Dita e Rinisë, Berisha: Azemi dhe studentët e dhjetorit ishin heronjtë e vërtetë të Shqipërisë
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është bërë pjesë e nderimeve që janë bërë sot në qytetin Studenti për Ditën e Rinisë, duke përkujtuar një prej personaliteteve më të rëndësishme të Lëvijes Studentore, Azem Hajdarin. Berisha tha se studentët e Dhjetorit kanë qenë heronjtë e vërtetë të demokracisë, që arritën të rrëzonin një prej regjimeve më të egra diktatoriale.
FJALA E BERISHËS
Të dashur miq të pranishëm në këtë nderim që i bëjmë njërës prej datave më të shënuara në historinë e lirisë së kombit shqiptar, 8 dhjetorit të vitit 1990.
Të nderuar dhjetoristë, një përshëndetje shumë të përzemërt ju, mirënjohje të pakufishme për ju dhe të gjithë shoqet, shokët tuaj kudo që janë sot, çfarëdo që bëjnë, për rolin tuaj të jashtëzakonshëm që luajtët në dhjetor të vitit 1990, në historinë e lirisë së shqiptarëve.
Të dashur deputetë të pranishëm, të dashur qytetarë dhe qytetare kudo që jeni, një përshëndetje të përzemërt.
Si sot, 35 vite më parë, me 8 dhjetor të vitit 1990, studentë të Universitetit të Tiranës dhe shkollave të tjera të larta, të udhëhequr nga tribuni i lirisë, Azem Hajdarin, nisën protestat, revolucionin demokratik, i cili si një uragan i vërtetë në tre ditë ndau epokat dhe vendosi në vendin më monist të planetit, pluralizmin politik.
Ndaj sot mbarë kombi shqiptar nderon 8 Dhjetorin si datën më të rëndësishme gjer atëherë në historinë e lirisë së tij pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
Për shqiptarët në Shqipëri, 8 dhjetori i vitit 1990 është ditëlindja e lirive të tyre.
Me 8 dhjetor 1990, studentët liberatorë, engjëjt e demokracisë, siç do i thërrisnin ata njerëzit më të shtypur të Europës, të udhëhequr nga princi i tyre legjendar, Azem Hajdari, u ngritën për të përmbysur diktaturën komuniste më të egër të kohës.
Studentët e dhjetorit 1990 ishin misionarë të paepur, të pamposhtur, pararendës të një ndryshimi epokal në historinë e kombit dhe vendit të tyre, të cilët që në protestën e parë shpallën si moto të revolucionit të tyre, liri dhe demokraci, Shqipëria si Europa.
Të dashur miq, Azem Hajdari, tribuni i lirisë dhe studentët e dhjetorit ishin heronjtë e vërtetë.
Ishin heronj mbi heronjtë sepse ata dolën në rrugët e Tiranës të vetëm, të braktisur nga shqiptarët, të braktisur nga Europa, të braktisur në tërësi.
Në atë dhjetor, të shumtë ishin ata që në Europë, pas dështimit të kryengritjes paqësore të 2 korrikut, mendonin se Shqipëria duhej dhe e meritonte të mbetej Kuba e Adriatikut në kontinent.
Por studentët në këtë vetmi, guxuan, u përballën me regjimin komunist më represiv të kohës, regjimin që edhe ato ditë vriste dhe ekzekutonte në kufi çdo javë bashkëmoshatarët e tyre, madje zvarriste në rrugët dhe sheshet e qyteteve Sarandë, Shkodër, Gjirokastër, Korçë, kufomat e të rinjve, të bëra shoshë nga breshëritë e rojeve të kufijve, vetëm e vetëm që askush të mos guxonte të ngrihej kundër atij regjimi.
Studentët e dhjetorit ishin heronj dhe shkuar heronjtë sepse në betejën e pabarabartë me regjimin që kishte veendosur para tyre tanket, mitrolozët, ushtri dhe hordhi, ata me armë të vetme guximin e tyre, qëndruan të pamposhtur dhe fituan.
Revolucioni demokratik që nisi me 8 dhjetor me shpejtësi do të shndërrohej në lëvizjen më të fuqishme paqësore në historinë e Shqipërisë dhe në një hark kohor prej 72 orësh, me mbështetjen e fuqishme tanimë të intelektualëve dhe të qytetarëve të Tiranës, do ngadhënjente mbi regjimin komunist dhe do t’i impononte atij pranimin e pluralizmit politik në Shqipëri dhe do themelonte partinë e parë opozitare në historinë e pasluftës, Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Rrëfimi i Azem Hajdari ‘junior’: Gjyshi tallej me ëndrrat e babait tim, la garanci dy fëmijët e tij përpara studentëve
TIRANË- Është përkujtuar në Qytetin Studenti, Dita e Lëvizjes Studentore të vitit 1990, një nga momentet më të rëndësishme dhe më historike të rrugës së Shqipërisë drejt pluralizmit politik.
