LIVE UPDATES

Kuvendi/ Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë me Ramën, Bardhi: Po i bën presion drejtësisë

➤Kuvendi është mbledhur sot në seancë plenare ku në rend dite janë 20 çështje. Në nisje të seancës opozita kërkoi interpelancë me kryeministrin Edi Rama, për çështjen “Balluku”, por kërkesa u rrëzua. ➤Sipas Niko Peleshit, çështja e Belinda Ballukut është në Gjykatën Kushtetuese dhe përpjekjet politike për të nxjerrë një vendim mund të ndikojnë te ligji. ➤Përplasjet mes palëve nuk kanë munguar, ku një debat pritet edhe për zgjedhjen e Avokatit të popullit.

5 artikuj për këtë temë.
7 MUAJ ME PARE

“Të të vijë rëndë"!/ Batuta për “dhëndrin”, plasin të qeshurat në Kuvend! Balla ironi me Balliun: Kemi bërë dhe krushqi....

Kuvendi/ Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë me
klevis balliu-taulant balla

TIRANË- Seanca e sotme plenare po zhvillohet nën tensione të vazhdueshme, ndërsa nuk kanë munguar as batutat gjatë përplasjes mes palëve. Një episod batutash që shkaktoi të qeshura në sallë, ndodhi gjatë një përplasjeje verbale mes deputetit demokrat Klevis Balliu dhe kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Gjatë fjalës së tij, Balliu iu drejtua Ballës: I the Kaprit, jo dhëndri jo stërdhëndri, ndërsa nga ana tjetër, Balla nuk i kurseu ironitë duke i thënë “Të të vijë rëndë”. Ndërkohë që ka ndërhyrë edhe kryeparlamentari Peleshim, i cili po ashtu ka ironizuar: "Nëse ka ardhur dita që fjala dhëndër të quhet fjalë e rëndë, është arritje e këtij Kuvendi."

Pjesë nga debati:

Balliu: Dhe me kolegun Kapri, jo dhëndër jo stër’dhëndër, çfarë janë këto turpe?

Peleshi: Nëse ka ardhur dita që fjala dhëndër të konsiderohet e ‘rendë’ atëherë është luks për ne dhe arritje e parlamentin

Balla: Të të vijë reendë… kemi bërë krushqi se e kemi dhëndër, dhe ti je nga këta që të të vijë rendë je, ti turpërohesh (qesh)

Peleshi: Nuk është fyerje, për mua është kompliment (qesh)

Balliu: Zotëria ka probleme nuk kupton,

Peleshi: S’mund të mbash mikrofonin duke treguar me gisht se nuk je as prokuror as gjyqtar

Balliu: Se përcaktoni ju se çfarë flas në replikë…. a mundet zotëri këto 20 pika t’i shkurtoni? Është të tallesh. Këtë i thash zotërisë që nuk e kupton gjuhën normale.

/ZËRI

7 MUAJ ME PARE

“Kur të përmendësh emrin tim laj gojën”, përplasje mes Ballës dhe Shehajt: Bëje gargarën me ujë Vlore

Kuvendi/ Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë me
agron shehaj dhe taulant balla

TIRANË- Ka pasur një replikë në Kuvend mes deputetëve Agron Shehaj dhe Taulant Balla, në lidhje me qëndrimin që po mbajnë socialistët, për pezullimin e Belinda Ballukut. Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, u shpreh se socialistët po shmangin dhënien e llogarisë, dhe Taulant Balla nuk ka guxim të mbajë një qëndrim, duke thënë se duhet pyetur Chat gpt.

"Nuk e di se si do ta zgjidhim këtë problemin e mohimit të të drejtës për interpelancë që si deputet kam. Kam kërkuar në 2 muaj me Ballukun, por tani nuk është më ministre. I shpëtoi interpelancës por përfundoi më keq. Por kam një kërkesë për interpelancë edhe me kryeministrin. E kuptoj se kërkoni të shmangni llogaridhënien por s’i shpëtoni dot. Ju mendonit se kur u arrestua Veliaj ishte një çështje që kishte me të. Tani që është marrë e pandehur Balluku…vërtet mendoni se kemi të bëjmë me çështje të përvetshme të disa individëve. Ky është ndryshim thelbësor.

