Aksioni për botoksin kontrabandë/ Shpallet në kërkim nga Policia mjeku Skerdi Faria

TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar lidhur me aksion "anti-botox" në Tiranë. Burime për ZËRI-n bëjnë me dije se në kërkim nga Policia e Shtetit është shpallur administratori i klinikës "Keit", Skerdilajd Faria. Mjeku është shpallur në kërkim, së bashku me 2 administratorë të tjerë që injektonin botoksin kontrabandë që futej në Shqipëri nga Mildon Kumaraku.
"Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të këtij operacioni, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset A. T., J. B., J. Z., L. C., K. B. dhe E. Sh, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit S. F., K. B. dhe A. F. B., të gjithë adminstratorë klinikash estetike ku injektohej ky produkt. Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim,"-bën me dije Policia, e cila i ka identifikuar të gjithë me iniciale./ZËRI
PROFILET- Kush janë estetistet që u arrestuan, reklamonin botoxin kontrabandë. Në Shqipëri ua sillte Mildon Kumaraku

TIRANË- Mildon Kumaraku, Xhuljana Mahmuti dhe Deisa Shehaj janë tre të arrestuarit nga Policia e Shtetit për futjen kontrabandë dhe injektimit tek pacientët të botoksit kontrabandë. ZËRI ka zbuluar se lënda që sillte dhe më pas magazinonte Mildon Kumaraku për klinikat estetike në Shqipëri ishte "Dermalax", por edhe produkte të tjera që futeshin pa u çdoganuar në Shqipëri. Por edhe pse nuk diheshin shumë detaje për produktet, sërish Kumaraku i shiste nëpër klinika dhe pikërisht këto lëndë injektoheshin në trupin e klientëve.
Mahmuti nuk ka asnjë të dhënë lidhur me biznesin që ka ngritur, por ndryshe nga ajo Deisa Shehaj ka krijuar një profil të saj në rrjetet sociale.

Pas arrestimit, të gjithë materialin që ka pasur në rrjetin social "TikTok" e ka fshirë, ndërsa në Instagram ka mbyllur llogarinë në mënyrë që të mos i rrjedhin fotot në media.


Por në "bio" ka një përshkrim të punëve që ofron. E reja pretendon se është e specializuar si stomatologe, teknike qerpikësh, injektore, e të tjera shërbime që kanë të bëjnë me bukurinë. Për të gjitha klientet e saj ka lënë edhe një faqe uebi, e cila...nuk funksionon!

Bashkë me tre të arrestuarit, tre të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa 5 administratorë të tjerë të këtyre klinikave janë shpallur në kërkim./ZËRI
EMRAT- Operacioni "anti-botoks", kush janë personat e arrestuar, 3 në kërkim
TIRANË- Zbulohen emrat e të arrestuarve nga aksioni "anti-botoks" në Tiranë. Në pranga mësohet se është vendosur Mildon Kumaraku, administratori i subjektit që kontrabandonte dhe magazinonte produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizonte me të klinikat. Në pranga dhe administratoret e 2 klinikave Xhuljana Mahmuti dhe Deisa Shehaj.
Aksioni "anti-botox"/ 3 të arrestuar, po aq në kërkim. E fusnin "mallin" kontrabandë, ia injektonin klienteve

TIRANË- "Botulinum toxin", kështu është koduar operacioni i zhvilluar mbrëmjen e djeshme. Krimi Ekonomik ka kontrolluar rreth 30 qendra estetikë në Tiranë, pasi dyshohej se përdornin në bizneset e tyre mall kontrabandë. Në pranga kanë përfunduar 3 persona, njëri prej tyre ishte administratori i magazinës ku edhe mbahej produkti kontabandë, por edhe administratorët e dy klinikave estetike. 3 administratorë të tjerë janë shpallur në kërki, ndërsa 5 janë nën hetim në gjendje të lirë. Deri më tani nuk janë zbuluar identitetet e tyre, pasi nga Policia e Shtetit janë identifikuar vetëm me iniciale.
Të arrestuar në flagrancë janë: M. K. (personi që magazinonte botoksin), Xh. M. dhe D. Sh.
Në kërkim janë shpallur: S. F., K. B. dhe A. F. B.
Në gjendje të lirë po hetohen: A. T., J. B., J. Z., L. C., K. B. dhe E. Sh.
Po ashtu, e paqartë është edhe sasia e lëndës së sekuestruar nga klinikat.
VIDEOJA E AKSIONIT:
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Botulinum toxin”, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të kontrabandimit dhe tregtimit të kundërligjshëm të produktit mjekësor “Botulinum toxin”, i njohur si “Botox”, nga klinikat estetike. Kontrollet e autorizuara nga Gjykata e Tiranës, gjetën në paligjshmëri 30 klinika estetike. Vihet në pranga administratori i subjektit që kontrabandonte dhe magazinonte produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizonte me të, klinikat. Në pranga dhe administratoret e 2 klinikave. Procedohen penalisht administratoret e 5 klinikave, si dhe punohet për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të 3 administratorëve. Sekuestrohen medikamente Botox-i. Si rezultat i veprimeve policore dhe hetimore, të kryera në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar për veprat "Kontrabanda me mallra të licencuara", kryer në bashkëpunim, "Kontrabanda nga punonjësit që lidhen me veprimtarinë doganore", kryer në bashkëpunim dhe "Fshehja e të ardhurave", dhe të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, finalizoi operacionin policor të koduar “Botulinum toxin”.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, dhënë në kuadër të këtij operacioni, u kryen kontrolle në 30 subjekte private (klinika estetike). Nga kontrollet dhe verifikimet në këto subjekte rezultoi se administratorët e tyre nuk deklaronin në organet tatimore, të ardhurat që përfitonin nga injektimi i produktit “Botulinum toxin”, te pacientët, pasi produkti dyshohet se është i kundërligjshëm dhe i kontrabanduar. Për këtë paligjshmëri u arrestuan në flagrancë shtetasit M. K., Xh. M. dhe D. Sh. Shtetasi M. K. është administrator i një subjekti privat që dyshohet se kontrabandon dhe magazinon produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizon me të, klinikat. Ndërkaq, shtetaset Xh. M. dhe D. Sh. janë administratore të 2 prej klinikave ku injektohej ky produkt. Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të këtij operacioni, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset A. T., J. B., J. Z., L. C., K. B. dhe E. Sh, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit S. F., K. B. dhe A. F. B., të gjithë adminstratorë klinikash estetike ku injektohej ky produkt. Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme", njoftoi policia.
Dje “ZËRI”, bëri me dije operacioni u zhvillua në qendrat estestike apo parukeritë në të cilat realizohet dhe procedura e injektimit të botoksit. Në total, Krimi Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ushtruar kontroll në rreth 30 qendra estetike e parukeri në Tiranë, për mallra kontrabandë. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesa ku dyshohet se pronarët e këtyre qendrave mbanin stok mallin kontrabandë./ZËRI