Në këtë ditë, figura e Azem Hajdarit dhe roli i tij udhëheqës rikthehen sërish në qendër të vëmendjes, ndërsa familjarë, politikanë, mes tyre dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nderuan kontributin e atyre që sfiduan sistemin e asokohe.
Djali i Azem Hajdarit, foli për figurën e babait të tij dhe mënyrën se si ai mori lidershipin e lëvizjes studentore. Ai e përshkroi të atin si një njeri të dashur me fëmijët dhe një politikan i zoti, që nuk kishte frikë nga asgjë.
Azem Hajdari ‘junior’ u shprej se babai i tij ishte ëndërrimtar, dhe veprimtarinë e tij në fillim nuke e besonin as familjarët e tij, ndërsa para studentëve të tjerë të kohës, la si garanci dy fëmijët e tij.
“Gjyshi im, duke qenë se ishte pasojë e kohës, mendonte të pamundur që djali i vet të vinte në Tiranë dhe të hidhte poshtë sistemin më agresiv që ka njohur Ballkani. Thoshte: ‘Lëri këto ëndrra, se është e vështirë për këtë gjë’. Azemi nuk mendonte sot për sot, ishte një njeri që mendonte afatgjatë, nuk e kishte konceptin e frikës. Kështu, Azemi u nis për në Tiranë, duke dalë para plumbave dhe duke rrezikuar jetën e tij.
Ditën që studentët u konfuzuan, pasi situata ishte impulsive dhe ata nuk dinin ku të drejtoheshin, babai im hipi një shkallë më lart dhe la garant dy fëmijët e vet. ‘Nëse ju kam tradhtuar juve, i bie që tradhtoj fëmijët e mi’. Në atë moment ai mori lidershipin, duke ngarkuar mbi supet e tij shumë përgjegjësi. Nga ana akademike i duhej shumë më tepër punë për të drejtuar këtë lëvizje. Ishte një baba shumë i dashur.
Azemi ishte sportist i mundjes, një person politik që, pavarësisht situatave, gjente kohë të luante me vëllain tim. Aq shumë luanin, sa nëna ulte automatin e dritave. Dua të them që të rinjtë sot s’kanë as më pak e as më shumë seç kishte Azem Hajdari. Për ata që thonë se vota e tyre nuk sjell ndryshim: nga një person bëhen dy, nga dy bëhen tre e kështu me radhë. Kujtoj në këtë ditë heronjtë e asaj kohe, mes tyre edhe babain tim,” u shpreh djali i Azem Hajdarit.
8 Dhjetori! 35 vite nga Lëvizja Studentore që çoi në rrëzimin e komunizmit
TIRANË- 8 Dhjetori shënon Ditën Kombëtare të Rinisë, në përkujtim të lëvizjes studentore të vitit 1990, që çoi dhe në rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri.
Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.
Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.
Në 35-vjetorin e lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kujtuar sakrificën dhe guximin e të rinjve që i hapën rrugën Shqipërisë drejt demokracisë dhe Europës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Presidenti shkruan: “Si sot, 35 vjet më parë, në rrugët e Tiranës ushtoi thirrja e studentëve idealistë: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!’. Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane.
Çdo hap që hedhim në këtë rrugëtim nderon guximin rinor që rrëzoi perden e hekurt që e ndante Shqipërinë nga Evropa.”
Presidenti Begaj thekson se aspirata europiane e shqiptarëve është e pandarë nga idealet e lirisë dhe demokracisë së atyre ditëve.
Nga ana tjetër, kreu i PD Sali Berisha, dhe deputetë të kësaj force politike, do të jenë paraditen e sotme në Qytetin Studenti, ku do të kremtohet figura e liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari, si edhe studentët, pedagogët, punëtorët dhe të rinjtë që u vunë në krye të Lëvizjes për Ndryshim, Shpresë dhe Liri./ZËRI
Dita e rinisë, pa të rinj/ Në 13 vite tkurren me 45%, nga emigracioni i lartë
TIRANË- Më shumë se një e katërta e të rinjve shqiptarë gjenden në të 30-tat e tyre pa asnjë zanat, arsim profesional apo të lartë të përfunduar dhe për më tepër nuk janë në asnjë lloj pune.
Ky trend, që ka mbetur kokëfortë në dy dekadat e fundit, është pasqyra më e qartë se qeveritë dhe shoqëria nuk kanë arritur të edukojnë dhe formojnë të rinjtë së paku për të qenë të zotët e vetes.
Të gjendur në këtë situatë, shumica e të rinjve shqiptarë në grupmoshën 15–29 vjeç shohin emigrimin si zgjidhjen kryesore për jetën e tyre.