Duhet të jepni llogari dhe nuk keni ca t’i bëni drejtësisë, SPAK se kanë mbrojtjen e ndërkombëtarëve. Dhe këto sulmet qesharake që bëni përditë, Rama çdo ditë kërcënon Gjykatën Kushtetuese me broçkulla se kemi marrë të pandehur Ballukun dhe shqiptarët nuk udhëtojnë dot në Kanada, tani ka filluar ministri i drejtësisë me postime. Del Balla dhe thotë pyesni Chat GPT, nuk ka ndodhur ndonjëherë por prapë unë thotë nuk flas për gjykatësit. S’ia mban atij se ka frikë se përfundon si të tjerët. Nuk e shmangni dot daljen para drejtësisë. E keni të kotë. Ndajeni mendjen, dilni cdo ditë siç po ndodh. Bashkëpunimi me drejtësinë se iu ka ardhur fundi", tha Shehaj. 

Ndërkohë që i ashpër ishte reagimi i Ballës, ndërsa përmendi dhe ish-kryetarin e PD Lulzim Basha.

“Për t'u bërë interesant për rrjetet sociale, bërtet dhe kujton se është interesant edhe kur ja fut kot. Ti kur të përmendësh emrin tim laj gojën, po bëjë gargarën me ujë të kripur Vlore, se po u pendua Lul Basha do tregojë se sa para i ke dhënë për të marrë mandatin në 2017. Kujdes se mos të bën të penduarin Luli”, tha Balla. /ZËRI 

7 MUAJ ME PARE

"Kam pirë 100 kafe me Ervinin, se piva një tjetër..."/ Nga Shehu, Tabaku dhe Korreshi...Si e komentojnë demokratët 'foltoren' e Salianjit?

Kuvendi/ Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë me
partia demokratik

TIRANË- Lëvizja më e re e ish-deputetit Ervin Salianji, i cili ka nisur një tur takimesh me pjesë të strukturave të opoiztës, ka shkaktuar tension dhe reagime brenda PD-së. Ditën e sotme, pak para nisjes së seancës plenare të Kuvendit, disa prej deputetëve demokratë janë prononcuar shkurtimisht për mediat. 

I pyetur për takimet e demokratit Salianji, deputeti Tritan Shehu u shpreh për mediat se nuk do të komentojë zgjedhjet personale të çdo njeriu.

Xhelal Mziu gjithashtu nuk u ndal të komentonte gjatë, teksa u shpreh: “Çdo demokrat është i mirëpritur kudo dhe për të qenë një armë më shumë kundër kësaj qeverie”.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Tomorr Alizoti, duke mos pranua të komentojë për mediat: “Keni ndonjë pyetje për qeverinë? Ai është miku im dhe është djalë i mirë?”

Pyetjes së gazetarëve edhe Jorida Tabaku vendoi t'i përgjigjej me pyetje duke mos reaguar drejpërdrejt për lëvizjen e Salianjit: "Ça është kjo erë e madhe, qenkeni juve. Kam qenë dhe do vazhdoj të jap kontributi për partinë. Të vazhdojmë përballjen me kundërshtarin, partinë ta lejmë te partia?!”

Deputeti Saimir Korreshi ishte i vetmi që komentoi më gjatë rreth zhvillimeve të fundit. Duke e cilësuar 'kafe', Korreshi u shpreh se me Salianjin ka pirë kafe dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

“Të fillojnë të lëvizin ujërat në parti. Unë takoj çdo demokrat pavarësisht emrit dhe mbiemrit. Kam pirë 100 herë kafe me Ervinin, se piva një tjetër…”, u shpreh Korreshi.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka zhvilluar dje një takim me demokratët në Durrës, ku iu bashku edhe lir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja. 

Takimi në Durrës, vjen pas mbledhjes së shumë komentuar të Salianjit 27 nëntor me më të votuarit në procesin e Primareve. Takimi ndezi pretendimet se një lëvizje e re brenda kësaj force politike po merr formë. Diskutimet kishin në fokus rikthimin e 'ADN-së' fituese të partisë, promovimin e meritokracisë, hapjen e strukturave dhe forcimin e besimit qytetar. Vetë kreu i PD, Sali Berisha i ka quatur takimet e Salianjit aktivitete për interesa personale, pasi sipas tij Partia Demokratike vepron mbi bazën e statutit dhe forumeve./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

“Balluku”, PD kërkoi interpelancë me Ramën, Peleshi e rrëzon: Të flasë më parë Gjykata Kushtetuese

Kuvendi/ Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë me
Niko peleshi dhe gazment bardhi

TIRANË- Socialistët kanë rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike, për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, për çështjen “Balluku”. Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se kjo çështje nuk u pranuar për interpelancë, pasi tashmë është duke u diskutuar në Gjykatën Kushtetuese, pas pranimit të ankimimit të bërë nga kryeministri Edi Rama. Me 77 vota të socialistëve, kërkesa e Gazment Bardhit për interpelancë u rrëzua. 

