SPANJË- Plazhet janë destinacioni i të gjithë turisteve kudo në botë gjatë sezonit të verës. Por duket se ka diçka që shumë turistë nuk arrijnë ta kuptojnë: Plazhet po zhduken.
“Kur isha fëmijë vija këtu dhe luaja, lahesha... Plazhi ishte dy herë më i madh atëherë”, tha një mësues për Costa Brava në Katalonjë. Edhe pse nuk ka shifra zyrtare, të gjithë vendasit në Costa Brava në Katalonjë bien dakord se plazhi është zvogëluar gjithnjë e më shumë në dekada.
Dhe kjo nuk është diçka që ndodh vetëm në Spanjë. Fenomeni i “vdekjes së plazheve” vërehet edhe gjetkë. Sipas ekspertëve, kjo është për faktin se shumë ndërtesa janë ndërtuar deri në breg. Në një vijë bregdetare ku nuk ka ndërtesa, plazhi gradualisht "lëviz" në brendësi, por kjo është e pamundur kur ka ndërtesa pranë detit.
"Plazhet që mbeten të paprekura mund të përshtaten shumë lehtë me ndryshimet klimatike, pasi ato janë në gjendje të tërhiqen dhe të ngrihen kur niveli i detit rritet", shpjegon Francesca Ribas nga Universitat Politècnica de Catalunya në Barcelonë. Por kur plazhi nuk mund të lëvizi sepse ka tonelata çimento mbi të, atëherë ai thjesht zhduket.
Dunat e rërës së plazheve përfundojnë në shëtitoret rreth plazhit. Ky është një problem i madh sipas ekspertit, pasi kufizon aftësinë e plazheve për t'u përshtatur me ndryshimin e kushteve. Kjo rrit rrezikun e përmbytjeve.
E ardhmja ogurzezë
E njëjta gjë ndodh në plazhet e vendeve të tjera, si në SHBA, Turqi, Brazil apo Australi. Dhe problemi rëndohet natyrshëm nga ndryshimet klimatike. Sipas një studimi në revistën shkencore Nature Climate Change 50% e plazheve me në botë mund të jenë zhdukur deri në fund të shekullit.
Siç thekson Ribas, bazuar në imazhet satelitore, studimet ndërkombëtare kanë treguar se mes viteve 1984 dhe 2015, 25% e plazheve në mbarë botën janë prekur nga erozioni. Instituti Hartografik dhe Gjeologjik i Katalonjës (ICGC) ka dalë në rezultatin se midis 1956 dhe 2019, 65% e plazheve të Katalonjës (dmth 319 nga 489 plazhe) janë tkurrur.
Drama e plazheve të Katalonjës
“Një nga rastet më tipike është Mongat, plazhi i të cilit ka humbur 90% të rërës së tij”, thekson Greenpeace. Pas një stuhie të madhe në pranverë situata ishte aq e keqe sa që qyteti katalanas mendoi edhe anulimin e sezonit veror. "Ne nuk kishim më hapësirë as për karrigen e rojtarit të shpëtimit", tha së fundmi Tanya González, këshilltare për mjedisin për gazetën El Periódico.
Sot plazhi është një rrip dy metra i gjerë, edhe pse dhjetë vjet më parë ishte ende 50 metra i gjerë. “U detyruam të mbyllnim të gjitha lokalet e plazhit”, tha kryebashkiaku Andreu Absil.
Pasojat e 'vdekjes së plazheve'
“Erozioni bregdetar ka efekte alarmante. Ashtu si në pjesën tjetër të Spanjës, në Katalonjë turizmi është një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave dhe industria e turizmit varet kryesisht nga plazhet. Në të njëjtën kohë, një “ekosistem i çmuar” është në rrezik”, nënvizon Ribas, duke shtuar se plazhet janë gjithashtu mbrojtësit më të mirë nga stuhitë. Nëse plazhi i një qyteti thjesht pushon së ekzistuari, atëherë stuhitë do të kenë pasoja shumë më shkatërruese.
Shumë spanjollë po mobilizojnë dhe organizojnë aksione informacioni dhe proteste për të sensibilizuar bashkëqytetarët e tyre. Në gusht, organizata SOS Costa Brava bëri një shfaqje në një teatër të hapur pranë Playa d'Aro mbi ndikimin ekologjik të ndërtesave të pakontrolluara. Në shumë rajone të Spanjës kuadri rregullator përkatës po forcohet edhe pse ndonjëherë ndërtimi vazhdon pa u ndalur, madje edhe në mënyrë të paligjshme.
Paul Bosch, nënkryetar i SOS Costa Brava, tha në një intervistë për Agjencinë Gjermane të Lajmeve se lufta e vazhdueshme tashmë ka dhënë frytet e saj. “Falë përpjekjeve tona u miratua një plan urbanistik për Katalonjën, i cili mbron zona të ndryshme natyrore që do të shkatërroheshin. Në të njëjtën kohë, megjithatë, është planifikuar ndërtimi i gjithsej 40,000 apartamenteve të reja dhe objekteve hoteliere në 22 bashkitë e Costa Brava, që do të ketë pasoja shumë negative për vijën bregdetare dhe detin", tha ai.
Ministria e mjedisit e qeverisë së majtë në Madrid, e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e bregdetit, është përgjegjëse për zbatimin e dhjetëra projekteve me një investim total prej 250 milionë eurosh. Megjithatë, nga frika e humbjes së një pjese të të ardhurave publike, autoritetet rajonale shpesh ose e pengojnë ose e vonojnë zbatimin e projekteve.
Çfarë zgjidhjesh ka? Deri tani autoritetet janë përpjekur të sjellin rërë nga Sahara dhe ta hedhin në disa brigje. Megjithatë, kjo zgjidhje duket edhe e kushtueshme dhe e paqëndrueshme. Nga ana tjetër, ndërtimi i strukturave mbrojtëse ndihmon vetëm në afat të shkurtër.
A është koha për disa masa?
“Duhet t’i kthejmë detit atë që i kemi marrë. Erdhi koha për “Renaturierung", d.m.th. "restaurim natyror", një term që i referohet kthimit të gjërave në gjendjen e tyre natyrore. Duhet të rindërtojmë dunat që ishin fillimisht aty dhe nëse është e nevojshme, të prishim trotuaret e plazhit dhe t'i vendosim më larg nga plazhi. Sado të papëlqyeshme të jenë këto masa, duhet të veprojmë menjëherë”, tha Ribas.
Kjo tashmë po testohet nga dy komuna katalanase, Vilaseca dhe Calafell. /ZËRI