VITE ME PARE

'Veliaj e Balluku gati të vrasin njëri-tjetrin'

Mes debateve të shumta, mbyllet seanca parlamentare
Gaz Bardhi, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku

TIRANË- Debate të ashpra u zhvilluan në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës. Në një moment gjatë debateve, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se Belinda Balluku dhe Erion Veliaj shtiren si miq, por në fakt ata duanb të vrasin njëri-tjetrin me vrasës me pagesë!

Këtë deklaratë shokuese, Bardhi e tha në Parlamentin e Shqipërisë.

Pjesë nga Debati:

Toni Gogu: Unë nuk e mbaj veten për shenjtor. Mund të jem edhe më i madhi i të gjithë mëkatarëve, ndaj besoj në zot. Nëse ju e përdorni fjalën vjedhje siç i tha Gazi, Flamurit, apo siç i thatë njëri- tjetrit, ju them se është fyerje dhe vepër penale. Nuk mund të bëhemi prokuror të njeri- tjetrit. Ndërsa drejtoni një gisht, tre ju janë drejtuar ju. Niseni këtë fushatë një herë në partinë tuaj, e pasi të fitoni bëtejën me hajdutërinë brenda jush, vijojeni në pjesën tjetër të këtij Kuvendi. Keni humbur çdo kauzë politike dhe tani kërkoni vetëm shoë.

Gaz Bardhi: Nuk bëhesh dot Shën Pal sa kohë je bashkëpunëtori i lali inceneratorit. Ne si parti jemi të hapur dhe e bëjmë në publik luftën ndaj hajdutërisë, nuk jemi si Belinda Balluku dhe Veliaj që paguajnë edhe vrasës me pagesë të eliminojnë njëri-tjetrin.

(I drejtohet Spiropalit)

Mos e mbro Belindën se e di sa e do. Di çfarë thoni privatisht për njëra-tjetrën. Pra paguajnë vrasës me pagesë të eliminojnë njëri- tjetrin. Dhe në foto dalin si vëlla e motër. /ZËRI

1 VITE ME PARE

'Familja jote ka apartamente në Sarandë'/ Debati Gonxhja-Noka, demokrati: I kanë blerë cent më cent

Mes debateve të shumta, mbyllet seanca parlamentare
Blendi Gonxhja dhe Flamur Noka

TIRANË- Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja është përfshirë në një debat me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Goxhja i kujtoi këtij të fundit kohën kur ishte drejtor i Entit Kombëtar të Banesave, duke shtuar se vëllezërit dhe motra e Nokës kanë përfituar prej postit për të marrë banesa në Sarandë dhe Tiranë. Nga ana e tij, deputeti Noka u përgjigj ministrit duke u shprehur se motra e tij ka banesë në Sarandë, por e ka blerë vetë dhe nuk e ka përfituar nga shteti. Ndër të tjera i premtoi se në seancën e radhës plenare do të listonte bizneset që ministri kishte në emër të tij. 

PJESË NGA DEBATI: 

Gonxhja: Ka përfituar nga enti kombëtar i banesave dhe ka bërë pastrim parash me shitje dhe blerje. Edhe shtetësja Lule Basha ka përfituar banesë duke mos e lidhur asgjë me Sarandën veçse është e motra. Mes përfituesve është edhe Lulzim dhe Mevlan Noka, nëse janë vëllezër e zoti Noka. Edhe një shtetase belge që është bashkëshorte e një vëllai të Nokës. Këto janë përfitime nga enti kombëtar i banesave nga ata që rreken për moral. Kam të drejtë morale për integritetin e zotërisë në fjalë. Përveçse duhet të përgjigjet në mënyrë ligjore.