Megjithë përpjekjet, sistemi arsimor në vend nuk po mund të lidhet me nevojat e tregut të punës dhe cilësia e të nxënit ka pësuar ulje. Luhatjet në arsim dhe punësim e kanë çorientuar rininë, e cila, në vend që të reagojë dhe të kërkojë llogari, po zgjedh largimin.
Në 13 vite të rinjtë tkurren me 45%
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2024 në të gjithë vendin kishte vetëm 405 mijë të rinj të moshës 15–29 vjeç, ose 45 për qind më pak se në censin e vitit 2011.
Rënia e popullsisë së re në moshë më shumë sesa me lindjet më pak lidhet me emigracionin e lartë, që ka marrë përmasat e pandemisë në këtë grup-moshë. Numri i të rinjve ndërmjet dy censeve 2011–2023 ka rënë tre herë më shumë se popullsia e përgjithshme.
Në arsim, të dhënat e vitit 2024–2025 tregojnë se numri i nxënësve dhe studentëve po vazhdon të tkurret. Regjistrimet në sistemin parauniversitar kanë rënë, veçanërisht në arsimin 9-vjeçar, ndërsa edhe universitetet po përballen me më pak aplikime dhe më shumë braktisje.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se për periudhën 2020–2025, totali i nxënësve të regjistruar në të gjitha nivelet ka rënë me rreth 61 mijë, që përbën një tkurrje prej 10%. Ndërsa gjatë dekadës nga viti 2015 deri më 1 janar 2025, numri i nxënësve në arsimin parauniversitar ra me mbi 31%, ose 112 mijë më pak.
Kjo tkurrje demografike po bën që vendi të ketë gjithnjë e më pak të rinj që hyjnë në sistemin arsimor, më pak studentë që diplomohen dhe më pak fuqi punëtore të kualifikuar për të ardhmen.
Papunësi e lartë
Megjithatë, edhe ata që diplomohen ndeshen me sfida të mëdha në tregun e punës. Punësimi i të rinjve mbetet problematik, me nivele papunësie që luhaten rreth 22% për moshat 15–29 vjeç. Një tjetër fenomen shqetësues është papunësia mes të diplomuarve në universitet.
Pavarësisht viteve të studimit dhe investimeve të familjeve, rreth 15% e të rinjve me arsim të lartë rezultojnë të papunë. Kjo ndodh sepse universitetet prodhojnë më shumë specialistë në fusha si drejtësia, ekonomia dhe menaxhimi, ndërkohë që tregu kërkon profile teknike, inxhinierike, profesione të zanatit, turizëm dhe teknologji. Kjo mospërputhje shton nën-punësimin dhe detyron të rinjtë ose të punojnë jashtë profilit, ose të kërkojnë mundësi jashtë vendit.
Emigrimi si zgjidhje
Shqipëria kryeson me diferencë të madhe listën e 45 vendeve me përqindjen më të lartë të emigrantëve në raport me popullsinë në vitin 2023. Sipas vlerësimeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), për çdo një mijë banorë në Shqipëri 22.1 ishin emigrantë në 38 vendet e OECD-së, një tregues që e vendos Shqipërinë shumë përpara vendeve të tjera si Rumania (12.7 emigrantë për 1000 banorë), Bullgaria (11.9) apo Kuba (10.6).
Ky nivel i lartë emigrimi nënkupton se gati një në çdo 4 shqiptarë ka emigruar jashtë vendit, duke reflektuar përmasat e jashtëzakonshme të lëvizjes demografike që ka prekur vendin tonë gjatë dekadës së fundit. Shumica e këtyre emigrantëve, mbi 80%, janë të rinj. Niveli i lartë i emigrimit është ndoshta pasqyra e pakënaqësisë sociale dhe ekonomike të brezit të ri.
Shqipëria ka hyrë në periudhën e fortë të emigrimit që prej viteve ’90, fenomen që në vend që të zbutet vetëm forcohet. Çdo vit largohet një numër i madh i të rinjve, kryesisht të kualifikuar, duke krijuar një humbje të madhe të kapitalit njerëzor.
Sipas raportimeve dhe vlerësimeve të fundit, Shqipëria është ndër vendet e Europës me normën më të lartë të largimeve të të rinjve në raport me popullsinë. Popullsia e të rinjve 0–29 vjeç është përgjysmuar brenda më pak se dy dekadave, një rënie dramatike me ndikim të thellë në ekonominë dhe strukturën sociale të vendit. Shkaku kryesor mbetet mungesa e perspektivës, pagat e ulëta, mundësi të pakta zhvillimi profesional, mosbesimi tek institucionet dhe tek e ardhmja.
