Ekonomi

Leku forcon peshën në banka, "kalon" euron! BSH: Rriten depozitat, dominon monedha vendase

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, depozitat e përfshira në paranë e gjerë kanë arritur në 1.57 trilionë lekë në gusht.

Redaksia Zëri
Leku forcon peshën në banka, "kalon" euron! BSH: Rriten
foto ilustruese

TIRANË- Leku po fiton terren ndaj euros në kursimet e shqiptarëve të mbajtura në banka. Gjatë gjashtë muajve të fundit, paratë e depozituara në monedhën vendase janë rritur ndjeshëm. Rritja është evidentuar si në depozitat e transferueshme, ashtu edhe në ato me afat dhe pa afat.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, depozitat e përfshira në paranë e gjerë kanë arritur në 1.57 trilionë lekë në gusht. Pra, me një rritje prej 1% në krahasim me korrikun dhe 9.7% në krahasim me gushtin e vitit të kaluar.

Për herë të parë, që nga korriku, qytetarët dhe bizneset po mbajnë më shumë lekë në banka sesa euro apo monedha të tjera të huaja. Ndërkohë që më parë kanë dominuar kursimet në valutë mbi ato me lekë. Sipas të dhënave, rezulton se 50.02% e depozitave janë në monedhën vendase dhe 49.98% në valutë, me një diferencë prej 0.088%.

Faktorët që ndikuan në rritjen e depozitave në lekë:

-kursi i këmbimit;

-normat e interesit;

-ndryshimi i vlerës së të ardhurave;

Nëse dikush i ka të ardhurat dhe shpenzimet në lekë dhe vendos që t’i ruajë në një depozitë në monedhën shqiptare, nuk preket nga zhvlerësimi i euros. Por, nga ana tjetër, dikush që ka të ardhura në euro dhe shpenzime në lekë, humbet gjatë procesit të konvertimit të monedhës. 

Depozitat e transferueshme, ku përfshihen llogaritë rrjedhëse të qytetarëve dhe bizneseve, janë rritur me 1% krahasuar me muajin korrik. Bëhet fjalë për llogaritë ku kalojnë pagat apo të ardhura të tjera dhe që përdoren për tërheqje në bankomate apo për kryerjen e pagesave të menjëhershme./ZËRI

Poll

MOS HUMB