SHBA- Përpara Samitit të OKB-së për Klimën në Nju Jork dhe përpara Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike në nëntor, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB, Ban Ki-moon ka tronditur me deklaratat e tij. Për të, fajtorë të situatës në të cilën ndodhemi janë të pasurit.
“Zgjedhja është e qartë, ose ne të sigurohemi që më të pasurit të bëjnë pjesën e tyre në kontributin drejt krizës klimatike, ose të gjithë përballemi me një të ardhme ku pasojat e mosveprimit do të jenë katastrofike. Le të jemi të qartë, 1% e të pasurve janë përgjegjës për po aq ndotje me karbon sa 2/3 e botës. Miliarderët, përmes investimeve të tyre, prodhojnë 1 milion herë më shumë emetime sesa një person,”- tha Ban Ki-moon.
Por siç raporton ai, kur bëhet fjalë për rregullimin e katastrofës klimatike, barra duket se bie mbi të gjithë, përveç atyre që kanë fuqinë dhe burimet për të bërë ndryshime domethënëse. Akoma më shqetësuese për të është se qeveritë vazhdojnë të përdorin paratë e taksapaguesve për të subvencionuar prodhimin e karburanteve fosile.
“Vetëm në vitin 2023, bota investoi mbi 1 trilion dollarë në infrastrukturën e karburanteve fosile. Kompanitë e naftës dhe gazit shpenzojnë vetëm rreth 2.5% të kapitalit të tyre në teknologjitë e energjisë së pastër," tha ai.
Për t'u përballur me situatën, ish Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së propozon tre masa kryesore.
Së pari, thotë ai, shtetet duhet të sigurojnë që të pasurit të paguajnë taksa më të larta. Sipas tij, në vendet me të ardhura të larta, vetëm një taksë "modeste" një e të pasuri mund të sjellë më shumë se 1.2 trilion dollar USD në vit. Së dyti, ai propozon që qeveritë të vendosin taksa të përhershme mbi fitimet e kompanive të karburanteve fosile dhe ndotësve të tjerë të mëdhenj. Së treti, rekomandon që qeveritë të mbështesin marrëveshjet ndërkombëtare në samitin e nëntorit (COP29) dhe forumet e tjera të OKB-së për të koordinuar taksimin e ndotësve./ZËRI