
TIRANE- Në kohë kur opozita dhe qeveria kanë bërë interpretimet e tyre në lidhje me raportin e fundit që është publik në media, edhe pse jo zyrtarisht nga Sekretariati i Komisionit Evropian, një vend të rëndësishëm e zë edhe media.
ZËRI e pa dokumentin në fjalë, me 15 faqe, që mban datën 15 maj 2025, ku nxirren në pah disa shqetësime. I pari dhe më i rëndësishmi lidhet me miratimin e një reforme ligjore dhe rregullatore, ku Shqipërisë i kërkohet të forcojë pavarësinë e televizionit publik, por edhe të AMA.
“Sa i përket lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, Shqipëria pritet ende të miratojë një reformë të plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator, në veçanti forcimin e pavarësisë dhe efikasitetit të Autoritetit të Medias Audiovizuale (AMA) dhe pavarësinë e transmetuesit publik, të cilat mbeten çështje shqetësuese.”-thuhet në raport.
Por çfarë kërkon BE nga qeveria shqiptare në lidhje me median?
Dokumenti parashikon një sërë ndryshimesh ligjore që prekin disa pika delikate të tregut mediatik në Shqipëri, ku e para është përqëndrimi i tregut mediatik dhe të ardhurave. E dyta është transparenca e financimit dhe pronësisë, rregullat mbi ndarjen e reklamave dhe burimeve shtetërore si dhe dekriminalizimi i shpifjes, kërkesa këto që i janë adresuar edhe më herët qeverisë shqiptare.
Pjesë nga raporti i KE:
Ndryshimet ligjore duhet të miratohen gjithashtu për të:
adresuar shqetësimin e përqendrimit të lartë të tregut mediatik, për të forcuar pavarësinë editoriale, për të forcuar transparencën e financimit dhe pronësisë së medias, për të futur rregulla mbi ndarjen e reklamave shtetërore dhe burimeve të tjera shtetërore, për të dekriminalizuar shpifjen dhe për të përafruar aspektet civile të saj me standardet evropiane, për të shkurtuar afatet e aksesit në informacion për gazetarët, për të zbatuar një matje transparente dhe të paanshme të audiencës, në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane bazuar në një dialog gjithëpërfshirës me komunitetin e medias.
Në këtë proces, BE kërkon angazhim dhe pjesëmarrje të gjerë nga Komuniteti i medias, ndërsa thekson se ndryshimet ligjore që prekin median duhet ti dërgohen fillimisht Komisionit të Venecias.
“Në këtë drejtim,janë ndërmarrë disa hapa paraprakë përmes nisjes së një dialogu me komunitetin e medias në janar 2025. Ekzekutivi duhet të sigurojë pjesëmarrje dhe angazhim të fortë në proces. Ndryshimet legjislative pritet të ndahen me Komisionin e Venecias para miratimit.”-thuhet në raport.
Teksa ndalet edhe tek debatet e brendshme në RTSH, dhe një sërë skandalesh që përfshinë këtë institucion disa muaj më parë, BE thekson se ndërhyrja e parlamentit në këtë proces, ishte e rrezikshme.
“Shkarkimi nga Parlamenti i të gjithë anëtarëve tëKëshillit Drejtues të transmetuesit publik dhe përzgjedhja dhe emërimi pasues i anëtarëve të rinj rriti më tej shqetësimet në lidhje me pavarësinë e transmetuesit publik, duke përfshirë rrezikun e ndikimit politik në emërime. Përveç kësaj, respektimi i të drejtës për qasje në informacion, e cila ndikoi negativisht te gazetarët në një mënyrë disproporcionale, duhet të forcohet më tej.” thekson raporti.
Ndërkohë që paditë SLAPP, vazhduan të përdoren në vitin 2024, kundrejt gazetarëve. Këto padi, të njohura si mekanizma që korporatat dhe individët me para dhe pushtet i përdorin si mjet frikësimi për gazetarët në punën e tyre, duket se e kanë dhënë efektin e pritshëm. BE thotë se janë 43 raste të raportuara ndërsa në 45 raste të tjera, siguria e gazetarëve u cënua.
“Përdorimi i SLAPP-ve vazhdoi, me 43 raste të raportuara nga janari deri në tetor 2024 (krahasuar me 73 të raportuara për vitin 2023). Në vitin 2024, organizatat e lirisë së medias raportuan 45 raste të shkeljeve të sigurisë së gazetarëve. Prokurori i Përgjithshëm emëroi një pikë kontakti për raportimin dhe ndjekjen e rasteve të sulmeve kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias dhe lëshoi një qarkore për hetimin e çështjeve që lidhen me sigurinë e gazetarëve. Shqipëria ende duhet të zbatojë një monitorim dhe raportim sistematik të çështjeve gjyqësore që përfshijnë gazetarët, duke përfshirë rastet e frikësimit dhe kërcënimeve, veçanërisht në kontekstin e demonstratave, të cilat u bënë më të specifikuara. Qasja në ndihmë ligjore dhe mbështetja e kufizuar nga mediat në rastet e sulmeve është e kufizuar dhe duhet të rritet më tej.”-përmbyll Komisioni Evropian gjetjet dhe rekomandimet për Shqipërinë.
Raporti tregon qartë se për një vend që kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, liria e shprehjes është një provë reale e demokracisë. Dhe prova më e vështirë nuk jepet në sallat e kuvendit, por në redaksitë që punojnë në heshtje, në terren, përballë presionit, vetëcensurës dhe frikës./ZËRI