Ekonomi

Shqipëria me konsumin më të ulët të energjisë në banesa në Europë

Sipas treguesit të Eurostat për konsumin përfundimtar të energjisë në familje për frymë, Shqipëria regjistroi 220 kilogramë ekuivalent nafte për banor në vitin 2022, viti i fundit për të cilin ka të dhëna të disponueshme për vendin.

Redaksia Zëri
Shqipëria me konsumin më të ulët të energjisë
Foto ilustruese

TIRANË- Një banor në Shqipëri konsumon në shtëpi shumë më pak energji se një qytetar mesatar i Bashkimit Europian.

Sipas treguesit të Eurostat për konsumin përfundimtar të energjisë në familje për frymë, Shqipëria regjistroi 220 kilogramë ekuivalent nafte për banor në vitin 2022, viti i fundit për të cilin ka të dhëna të disponueshme për vendin.

Ky është një ndër nivelet më të ulëta, madje më i ulët edhe se vlerat e raportuara së fundmi nga vendet jugore të BE-së.

Niveli i ulët lidhet me klimën më të butë, por edhe me të ardhurat, mundësinë për të përballuar ngrohjen dhe cilësinë energjetike të banesave.

Për krahasim, konsumi mesatar në Bashkimin Europian ishte 507 kilogramë ekuivalent nafte për banor në vitin 2024, rreth 2.7 herë më i lartë se shifra e fundit e Shqipërisë. Treguesi përfshin energjinë e përdorur në banesë për ngrohje, ftohje, gatim, ujë të ngrohtë, ndriçim dhe pajisje elektroshtëpiake, por përjashton transportin.

Megjithatë, niveli i ulët nuk duhet lexuar automatikisht si tregues i eficiencës së lartë energjetike. Eurostat shpjegon se konsumi ndikohet nga klima, madhësia dhe përbërja e familjes, të ardhurat, mënyra e përdorimit të pajisjeve, cilësia e ndërtesave dhe niveli i komfortit termik që familjet dëshirojnë ose kanë mundësi të përballojnë.

Në rastin e Shqipërisë, klima relativisht e butë ul nevojën për ngrohje krahasuar me vendet veriore.

Por konsumi i ulët mund të pasqyrojë gjithashtu faktin që një pjesë e familjeve kufizojnë ngrohjen ose ftohjen për shkak të kostove, ndërsa stoku i ndërtesave ka probleme me izolimin dhe eficiencën.

Shqipëria shumë poshtë rajonit

Diferenca është e madhe edhe me vendet e rajonit. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, konsumi përfundimtar i energjisë në familje ishte 519 kilogramë ekuivalent nafte për frymë në vitin 2023, rreth 2.7 herë më i lartë se niveli i fundit i raportuar për Shqipërinë.

Në Kroaci, konsumi arriti në 572 kilogramë për frymë në vitin 2024, ndërsa në Bullgari ishte 305 kilogramë. Diferencat lidhen jo vetëm me temperaturat më të ulëta të dimrit, por edhe me tipologjinë e banesave, sistemet e ngrohjes, përdorimin e drurit, gazit apo ngrohjes së centralizuar dhe nivelin e konsumit të familjeve.

Edhe në vendet më të ngrohta të Europës, konsumi në banesa është përgjithësisht më i lartë se në Shqipëri.

Në vitin 2024, Qipro regjistroi 244 kilogramë ekuivalent nafte për banor dhe Portugalia 275 kilogramë. Malta kishte nivelin më të ulët ndër vendet e BE-së, me 214 kilogramë për frymë, por përsëri mbi vlerën e fundit të Shqipërisë.

Familjet europiane po konsumojnë më pak energji

Sipas Eurostat, në të gjithë Bashkimin Europian, konsumi i energjisë në familje ka ardhur në rënie. Në vitin 2024, ai ishte 9% më i ulët se në vitin 2019, duke zbritur në 507 kilogramë ekuivalent nafte për banor.

Në një periudhë më të gjatë, nga viti 2009 deri në vitin 2024, konsumi i përgjithshëm i energjisë nga familjet e BE-së u ul me 13.1%, edhe pse popullsia u rrit me rreth 9 milionë banorë. Eurostat e lidh këtë ecuri kryesisht me përmirësimin e eficiencës së ndërtesave, pajisjeve dhe sistemeve të ngrohjes.

Më shumë se 60% e energjisë që përdorin familjet europiane shkon për ngrohjen e ambienteve. Për këtë arsye, konsumi ndryshon ndjeshëm nga një vit në tjetrin, në varësi të temperaturave të dimrit, ndërsa dallimi mes veriut dhe jugut të kontinentit mbetet i madh.

Vendet veriore dhe qendrore shënojnë nivele shumë më të larta. Austria konsumoi 750 kilogramë ekuivalent nafte për frymë në vitin 2024, Danimarka 692, Estonia 684 dhe Gjermania 628 kilogramë.

Në Belgjikë konsumi ishte 599 kilogramë, ndërsa në Çeki 571. Nga ana tjetër, disa vende kanë ulur ndjeshëm përdorimin e energjisë në familje. Holanda e zbriti konsumin në 427 kilogramë për frymë në vitin 2024, niveli më i ulët i serisë së saj që nga viti 2000.

Sipas Eurostat, Holanda dhe Irlanda shënuan përmirësimet më të mëdha gjatë pesë viteve të fundit.

Konsumi i ulët mund të jetë rezultat i banesave më eficientе, klimës së butë dhe sjelljes kursimtare. Por në vendet me të ardhura të ulëta, ai mund të tregojë edhe mungesë të komfortit të mjaftueshëm në shtëpi.

Familjet mund të ngrohin vetëm një dhomë, të përdorin më pak kondicionerin ose të kufizojnë përdorimin e pajisjeve për të mbajtur nën kontroll faturat.

Për këtë arsye, treguesi, sipas Eurostat, duhet parë së bashku me të dhënat për varfërinë energjetike, të ardhurat, cilësinë e banesave dhe mundësinë për ta mbajtur shtëpinë mjaftueshëm të ngrohtë.

Eurostat thekson se energjia e përballueshme është pjesë e Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 7 dhe një shërbim bazë që duhet të jetë i aksesueshëm për të gjithë. Pas rritjes së fortë të çmimeve të energjisë, kushtet për ngrohjen e banesave në BE u përmirësuan gjatë vitit 2024, por mbetën më të dobëta se përpara krizës energjetike./Monitor

Poll

MOS HUMB