Noka: Po të kthej një përgjigje. Ishte në PD, pse u reshtove në çetën e hajdutëve? Po, familjarët e mi kanë apartamente në Sarandë, të blera cent me cent. Janë publike. Asnjë nuk i është dhënë nga shteti. Se përveçse hajdut, je edhe mashtrues. Gjithë Tirana të mban mend si sekser. Ti me rrogë pak vite, unë kam një jetë dhe nuk hap dot një biznes, ti ke miliarda, dhjetra biznese. Pse? Me paratë që i mori Mond Kukaleshi i Edi Ramës. Kjo është! prandaj je bashkuar tek çeta e hajdutëve.

Gonxhja: Unë nuk dua ta vazhdoj, kam përgjegjësi si person publik. Unë do lutesha që edhe ju ato që përmendët ti adresoni në institucionet përkatëse. Unë do të doja që ato që dyshoni se mund të kenë lidhje me mua, i dërgoni në organet kompetente. Nuk është e udhës që të flitet kështu në parlament. Fjala juaj është mendimi juaj por e ushtruar në një mënyrë kaq banale!

Noka: Unë nuk përmend emra familjesh, unë kam punë me hajdutin. Gjithë Tirana e di mirë që në kohën kur ishe nënkryetar bashkie u shpik 20%. Unë kam qenë para teje me rrogë, por nuk kam mundur kurrë që të përballoj kredi, jo më të bëj biznese. Meqë e ke me merak, seancën tjetër do t'i numëroj një më një sepse nuk të ndan asgjë nga Erion Veliaj./ZËRI

1 VITE ME PARE

Probleme me hernien, ambulanca shkon në Kuvend, deputetin Lefter Gështenja e nxjerrin prej krahësh

Mes debateve të shumta, mbyllet seanca parlamentare
Lefter Gështenja

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja është nxjerrë nga kolegët dhe Garda e Republikës prej krahësh nga Kuvend. Kjo pasi gjatë seancës së sotme, Gështenja ka shfaqur probleme shëndetësore, ndaj edhe është detyruar të largohet nga salla. Sipas informacioneve të para dyshohet se Gështenja ka pasur probleme me hernien.

MOMENTI ME VIDEO: 

 

1 VITE ME PARE

“Hidhuni përpjetë po të doni!"/ Balla-deputetëve të PD: E keni sabotuar vetë Komisionin Hetimor! Bardhi: Duam 30 ditë kohë

Mes debateve të shumta, mbyllet seanca parlamentare
Gazment Bardhi dhe Taulant Balla

TIRANË- Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla në fjalën e mbajtur në seancën e sotme plenare tha se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kompetenca për të zgjatur afatin e komisionit hetimor për koncensionet në shëndetësi. Në fjalën e tij, Balla tha se opozita i ka sabotuar vetë punimet, ndaj zgjatja e mandatit të punimeve nuk do të bëhen. Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi edhe një herë zgjatjen e afatit për 30 ditë. Po ashtu, pati edhe një përplasje me kryetarjen e Kuvendit, Elisa Spiropalin.

DEBATI NË SALLË:

Balla: Që të zgjatet një komision hetimor, ligji i ka dhënë kompetencën vetëm komisionit për ta bërë diçka të tilla. Kuvendi ka vetëm kompetencën e ngritjes së komisionit, asnjë kompetencë tjetër. Sot në orën 16:00 i mbaron mandati komisionit hetimor, tani bëhet një teatër, ose do presim deri në orën 16:00 që t’i mbarojë afati...Ju vet e keni sabotuar me dëshirë. Pse nuk erdhët para një jave të sillnit një kërkesë. Pse nuk parashtruat një vendim të ndërmjetëm në komision. E treta është që rregullorja e Kuvendit, doni apo s’doni, neni 25 është neni më i shkurtër i Kuvendit, për komisionet hetimore. Ju mund të hidheni përpjetë deri në orën 16:00, por Kuvendi s’ka asnjë kompetencë për të bërë gjë, për sa kohë s’ka një vendim të ndërmjetëm

