DINAMIKA/ Sherri nisi për pjesë këmbimi! Si ndodhi plagosja në servisin e makinave në Vorë, punëtori u qëllua me armë

TIRANË- Është zbardhur dinamika e plagosjes me armë zjarri që ka ndodhur këtë mbrëmje në Vorë. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në një servis makinash në Marikaj të Vorës, që rezulton të jetë në pronësi të dy vëllezërve Mara. Persona ende të paidentifikuar kanë shkuar në servisin e vëllezërve Mara dhe janë përleshur me dy vëllezërit dhe punëtorin, Xhuliano Shkurti, 28 vjeç. Për pasojë, ky i fundit ka mbetur i plagosur me armë zjarri, ndërsa dy vëllezërit kanë plagë të shkaktuara nga sende të forta. Shkak për sherrin mësohet se janë bërë disa pjesë këmbimi, por ende nuk është e qartë. Të plagosurit ndodhen në spital dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Sherr në një servis në Vorë/ Punëtori u qëllua me armë në këmbë, pronarët ndërhynë, por s'i ndalën dot agresorët. Të 3 në spital

VORË- Një përplasje me armë zjarri dhe sende të forta ka ndodhur në ambientet e një servisi në Marikaj të Vorës, i cili është në pronësi të dy vëllezërve me mbiemër Mara. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, ku disa persona persona kanë shkuar te servisi ku punonte 28-vjeçari Shkurti dhe e kanë qëlluar atë në këmbë me armë zjarri.
Në mbrojtje të të riut janë "futur" pronarët e servisit që janë identifikuar vetëm me inicialet: A. M., 35 vjeç, dhe F. M., 37 vjeç., të cilët gjithashtu janë goditur me sende të forta nga personat që u kanë hyrë në biznes. Aktualisht të tre janë në spital dhe po marrin mjekimin e bluzave të bardha. Ndërkohë që Policia po punon për zbardhjen e të gjithë ngjarjes. Kjo pasi ende nuk dihen shkaqet e konfliktit dhe as agresorët.
NJOFTIMI I POLICISË:
Vorë/Informacion paraprak
Më datë 15.10.2024, në një servis në Marikaj ka ndodhur një konflikt midis disa shtetasve. Gjatë konfliktit është dëmtuar në këmbë, dyshohet me armë zjarri, shtetasi Xh. Sh., 28 vjeç, dhe me sende të forta shtetasit A. M., 35 vjeç, dhe F. M., 37 vjeç. Të tre këta shtetas ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë po punojnë për shoqërimin e shtetasve të përfshirë në konflikt ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./ZËRI