
TIRANË- Pas denoncimit publik, Bashkia e Poliçanit ka anuluar ankandin e hapur për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Tenderi ishte hapur që në dhjetor të vitit 2024, ndërsa kompania fituesi dorëzoi dokumentacionin për të marrë pjesë në garë, në janar të këtij viti. Por "Open Procurement Albania" ngriti flamurin e kuq për fituesin "DELVINA SOLAR SHPK", duke arsyetuar se në garë ishte një konkurent i vetëm.
Edhe pse paralajmërimi i dha, sërish kompania e fitoi tenderin duke marrë në dorëzim 184.4 ha tokë pyjore me qera në malin Tërpan.
Por le t’ja nisim nga fillimi! Cila ishte kompania që fitoi tenderin?
Ish-drejtori i Alpetrolit, Endri Puka ka në pronësi direkte dhe indirekte një mori firmash. Edhe pronësia e kompanisë “DELVINA SOLAR”, e cila është edhe fituesja e ankandit në Poliçan, ka lëvizur nga ‘koka’, Endri Puka, tek disa shtetas bullgarë dhe maqedonas. Por gjurma është lënë pas, pasi administratore e kompanisë ka qenë edhe Ela Puka, bashkëshortja e ish-drejtorit. Tashmë këtë “detyrë” e ka marrë Anchev Ivan Ventzeslavov.
Edhe pse kompania është krijuar në vitin 2022 dhe nuk ka pasur përvojë të mëparshme në fushën e energjisë së blertë, sërish ka dalë fituese. “Ndihmë” i ka dhënë edhe ofera, pasi “DELVINA SOLAR” vendosi në tavolinë një shumë me vlerë 21.992.960 lekë/vit, nga fondi limit prej 32.696.100 që kishte vendosur Bashkia. Dhe për çudi, në garë nuk mori pjesë askush tjetër.
Për të shkuar edhe më tej për këtë tender, ZËRI i ka kërkuar informacion Bashkisë së Poliçanit duke ngritur disa pyetje për të cilat sot ka marrë përgjigje. Kryesisht lidhur me procedurën e tenderit. Në një dokument të shkuar, Bashkia Poliçan lajmëron se e ka prishur kontratën me kompaninë për shkak se “Delvina” nuk ka qenë korrekte me institucionin e qeverisë vendore.
“Bashkia Poliçan ka zhvilluar procedurën e ankandit publik për dhënien me qira të përkohshme të pronës në fjalë për qëllimë të vendosjes së stacioneve dhe bazamenteve për panele fotovoltaike. Kriteret për përzgjedhjen e fituesit janë publikuar në buletinin e njoftimeve. Në këtë procedurë ka marrë pjesë vetëm një subjekt “Delvina Solar”, i cili u shpall fitues pas përmbushjes së kritereve të parashikuara në dokumentacionin e ankandit,”-shkruan ndër të tjera Bashkia e Poliçanit në përgjigjen zyrtare që mban firmën e kryebashkiakut Adriatik Zotkaj.
Por kaq të dhëna janë publike, vetë Bashkia nuk sqaron a ka patur shprehje interesi nga ndonjë kompani tjetër me herët se të hapet ankandi që u mbyll me një fitues.
Por bashkëpunimi nuk ka zgjatur shumë.
“Pas lidhjes së kontratës me subjektin “Delvina Solar” është konstatuar mosrespektimi i detyrimeve kontraktore, konkretisht moskryerja e qirasë sipas afateve të përcaktuara në kontratë. Në këto kushte, Bashkia Poliçan ka ndërmarrë procedurën ligjor të zgjidhjes së njëanëshme të kontratës për shkak të shkeljes së kushteve esenciale të saj.”
Kështu, kontrata është prishur!/ZËRI