“Kam argumentuar mospranimin e kërkesës për interpelancë. Objekti i kërkesës për interpelancë është aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, e cila po vlerëson nëse kërkesa është e pranueshme për shqyrtim në seancë plenare. Kërkesa për interpelancë urgjente sipas rregullores  nuk duhet pranuar sepse çështja është në shqyrtim në GJK. Është ky organ që do japë një interpretim përfundimtar mbi kompetencat dhe ndarjen e pushteteve mes institucioneve. Cdo përpjekje për të nxjerrë një vendim politik para se të përfundojë shqyrtimi kushtetues mund të cënojë parimet e pavarësisë së institucioneve. Është e domosdoshme të pritet vendimi i GJK”, deklaroi Peleshi.

Ndërkohë kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi u shpreh se Rama duhet të jap llogari në parlament. Sipas tij, kryeministri është urdhërues i aferës së Llogarasë. Sipas Bardhit, Rama flet vetëm me veten dhe nuk flet dot të vërtetën në parlament.

“Ne kemi kërkuar interpelancë me kryeministrin, sepse ai ka ndërhyrë tek drejtësia për një anëtare të qeverisë. Ai nuk është konsultuar me parlamentin. Ju thatë se duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Del dhe mbron të pandehurën ministre me video selfie si mjet presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese. Rama të japë llogari, u fshihet deputetëve të Kuvendit.

Qeveria ka numrin dy të pandehur me tendera. Ç’punë ka kryeministri që kthen institucionin në një zyrë avokatie? Pse bëhet kryeministri palë, në një çështje që nuk është palë? Rama të vijë e të japë llogari këtu, ai është bashkëfajtor. Fliste gjëra që nuk i ka thënë Komisioni i Venecias, ai kërkon të manipulojë opinionin publik, duke ushtruar presion mbi Gjykatën Kushtetuese. Rama është urdhërues i aferës së Llogarasë”, tha Bardhi./ZËRI 

7 MUAJ ME PARE

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, nga raportimi i KQZ-së e deri te Avokati i popullit (Rendi i Ditës)

Kuvendi/ Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë me
kuvend

TIRANË- Kuvendi do të mblidhet këtë të enjte për seancën e radhës plenare, në orën 10:00, ku parashikohet që në rend dite të diskutohen 20 çështje. 

Në rend dite pritet të diskutohen raportimi i veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2024. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi do të raportojë përpara ligjvënësve veprimtarinë e institucionit që drejton. 

Zgjedhja e Avokatit të Popullit po ashtu pritet të kalojë në rend dite, pasi ky proces nuk po merr ende formë pas zhvillimeve të fundit mes PS dhe PD-së. Ndonëse u arrit një konsensus mes palëve sa i përket emrave për kandidatura, një ditë më parë, Partia Demokratike ka tërhequr firmat e deputetëve të saj si dhe mbështetjen për kandidaturat.

RENDI I DITËS:

Projektligji "Për denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit tëMinistrave të Republikës së Shqipërisë dhe fondacionit Hanns-Seidel të Republikës Federale të Gjermanisë, ratifikuar me ligjin nr. 9781, datë 19.7.2007”.

Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Marrakeshit për lehtësimin e aksesit në veprat e botuara për personat e verbër, me vështirësi në shikim ose me aftësi të kufizuara në leximin e teksteve të shtypura, bërë në Marrakesh, më 27.6.2013".

Projektligji "Për pranimin e ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, për krimin e agresionit, ratifikuar me ligjin nr. 8984, datë 23.12.2002". Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për kontrollin shtetëror portual në Rajonin e Mesdheut, bërë në Maltë, më 11 korrik 1997".

Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin "Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I - Shqipëri".

Projektligj "Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin "Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII,faza I - Shqipëri"

Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin "Korridori hekurudhor VIII, faza I – seksioni Durrës - Rrogozhinë'"".

Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, sh.a., (KESH, sh.a.) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin fotovoltaik (FV) solar nga 2 KESH-i".

Projektligji “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje".

Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10304, datë 15.7.2010 "Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 95/2015, "Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik", të ndryshuar".

Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15, datë 5.03.2015 "Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian" i ndryshuar"

Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8454, datë 04.02.1999 "Për Avokatin e Popullit", të ndryshuar".

Projektvendimi "Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit".

Projektvendimi "Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil".

Projektvendimi "Për ngritjen e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat".

 

Poll

MOS HUMB