
ROMË- Vatikani ka dhënë një deklaratë zyrtare për shëndetin e Papa Françeskut, pas dy krizave në frymëmarrje që pësoi dje. Bëhet me dije se Papa ka fjetur gjatë natës dhe tani po pushon.
“Papa ka fjetur gjatë natës dhe tani vazhdon të pushojë. Ati i Shenjtë, pësoi dy episode të “insuficiencës akute të frymëmarrjes” dhe u desh përdorimi i mjeteve për frymëmarrje mekanike jo-invazive”, tha Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë në një deklaratë.
Sipas analizave mjekësore, nuk ka ndonjë infeksion të ri, por mjekët nuk kanë dhënë asnjë informacion nëse krizat në frymëmarrje kanë përfunduar. Bëhet me dije se Papa pësoi dje një bronkospazmë, e ngjashme me një atak astme, që i detyroi mjekët të kryejnë dy bronkoskopi.
Prej ditës kur u shtrua në spital, nuk është publikuar asnëj foto rreth Papës, gjithashtu edhe Arqipeshkvi Vincenzo Paglia ka kërkuar që ai të rikuperohet në paqe dhe jashtë syrit të publikut. Jashtë spitalit “Gemelli” në Romë, besimtarë të shumtë mblidhen ku luten për shëndetin e Atit të Shenjtë. Ata kanë lënë mesazhe të shkruara për të, ku nuk mungojnë as vizatime nga fëmijët. Dy vitet e fundit, Papa ka pasur disa probleme shëndetësore, ku është shtruar disa herë në spital. Për shkak se ka hequr një pjesë të mushkërive në rini, ai është i prirur ndaj infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes./ZËRI