
TIRANË- Pas skandalit me kreditë e vogla, që u konstatuan si skema mashtrimi dhe nga ana e Prokurorisë, Banka e Shqipërisë, premton se do të ndërmarrë ndryshime ligjore me qëllim përmirësimin e këtij tregu. Në një prononcim të guvernatorit Gent Sejko, thuhet se Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, po punojnë për një rregullore të re për institucionet mirkofinanciare. Sipas Sejkos, do të ketë një kontroll më të rreptë për moshën e huamarrësve si dhe mbi mundësinë financiare që ata kanë për shlyerjen e kësteve.
Gjatë fjalës së tij, pa gazetarë, Sejko nuk dha shpjegime se pse këto masa nuk ishin rishikuar më herët, ndërkohë që mijëra qytetarë ishin detyruar që të humbisnin pronat e tyre, për shkak të paaftësisë për shlyerjen e kësteve të kredive të vogla.
Sejko nuk dha detaje gjithashtu se cili do të jetë kufiri i moshës së lejuar për marrjen e kredive me interes të lartë, dhe as nëse punësimi do të jetë një kusht i detyrueshëm për aplikuesit pranë institucioneve financiare.
“Banka e Shqipërisë ka hartuar një paketë mendryshime ligjore për tregun e institucioneve financiare jo banka, jemi duke punuar me Kuvendin, si dhe jemi duke punuar me Bankën Botërore për një rregullore të re. Do të adresohet në analizën më të fortë kundrejt huamarrësve, gjithashtu do të ketë një filtrim më të mirë të klientëve, duke parandaluar një moshë të caktuar.
Gjithashtu po punojmë duke marrë në analizë normat e interesit, që aplikohen nga institucionet e mikrofinancës, për të pasur një ulje të normës së interesit. Një rregullore tjetër që është rishikuar, është ajo e rriskut operacional. Kjo rregullore konsiston në rritjen e kontrolleve, në raportimin që do të kenë në Bankën e Shqipërisë.
Ne gjykojmë se me këto masa, do të ketë përmirësime të ndjeshme të kuadrit rregullativ, gjykojmë se deri në Janarin e ardhshëm do të kemi rezultate konkrete dhe përmirësim të këtij tregu”, u shpreh Sejko.
Guvernatori ka qenë një prej personave që është denoncuar në SPAK, për skandalin me kreditë, pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka lëshuar urdhërarreste dhe po heton drejtuesin e disa prej institucioneve që japin kredi të vogla. Deri tani SPAK nuk e ka thirrur guvernatorin e Bankës së Shqipërisë për ta marrë në pyetje, ndërsa GJKKO rrëzoi kërkesën e prokurorëve për pushimin e hetimeve për Sejkon, duke kërkuar thellimin e hetimeve. /ZËRI