Politikë

20 mln euro tendera në Bashkinë e Durrësit, KLSH zbulon shkelje në 14 procedura të Emiriana Sakos

Në raportin e KLSH- së theksohet se në disa raste janë shpallur fituese kompani që nuk plotësonin kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit, ndërsa janë përjashtuar nga gara subjekte që nuk ndodheshin në kushtet ligjore për t'u skualifikuar

M.K.
20 mln euro tendera në Bashkinë e Durrësit, KLSH zbulon shkelje
Emirjana Sako

DURRËS- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar shkelje në 14 procedura tenderimi të zhvilluara nga Bashkia e Durrësit me një vlerë totale prej rreth 20 milionë eurosh. Sipas auditimit problematikat lidhen me mënyrën e përzgjedhjes së kompanive fituese si dhe me skualifikimin e padrejtë të operatorëve të tjerë ekonomikë, kohe ne të cilën bashkia e Durrësit drejtohet nga Emirjana Sako.

Në raportin e KLSH- së theksohet se në disa raste janë shpallur fituese kompani që nuk plotësonin kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit, ndërsa janë përjashtuar nga gara subjekte që nuk ndodheshin në kushtet ligjore për t'u skualifikuar.

Procedurat e audituara lidhen kryesisht me investime në infrastrukturë dhe projekte rindërtimi. Mes kompanive përfituese është 'Rajli Ndërtim', e cila ka fituar dy tendera me fond limit mbi 6 milionë euro, si dhe 'Pepa Group' në pronësi të Jetmir Pepës i akuzuar nga SPAK për trafik droge. Kjo e fundit ka përfituar tenderin për ndërtimin e një shkolle në Sukth me fond limit afro 3 milionë euro.

Për shkeljet e konstatuara, KLSH i ka rekomanduar Agjencisë së Prokurimit Publik të nisë një hetim administrativ, si dhe të identifikojë zyrtarët e Bashkisë së Durrësit përgjegjës për problematikat e evidentuara, me qëllim marrjen e masave përkatëse./ZËRI

MOS HUMB