
TIRANE- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar disa ditë më parë një prej bankave të nivelit të dytë në vend, se ka bllokuar për disa orë kalimin e pagave për punonjësit e PL. Meta tha se Banka në fjalë, të cilës ai i autorizoi një prej vartësit që të shkonte dhe të kalonte pagat, përmes një drejtoreshe kishte refuzuar ti jepte shërbim, pasi nuk e njihte Metën dhe donte një vendim gjykate që ai ishte kryetar dhe më pas të bëhej kalimi i pagave.
Ky precedent, i cili nëse është i vërtetë tregon për situatën kaotike në vend u pasua edhe nga një kërcënim. Meta tha se kjo Bankë, e cila është privatizuar gjatë kohës kur ai ka qenë kryeministër, nëse ai flet, do të falimentojë për 24 orë.
" E kam privatizuar kur kam qenë kryeministër ”-tha Meta dhe vijoi më tej deklaratën e tij ku shpjegoi episodin e shëmtuar me bankën në fjalë.
“Gjëja më e rëndë që ka ndodhur sot është se çuditërisht, prej disa kohësh, kishim problem me pagesat e pagave të atyre që punonin në PL dhe unë autorizova z.Ponari që të bëjë veprimet si një njohës i këtyre fushave. Edhe ai vete te banka paraqet autorizimin. Ata sillen korrekt. Shkon te banka tjetër dhe i përgjigjet zonja. Dhe mbi të del një superzonjë që e pyet kush është.
Ca je ti, i thotë, duhet të vijë presidenti, pasi të shkojë në gjykatë. Pasi të marrë vërtetim që është presidenti i Partisë të shkojë dhe te noteri. Petriti u tregua tolerant. Mirë bëri. Ai më tregoi se çfarë kishte ndodhur”, u shpreh kreu i PL. Më tej, Meta tha se nuk e përmend emrin e bankës, pasi do të falimentonte për 24 orë. “Unë nuk e tregoj emrin e bankës se mund ta falimentoj për 24 orë. Ta bëj më keq se Suden", tha kreu i PL.
"E mora në telefon drejtorin e bankës, si je?
-O zoti president, tha, kënaqësi e madhe. I thashë se cke një drejtoreshë që se di që jam, kërkon të vijë unë të firmos për të pagujt pagat e punonjësve të Partisë së Lirisë. Kjo nuk është normale. Ai më dërgoi mesazh pas 3 orësh, më tha më vjen keq për këtë që ka ndodhur. Ua them juve dhe të gjithëve, pa ekspozuar bankën, se s’dua të dëmtoj asnjë bankë. Nëse drejtori do mbante qëndrim tjetër, do u bëj thirrje të largojnë kursimet, se o është bankë që ka falimetuar përderisa si përgjigjet PL. Nëse kjo nuk njeh Ilir Metën president, si do njohë Dea Nakon si qytetare. Në emër të kujt i bëhet kjo bllokadë partisë së tretë parlamentare. Ja e bllokuan llogaritë e PL, do bllokojnë Ilir Metën? Do fshehin aferën e detit, të Lulzim Bashës dhe Ramës, po shkrimin e 28 prillit.
Por cila bankë u privatizua në kohën kur Meta ishte kryeministër? Nga verifikimet e ZËRI rezulton se e vetmja bankë e privatizuar në kohën kur kreu i PL ka qenë kryeministër, periudha 1999-2002, kohë kur edhe ndodhi privatizimi i Bankës Kombëtare Tregtare.
Është po e njëjta bankë e cila është në qendër të dhjetra investigimeve nga disa media në vend, si Prapaskena apo Pamfleti, të cilat e akuzojnë për pastrim parash dhe qarkullime transfertash të dyshimta./ZËRI