Bardhi: Ju po thoni që nuk iu lëmë që të nxirrni produkt, kjo është anti-Kushtetuese. Kjo çështje duhet të kalojë nga seanca plenare. E ripërsëris kërkesën për zgjatjen e afatit. T'i japim mundësi edhe 30 ditë që të bëjnë punën e tyre që ia penguar ju. Nuk ka asnjë abuzim në kërkesën e opozitës. Keni detyrimin që të zbatoni Kushtetutën. Nuk po kërkojmë favore nga ju. Ky është minimumi për bashkëjetesë për maxhorncës dhe opozitës. Mesa duket ju e keni harruar por nuk jeni më ministre për parlamentin, është Taulanti. Keni detyrim të moderoni në mënyrë të paanshme debatin. Nuk mund të jepni përgjigje me retorikë politike çdo deputet të opozitës. Nga numri i dytë i shtetit uleni tek numri 20 tek Taulanti. Që kryetarja e Kuvendit drejton dhe moderon. Keni bërë komente me retorikë politike. Nëse ju pëlqen numri i 20-të dhe doni të zbrisni ta dëgjoj dhe ai që bën emërimet, që te kongresi i radhës të bëj emërimet përkatës.

Spiropali: Do jem më shumë me ju se me anën tjetër të shumicës. Do vendosim disa rregulla që ato që janë shtrati i bashkëjetesës të respektohen këtu./ZËRI

 

1 VITE ME PARE

'Ta tregoj unë ty...'/ Ina Zhupa zbulon se çfarë u tha Ilir Beqaj në sallë

Mes debateve të shumta, mbyllet seanca parlamentare
Ina Zhupa

TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka zbuluar më shumë detaje lidhur me atë që ndodhi në orët e para të mëngjesit me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Nga Foltorja e Kuvendit, demokratja tregoi se me çfarë fjalës iu drejtua Beqaj, të cilat ajo i cilësoi si kërcënuese. Po ashtu, denoncoi edhe faktin që me ish-ministrin ishte shkelur protokolli i sigurisë, edhe pse duhej monitoruar për shkak se ndaj tij është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg".

"Erdhi dhe na tha, mbylle gojën, qepe ti, ta tregoj unë ty, kush je ti. Hapni kamerat, e dini çfarë na tha polici i Burgjeve? Na tha 's'kam furgon këtu', nuk kam ku ta çoj. Pra gjithë protokolli i sigurisë, kishte rënë. Ne ishim në mëshirë të hajdutit dy metra. Kam telefonuar Komandantin e Gardës për të sjellë një gardist atje dhe erdhi pasi ne ishim kërcënuar. Por jo vetëmpër atë që patë ju live, por atë që sheh kryetarja e Kuvendit nga kamerat. Ne nuk na kërcënon Edi Rama, jo më të na kërcënojë Ilir Beqaj,"-tha në fjalën e saj Ina Zhupa./ZËRI

1 VITE ME PARE

Nis me debate Kuvendi/ Noka dhe Bardhi: Hajduti 2 metrosh kërcënoi opozitën. Spiropali: Ju lutem, ruani etikën!

Mes debateve të shumta, mbyllet seanca parlamentare
Elisa Spiropali dhe Flamur Noka

TIRANË- Ka nisur me debate seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e opozitës, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi kanë kërkuar reagimin e kryeparlamentares Elisa Spiropali për futjen pa leje të Ilir Beqajt në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësi. Opozita kërkon që Garda e Republikës të mbajë përgjegjësi për incidentin, ndërkohë që kryeparlamentarja Spiropali kërkoi që të mos përdornin fyerje ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë.

