DURRËS- Një sasi prej rreth 16.8 tonësh karburant i dyshuar si i padeklaruar është zbuluar gjatë një kontrolli doganor në Portin e Durrësit. Pas konstatimit autoritetet kanë vendosur bllokimin e anijes, ndërsa rasti do t’i nënshtrohet verifikimeve të mëtejshme ligjore.
Sipas njoftimit të Doganës Shqiptare kontrolli është kryer në një anije të akostuar në njërën prej kalatave të portit, pas informacioneve operative për mospërputhje mes sasisë së karburantit të deklaruar dhe asaj që ndodhej në bord.
Gjatë kontrollit fizik punonjësit doganorë kanë konstatuar rreth 16.8 tonë karburant, për të cilin dyshohet se nuk ishte deklaruar dhe ishte nxjerrë në mënyrë të paligjshme nga anija.
Për këtë rast është mbajtur procesverbali përkatës i konstatimit fizik, ndërsa është vendosur bllokimi i anijes. Procedurat e verifikimit do të vijojnë për të sqaruar rrethanat e rastit dhe përgjegjësitë ligjore.
Njoftimi i Degës Doganore Durrës:
Në kuadër të kontrolleve doganore, shërbimet e Degës Doganore Durrës ushtruan kontroll fizik në një anije, që ndodhej e akostuar në një nga kalatat e portit, pas informacioneve operative për diferenca në sasinë e deklaruar të karburantit.
Gjatë kontrollit të punonjësve të doganës u evidentuan rreth 16,8 tonë karburant të dyshuara si të padeklaruara dhe të nxjerrë kontrabandë nga anija. Për rastin u hartua procesverbali i konstatimit fizik dhe u vendos bllokimi i anijes për të vijuar me ndjekjen e procedurave të mëtejshme verifikuese ligjore.
Dega Doganore Durrës njofton se do të vijojë kontrollet dhe veprimet operative për parandalimin e kontrabandës, mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe zbatimin e legjislacionit doganor./ZËRI