Politikë

'Jemi ndarë në njerëz të atij apo të asaj", Veliaj: PS si ‘Squid Game’, kush do të ‘hahet’ i radhës?

Veliaj shprehet se sot bëhen aleanca me të fortët e qyteteve, ku vendosin për gjithçka vetëm një ose dy ndividë. 

Zeri
'Jemi ndarë në njerëz të atij apo të asaj",
Erion Veliaj

TIRANË-Në letrën e bërë publike, drejtuar socialistëve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, një paragraf ia ka kushtuar momentit kur ka hyrë në Partinë Socialiste dhe të tashmen e saj. Veliaj kujton kohën kur luftohej për drejtësi për ngjarjet e rënda si Gërdeci dhe 21 Janari, kurse sot sipas tij PS bashkëpunon me padrejtësinë. Veliaj shprehet se sot bëhen aleanca me të fortët e qyteteve, ku vendosin për gjithçka vetëm një ose dy ndividë. 

PJESË NGA LETRA:

Kur iu bashkova Partisë Socialiste 17 vjet më parë, ishim partia e shpresës. Sot jemi bërë parti e fshehjes, drojës dhe tutjes. Atëherë ngrinim zërin për çdo gjë. Sot heshtim për shumëçka. Kërkonim drejtësi për Gërdecin dhe 21 Janarin. Sot bashkëjetojmë me padrejtësinë. Në asamble e kongrese kishte entuziazëm dhe optimizëm. Sot pllakos heshtja dhe frika, si në “Squid Game”: kush do të “hahet” i radhës? Dikur sfida jonë ishte si t'i përfshinim të gjithë njerëzit që na afroheshin. Sot kemi hallin e atyre që na largohen. Bënim aleanca me mësuesit, mjekët dhe profesionistët. Sot bëjmë aleanca me të fortët e qyteteve.

Quo Vadis, PS?

Ishim parti e solidaritetit me njëri-tjetrin. Sot kemi thikat pas shpine. Investonim te faktet dhe e vërteta. Sot te thashethemet dhe intrigat. Harxhonim energji për të gjetur miq. Sot harxhojmë energji për të zbuluar armiq. Bënim garë kush hapte më shumë shkolla, jo kush hapte më shumë biruca. Ishim një skuadër. Sot vendosin një apo dy individë. Ishim të gjithë të Partisë Socialiste. Sot jemi ndarë në njerëz të atij apo të asaj. Rrinim mes njerëzve, në rrugë, kafene dhe markata. Sot i shmangim, sepse nuk përballemi dot me pakënaqësinë e tyre. Kishim Kryeqytetin Evropian të Rinisë, Sportit dhe Kulturës. Sot përballemi me pamjet e dhunës, gazit dhe zjarrit. Indinjoheshim nga padrejtësia. Sot mjaftohemi që padrejtësia të mos na bjerë neve. Dikur kishim më pak mandate, por mbështetje të madhe. Sot kemi më shumë mandate, por mbështetje më të vogël. Mbillnim pemë dhe ndërtonim së bashku. Sot presim degët e njëri-tjetrit dhe mbjellim ndasi. Thërrisnim për bashkim. Sot kërkojmë armiq të brendshëm. Kishim moton “Një për të gjithë, të gjithë për një”. Sot “Secili për vete, Zoti për të gjithë”.

Ku po shkojmë? 

MOS HUMB