DEBATI NË SALLË:

Noka: Vjen një hajdut 2 metra dhe kërcënon deputetët
Spiropali: Ju lutem mos fyeni. Nuk lejohet me rregullore
Noka: Vjen një akt i turpshëm, i inkurajuar nga dhuna që ju ushtroni ndaj opozitës, vjen një hajdut 2 metra i gjatë guxon të agresojë deputetët e Kuvendit. Guxon një hajdut në vend që të japë llogari, të kërcënojë.
Spiropali: Ç'do njeri ka të drejtën e dinjitetit që nuk ka të drejtë t'ja nëpërkëmbë askush.
Noka: Një hajdut 2 metra i gjatë ka vetëm dinjitetin e hajdutit. Ajo sjellje tregon qasjen tuaj për të mbrojtur hajdutin. Paniku se po iu del e vërteta e hajdutërisë bën që të shkelë çdo normë. Komandati i Gardës duhet të mbajë përgjegjësi se mbrëmë e kanë lënë Beqajn pa asnjë gardistë. Guxoi intimidoi deputetët.
Bardhi: E para zonja Spiropali, Noka e kishte për Ilir Beqaj, mos e merrni për kryeministrin
Spiropali: Do iu kërkoja mos ta përdorim si armë atë mikrofon.
Bardhi: Ju nuk keni asnjë të drejtë që të mëndërhyni në fjalën time. Ti duhet të jesh shumë e shqetësuar që një person i paraburgosur, dje lëvizte i lirë në Kuvend. I pashqetësuar as nga Drejtoria e Burgjeve dhe as nga Garda./ZËRI

1 VITE ME PARE

Edhe sot Kuvend, pritet interpelancë me ministren Koçiu

Mes debateve të shumta, mbyllet seanca parlamentare
Foto ilustruese

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet ditën e sotme për seancën plenare të radhës. Sipas rendit të ditës, parashikohet të zhvillohet një interpelancë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiun. Interpelanca është kërkuar nga deputeti i pavarur, Agron Shehaj. Po ashtu, në rendin e ditës janë parashikuar që të diskutohen edhe disa projektligje, mes të cilëve edhe ai për aderimin e Shqipërisë në Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore dhe ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për projektin “Bashki të forta (BTF).

RENDI I DITËS:

Mes debateve të shumta, mbyllet seanca parlamentare

E enjte, 14 nëntor 2024, ora 10.00

Në mbështetje të urdhrit nr. 80, datë 12.11.2024 të Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, rendi i ditës është si më poshtë vijon:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 7.11.2024.

(Neni 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit)

2. Njoftime

(Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)

3. Interpelancë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, zonjën Albana Koçiu, kërkuar nga deputeti Agron Shehaj.

(Neni 80 i Kushtetutës, neni 96 e Rregullores së Kuvendit).

4. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, bërë në Nju Jork, në datën 10.12.2008”.

(Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 121, pika 1, të Kushtetutës, dhe neneve 55 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për miratim)

Pyetje

Shprehet nismëtari

Shprehet Komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Dhënie mendimi Komisioni për Ekonominë dhe Financat.

Dhënie mendimi Komisioni për Politikën e Jashtme.

Diskutime

(Shprehen grupet parlamentare)

Koha e votimit

5. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që vepron përmes Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, për projektin “Bashki të forta (BTF), faza 2”.

(Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 121, pika 1, të Kushtetutës, dhe neneve 55 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për miratim)

Pyetje

Shprehet nismëtari

Shprehet Komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të

Drejtat e Njeriut.

Dhënie mendimi Komisioni për Politikën e Jashtme.

Diskutime

(Shprehen grupet parlamentare)

Koha e votimit

6. Projekvendim “Për disa ndryshime të vendimit nr. 69/2021 “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar.

(Në mbështetje të nenit 78 të Kushtetutës, si dhe neneve 21 dhe 55 të Rregullores së Kuvendit)

7. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

(Në mbështetje të nenit 45 të Rregullores së Kuvendit: Çdo deputet mund të flasë jo më shumë se 5 minuta dhe nëse diskuton në emër të grupit parlamentar, jo më shumë se 8 minuta. Koha e diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta.)/ZËRI

Poll

MOS HUMB