
BRITANI E MADHE- 12 nga miliarderët më të pasur në botë gjenerojnë më shumë emetime të gazeve serrë nga jahtet, avionët privatë, pallatet dhe investimet e tyre financiare sesa emetimet vjetore të energjisë së 2 milionë familjeve. Këtë e ka zbuluar hulumtimi i Oxfam, i publikuar nga "The Guardian".
Manjatët në listë janë: bosi i Amazon, Jeff Bezos; oligarku rus Roman Abramovich; miliarderët e teknologjisë Bill Gates , Larry Page dhe Michael Dell; Elon Musk dhe manjati meksikan Carlos Slim. Blejet e tyre luksoze, të cilat përfshijnë superjahte, avionë privatë, makina, helikopterë dhe pallate, të kombinuara me ndikimin e investimeve dhe kompanive të tyre, ka zbuluar se ata janë përgjegjës për pothuajse 17 milionë tonë dioksid karboni në vit.
"Kjo është një sasi e barabartë me emetimet e 2.1 milionë familjeve ose 4.6 termocentraleve me qymyr në një vit,"-tha Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit.
Shkalla e vërtetë e emetimeve nga investimet e këtyre individëve në përgjithësi nuk llogaritet ose raportohet sistematikisht. Analistët e Oxfam-it që punojnë me dy akademikë amerikanë, Beatrice Barros dhe Richard Wilk , përdorën të dhëna të disponueshme publikisht për të llogaritur efektet e gazeve serrë.
"Miliarderët prodhojnë sasi të jashtëzakonshme të ndotjes me jahtet dhe avionët e tyre privatë - por kjo nuk bie në sy për shkak të investimeve të tyre,"-thotë këshilltari i politikës së pabarazisë në Oxfam International, Alex Maitland.
Superjahtet ndotin më shumë se avionët
Superjahtet në pronësi të emrave të tillë si Bezos, Abramovich, Larry Page dhe Eric Schmidt dhe Bernard Arnault, francezi në krye të një perandorie bizhuterish dhe modës, kanë gjurmë karboni që tejkalojnë ato të jahteve private. Sipas analizës, një superjaht i mbajtur në gatishmëri prodhon rreth 7000 ton CO2 në vit.
“Emetimet nga superjahtet tejkalojnë çdo gjë tjetër. Ata duhet të mbahen me njerëz dhe duhet të mirëmbahen vazhdimish. Përveç kësaj, kanë helikopterë në bord, jet ski, vaska dhe nëndetëse private dhe varka shërbimi, ajër të kondicionuar, elektronikë të sofistikuar, të gjitha këto kërkojnë energji. Është si të kesh një hotel që funksionon vazhdimisht në ujë,”- thekson Wilk.
Aktualisht, Bezos është zotuar të shpenzojë 10 miliardë dollarë përmes Fondit të Tokës. Bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin ka financuar një fondacion jofitimprurës të fokusuar në ndryshimin e klimës, e po ashtu edhe Musk ka argumentuar se puna e tij me Tesla dhe Solar City ka kontribuar ndjeshëm në ndryshim.
Bill Gates, siç tha zëdhënësi i tij për Guardian, ka ndërmarrë shumë hapa për të reduktuar ndikimin e tij personal në emetime, duke përdorur makina elektrike dhe panele diellore./Zëri.ai