Politikë

Kallas vlerëson ecurinë e integrimit: Shqipëria dhe Mali i Zi po afrohen drejt BE-së

Ajo përmendi gjithashtu Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën mes vendeve që po bëjnë hapa përpara drejt integrimit evropian.

M.K.
Kallas vlerëson ecurinë e integrimit: Shqipëria dhe Mali i Zi po
foto

BRUKSEL- Kaja Kallas shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian ka vlerësuar ecurinë e procesit të zgjerimit duke veçuar Shqipërinë dhe Malin e Zi si vende që po përparojnë në rrugën drejt anëtarësimit në union.

Në një intervistë për televizionin France 24 Kallas u shpreh optimiste për ecurinë e negociatave duke shpresuar që Mali i Zi të përmbyllë së shpejti procesin. Ajo përmendi gjithashtu Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën mes vendeve që po bëjnë hapa përpara drejt integrimit evropian.

“Ne po vijojmë që të bëjmë hapa para me procesin e zgjerimit. Shpresojmë që Mali i Zi ta kalojë vijën e finishit së shpejti. Kemi edhe shtete të tjera të rëndësishme që janë vërtet shumë pranë tij në këtë proces. Kemi Shqipërinë, Moldavinë, Ukrainën, si dhe shtete të tjera që aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Procesi i zgjerimit nga njëra anë është i vështirë, por është gjithashtu e rëndësishme që këto shtete të fitojnë qasje në tregun e përbashkët, si dhe në lëvizjen e lirë të njerëzve.”, tha Kallas.

Shefja e diplomacisë evropiane theksoi se zgjerimi duhet të mbetet një proces i bazuar në meritat individuale të secilit vend kandidat, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të sundimit të ligjit dhe parimeve themelore të BE-së.

“Ky proces duhet të vijojë që të jetë i bazuar në merita individuale. Zgjerimi duhet të jetë gjithashtu një proces ku ne verifikojmë nëse një shtet kandidat respekton vërtet sundimin e ligjit dhe të gjitha parimet thelbësore që janë të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Përndryshe, pasi këto shtete të jenë bërë pjesë e Bashkimit Evropian, zbatimi i reformave bëhet shumë më i vështirë sesa më parë.” u shpreh ajo.

Kallas e cilësoi zgjerimin edhe si një vendim me rëndësi gjeopolitike, veçanërisht në kushtet aktuale të sigurisë, duke theksuar se qytetarët evropianë duhet të kuptojnë edhe vlerat që vendet kandidate mund t'i sjellin familjes evropiane.

“Mendoj se është e rëndësishme që të zgjerohemi sepse është një vendim gjeopolitik. Ajo që mendoj unë është se, në situatën aktuale të sigurisë, duhet të flasim edhe me qytetarët tanë për vlerat që këto shtete do të na sjellin në familjen evropiane” tha Kallas./ZËRI

MOS HUMB