Aktualitet

Festa e Pavarësisë! Politika, Kosova, NATO e SHBA uron shqiptarët

Mesazhe e urime janë përcjellë edhe nga Kosova e partnerët ndërkombëtarë.

F.I

Festa e Pavarësisë! Politika, Kosova, NATO e SHBA uron shqiptarët

TIRANË-Sot në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë festohet 28 nëntori, e cila njihet edhe si festa e flamurit apo Pavarësisë së Shqipërisë. Politika ka uruar 114-vjetorin e shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur. Mesazhe e urime janë përcjellë edhe nga Kosova e partnerët ndërkombëtarë.

Kryeministri Edi Rama  ka uruar qytetarët për festën kombëtare, duke e cilësuar këtë 28 Nëntor si më të afërtin me Europën e Bashkuar.

“Mirëmëngjes dhe me 28 Nëntorin më të afërt me Europën e Bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar”, shkruan Rama.

Ish-presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar dhe 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 

“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar dhe 114-vjetorin e Pavarësisë! Nga Vlora e Ismail Qemalit në Mitrovicën e Isa Boletinit, nga Kruja e Skënderbeut në Prekazin heroik të Adem Jasharit, të valojë përjetësisht krenar në trojet shqiptare Flamuri Kuqezi, i pastër si gjaku i derdhur për Liri. Nderim i përjetshëm për Ismail Bej Vlorën dhe të gjithë patriotët që me sakrificë e përkushtim përjetësuan 28 Nëntorin e vitit 1912. Një komb dhe një flamur! Gëzuar 28 Nëntorin të gjithë shqiptarëve! Nga Vlora e Ismail Qemalit në Mitrovicën e Isa Boletinit, nga Kruja e Skënderbeut në Prekazin heroik të Adem Jasharit, të valojë përjetësisht krenar në trojet shqiptare Flamuri Kuqezi, i pastër si gjaku i derdhur për Liri,"-shkruan Meta.

Edhe kryebashkiaku Erion Veliaj ka uruar shqiptarët në Ditën e Pavarësisë. Veliaj shprehet se do të dëshironte të ishte edhe këtë vit në Sheshin Skënderbej për të ngritur Flamurin Kuqezi dhe për të nderuar ata që dhanë jetën për Shqipërinë.

"Do të doja shumë që edhe këtë nëntor të isha në Sheshin Skënderbej, për të ngritur lart Flamurin Kuqezi dhe për të nderuar ata që dhanë jetën për Shqipërinë. Çdo nëntor na kujton se liria nuk na është falur. Ajo është fituar me gjak, është mbrojtur me sakrifica dhe duhet ruajtur me guxim e dinjitet. Amaneti i të parëve tanë nderohet duke mbrojtur lirinë dhe drejtësinë e duke ndërtuar një Shqipëri ku fëmijët tanë të jetojnë të lirë dhe krenarë që janë shqiptarë. Lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve të atdheut! Gëzuar Pavarësinë! Gëzuar Çlirimin!"-shkruan Veliaj.

Misioni i NATO-s ka uruar Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë, më 28 Nëntor. Në urim thuhet se Aleanca e NATO-s është themeli i mbrojtjes së përbashkët, ndërsa mirëpret angazhimin e Shqipërisë për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje, me qëllim forcimin e sigurisë kolektive.

"Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëri!  Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të përbashkët. Ne mirëpresim angazhimin e Shqipërisë për të rritur shpenzimet në mbrojtje, për të forcuar sigurinë kolektive. Së bashku, po përballemi me kërcënimet kibernetike, krimin ndërkombëtar dhe kartelet, për të mbajtur të sigurta të dyja vendet tona,"-thuhet në mesazhin nga NATO.

Nga Shtetet e Bashkuara, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, uroi shqiptarët për Ditën e Pavarësisë dhe vlerësoi partneritetin strategjik me Shqipërinë, duke veçuar bashkëpunimin në mbrojtje, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në sigurinë kibernetike.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet e mia më të ngrohta popullit të Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një marrëdhënie të fortë të ndërtuar mbi sigurinë kolektive, prosperitetin ekonomik dhe lidhjet midis njerëzve. Ne mirëpresim thellimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në çështje kyçe të mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, duke përfshirë edhe përpjekjet e përbashkëta për t'u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne gjithashtu i vlerësojmë përpjekjet tona të përbashkëta për t'iu përgjigjur kërcënimeve kibernetike, ndërsa Shqipëria rrit aftësitë e saj të sigurisë kibernetike. Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të thellojmë të gjitha aspektet e marrëdhënies sonë të dobishme reciprokisht.”, shkroi Rubio.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, uroi shqiptarët për 28 Nëntorin duke risjellë në vëmendje qindra telegramet që lidhën qytetet shqiptare në ditët para shpalljes së Pavarësisë. Kurti thekson se pas ngritjes së flamurit në Vlorë qëndronte një punë e madhe organizative, ku qindra telegrame lidhën qytetet shqiptare dhe koordinuan përpjekjet për shpalljen e shtetit të pavarur.

"Sa herë që vjen kjo ditë e shënuar e 28 Nëntorit, të gjithëve na shfaqet në mendje e njëjta pamje: një flamur që shpaloset nga ballkoni i asaj shtëpie në Vlorë ku qëndronte Ismail Qemali me atdhetarë të tjerë. Por sot dua të flas për një tjetër pamje: për një varg telegramesh që do të mund të quheshin flamurtha të pavarësisë. Nga të dhënat historike tani e dimë se pavarësia e Shqipërisë, para se të shfaqej si flamur, ishte një vargan prej qindra telegramesh, që, duke lëvizur nga njëri qytet i Shqipërisë në tjetrin, thurën shpalljen e pavarësisë, ashtu sikurse gishtat e Marigonës që thurën Flamurin Kombëtar duke lëvizur gjilpërën nga një vrimë e pëlhurës në tjetrën.

Vargu i këtyre telegrameve nis më 9 nëntor 1912, me tridhjetë e dy fjalë nga Vjena: «Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës âsht sigurue.» Dërgohej nga Ismail Qemal Vlora. Këtij telegrami, rastësisht apo jo, i mungon adresa, por ne sot e dimë se adresa ishin zemrat e të gjithë shqiptarëve, e të gjithë dëshmorëve të rënë, e të gjithë atdhetarëve të gjallë e të vdekur, që kishin punuar pareshtur për këtë ditë të bekuar.

Nëntë ditë më vonë, paria e Vlorës i përcjell një telegram të radhës me rreth shtatëdhjetë fjalë te kryetarët e bashkive të tridhjetë qyteteve, nga Janina te Shkodra, nga Kosturi te Peqini: «I thirrni të gjithë. Gjer sa të mbërrij un, mbani qetësiën e bashkimin.» Dhe këtu nisi puna e vërtetë, sepse nën atë telegram është ruajtur edhe shënimi i zyrës telegrafike të Elbasanit. E mori në orën 10:40 dhe e përcolli në orën 12:15 për Strugën, Ohrin, Korçën, Dibrën dhe Manastirin. Po atë ditë për Tiranën, Krujën, Kavajën, Durrësin dhe Shkodrën. Për Peqinin të nesërmen, në 9:20 të mëngjesit. Këto janë orët, janë minutat dhe janë sekondat kur po niste pulsimi i zemrës së një shteti që bashkohej me rrahjet e aparatit telegrafik. Kjo ishte e gjithë infrastruktura e pavarësisë sonë: një tel prej bakri dhe disa njerëz që nuk ndaleshin së përcjelli fjalë nëpër këto shtigje të holla telash,"-shkruan mes të tjerash Kurti.

MOS HUMB