Aktualitet

Kërcënoi me pistoletë lodër kandidaten e “Nisma- Shqipëria Bëhet”, arrestohet 45-vjeçari në Durrës

Sipas autoriteteve, nga verifikimet e kryera rezulton se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik.

I.F
Kërcënoi me pistoletë lodër kandidaten e “Nisma-
Arma e sekuestruar

DURRËS- Policia e Durrësit ka arrestuar 45-vjeçarin, i cili kërcënoi kandidaten e koalicionit “Nisma- Shqipëria Bëhet”, Valbona Myhedin. Policia njofton se në pranga ka rënë A.L, 45 vjeç. Gjatë kontrollit fizik atij iu zbulua edhe pistoleta lodër me të cilën kërcënoi Myhedinin. Sipas autoriteteve, nga verifikimet e kryera rezulton se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik.

“Në lidhje me një deklaratë të bërë publike në rrjetet sociale nga shtetasi A. L., drejtues i subjektit politik “Shqipëria Bëhet”, se një person i armatosur në Durrës ka kërcënuar me armë kandidaten për deputete të këtij subjekti, znj. V. M., dhe aktivistët që e shoqëronin, teksa ajo zhvillonte takime me qytetarët në lagjen nr. 8, sqarojmë se:

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, sapo janë njohur me denoncimin publik të bërë nga z. A. L., menjëherë kanë nisur punën për verifikimin e rastit.

Shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve në terren, kanë bërë të mundur identifikimin e personit dhe kanë vijuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës është paraqitur për të bërë kallëzim kandidatja për deputete, znj. V. M.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe kontrolleve intensive në terren, rreth orës 21:15, shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Durrës të shtetasit A. B., 45 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një pistoletë plastike (lodër), të cilën 45 vjeçari e mbante në brez dhe dyshohet se ka ngritur xhupin duke ja treguar shtetases V.M për të kërcënuar.

Nga verifikimet e kryera rezulton se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet procedurale në ngarkim të tij.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës siguron qytetarët dhe subjektet politike se shërbimet e Policisë janë tërësisht të angazhuara për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor, të baraslarguara nga subjektet politike dhe vetëm në shërbim të ligjit”, njofton Policia.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, bashkëkryetari i koalicionit “Nisma- Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj njoftoi se kandidatja Valbona Myhedin u kërcënua me armë zjarri gjatë një takimi elektoral në Durrës./ZËRI

Poll

MOS HUMB