
TIRANE- Që prej 11 gushtit, Porta e Tunelit të Fortifikuar në Porto Palermo është hapur, ndërkohë që qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes njoftojnë se një projekt ambicioz do të kthejë gjirin e Panormës në një destinacion të ri të turizmit në vend.
Kryeministri Edi Rama shkroi dje në Facebook se ky projekt, do të ndërthurë natyrën dhe godinat e vjetra të ushtrisë bashkë me Kalanë e Ali Pash Tepelenës.
POSTIMI I EDI RAMËS:
Ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes, jep më tej detaje ku shton se qëllimi i këtij projekti, i cili ende nuk është bërë publik, është kombinimi i zhvillimit të qendrueshëm turistik (një terminologji kjo e përmendur në jo pak raste në projektet e zhvillimit të turizmit në jug), bashkë me rikthimin në jetë të aseteve që ndodhen në Porto Palermo.
POSTIMI I MM:
Tashmë pritet që në muajtë në vijim, qeveria të japë më tepër detaje për atë se çfarë pritet të ndodhë në Porto Palermo, një nga gjiret më të bukura të bregdetit jonian, i njohur edhe si Gjiri i Panormës.

Ky gji, ndodhet 8 km në jug të Himarës, ku në të ndodhet edhe kalaja trekëndore e Ali Pash Tepelenës, që sipas legjendave është ndërtuar nga Ali Pashai si dhuratë për Vasiliqinë e tij. Në Porto Palermo ndodhet edhe tuneli, i ndërtuar në vitin 1969 dhe i përfunduar në vitin 1988, që prej 3 dekadash ka qenë jo aktiv. Tuneli shërbente për strehim dhe kalim të sigurtë të mjeteve detare të marinës ushtarake përgjatë komunizmit.
Tuneli është 980 metra i gjatë, 11 metra i lartë dhe 8 deri në 11 metra i thellë, 12 metra i gjerë dhe që shoqërohet me disa ndërtime deri në 4 kate. Kjo vepër, sipas kalkulimeve të asaj kohe, ka kapur shifrën 418 milionë Dollarë ose e konvertuar me vlerën e sotme sipas një kalkulimi që bëhet në internet 1.8 miliardë Euro./ZËRI