1 në 4 të rinj rri kot
Të rinjtë në Shqipëri që nuk punojnë, nuk arsimohen dhe nuk trajnohen (NEET) paraqesin sot një nga sfidat më të mëdha sociale të vendit. Në vitin 2024, mbi 22% e të rinjve 15–29 vjeç nuk ishin as në punë, as në shkollë dhe as në arsim.
Në grupmoshën 15–24 vjeç, norma e NEET arrin në 21.3 për qind. Në grupmoshën 25–29 vjeç, situata përkeqësohet ndjeshëm, norma e NEET ngjitet në 31.1 për qind dhe përqindja e të rinjve që janë tërësisht inaktivë rritet dukshëm, sidomos mes grave.
Gjysma e të rinjve me arsim të ulët rezultojnë NEET deri në moshën 29 vjeç, dhe shumica e tyre janë inaktivë, jo thjesht të papunë. Rreth një e pesta e të gjithë NEET-ëve me arsim të ulët ende deklarojnë se kërkojnë punë, por pjesa më e madhe, 40 deri në 50 për qind, kanë braktisur çdo lidhje me tregun e punës ose arsimin. Edhe pse norma e braktisjes së hershme të shkollës ka rënë nga 17.4% në vitin 2021 në 13.5% në vitin 2023, furnizimi me të rinj të pashkolluar mbetet i lartë.
Në Shkodër, niveli i NEET-ëve është 22%, më i ulëti ndër qarqet e krahasuara. Tirana shfaq një nivel më të lartë në rang vendi me rreth 27%.
Të gjitha rajonet karakterizohen nga një problem i përhapur i papunësisë afatgjatë. Rreth 69 deri në 75 për qind e të rinjve që kërkojnë punë kanë më shumë se gjashtë muaj të papunë, duke treguar një shkëputje të thellë nga tregu i punës dhe një risk të lartë për të kaluar në inaktivitet.
Universitetet të zhytura në korrupsion
Qëndresa Qytetare ka analizuar se gjatë viteve 2021–2025, sipas prokurorive, janë akuzuar për korrupsion 50 pedagogë të universiteteve publike. Nga analiza rastet e korrupsionit që përfshijnë personel akademik të universiteteve publike rezultojnë të shpërndara në disa qytete. Në Shkodër, 13 pedagogë (5 me hetime të pushuara, 3 të dërguar për gjykim dhe 5 të tjerë ende nën hetim), në Elbasan u përfshinë 9 pedagogë (1 në gjykim, 1 me vendim mosfillimi dhe 7 nën hetim, çështje e kaluar tek SPAK).
Në vitin 2025 SPAK përfundoi hetimet ndaj 27 zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës (pjesë e stafit akademik dhe administrativ).
Rreth 9 nga 10 studentë (89.98%) pranojnë ekzistencën e korrupsionit në tetë universitetet publike të marra në analizë. Nivele të larta të perceptimit (96%) janë raportuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Universitetin e Mjekësisë dhe Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, ndërsa nivelet më të ulëta, ndonëse përsëri shqetësuese, janë raportuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan (77.5%).
Përvoja personale është më e përhapur në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë (26.25%) dhe Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (25%).
Pagesa për nota është perceptuar si më e përhapur në Universitetin Bujqësor të Tiranës (59.62%) dhe Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës (56.15%), ndërsa më e ulët në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (35.33%). Detyrimi për blerje librash dominohet nga Universiteti i Shkodrës (32.34%).
Pasojat
Është krijuar një cikël dobësish në vend që po dekurajon të rinjtë. Arsimi nuk po prodhon aftësi që kërkon ekonomia, ekonomia nuk po prodhon vende të mjaftueshme pune me kushte të pranueshme për të rinjtë. Mungesa e perspektivës ekonomike dhe sociale i shtyn të rinjtë drejt emigrimit.
Largimi i të rinjve rrudh më tej bazën e popullsisë së re, ul numrin e nxënësve dhe studentëve, dobëson tregun e punës dhe ndikon në cilësinë e zhvillimit ekonomik. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, Shqipëria rrezikon të futet në një spirale të gjatë të plakjes së popullsisë, mungesës së fuqisë punëtore dhe pamundësisë për të zhvilluar një ekonomi konkurruese pa rininë.
Në këtë realitet, pyetja nuk është më “a po ikin të rinjtë?”, por “si të krijohet një klimë që i mban, i punëson dhe i zhvillon ata”. Sfida duket se është strukturore dhe kërkon reformë në arsimin profesional dhe universitar, politika punësimi të lidhura me sektorët prioritarë, si dhe programe konkrete që ndalojnë ose ngadalësojnë emigrimin.
Nëse këto procese nuk ndryshojnë, Shqipëria do të përballet me një të ardhme ku rinia do të jetë gjithnjë e më pak e pranishme dhe zhvillimi ekonomik do të jetë i paqëndrueshëm. /Monitor