
TIRANË- Fluksi i lartë i turistëve që po vizitojnë vendin ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të konsumit të mallrave që paguajnë akcizë, si karburantet, birra, cigaret dhe kafeja për 6 muajt e parë të vitit, duke amortizuar disi frenimin e blerjeve nga tregu i brendshëm si rrjedhojë e emigracionit.
Sipas të dhënave që janë bërë publike nga Drejtoria e Doganave, për periudhën janar-maj, janë konsumuar gjithsej 357 mijë ton karburante, me një rritje prej 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. ky është niveli më i lartë i konsumit i raportuar ndonjëherë nga Doganat. Fluksi i lartë i turistëve ka nxitur biznesin e makinave me qira, por edhe vendasit në fundjava udhëtojnë shpesh jashtë qyteteve, teksa sidomos të shtunave e të dielave trafiku është i rënduar në rrugët kryesore të vendit.
Në rritje të fortë ishte dhe birra, konsumi i të cilës arriti në rekordin e 44 mijë ton për janar-maj me një zgjerim prej 44 mijë ton, me rritje prej 12% me bazë vjetore, duke shënuar sërish një nivel rekord, të paktën që nga 2018-a, kur doganat raportojnë të ardhurat. Gjithsesi, pjesa më e madhe e kërkesës po plotësohet nga birra e importit, teksa prodhuesit vendas po vuajnë nga rritja e kostove, që i ka bërë ata jo konkurrues në çmime. Në vitin 2024, importet zunë rreth 62% të totalit të tregut të birrës në vend.
Konsumi i kafesë ka ardhur në rritje, ndonëse ende nuk e ka kaluar nivelin e rekordit të 2018-s. Sipas të dhënave nga Doganat, në vend u konsumuan gati 3.8 mijë ton kafe, me rritje prej rreth 3% me bazë vjetore. Sipas operatorëve të tregut fluksi i lartë i turistëve ka ndikuar në rritjen e konsumit në bare e restorante, ndërsa ndihet stepje e frekuentimit nga vendasit, i lidhur si me emigracionin, ashtu dhe rritjen e çmimeve.
Rritja më e ngadaltë ka qenë për cigaret. Konsumi i tyre për 6 mujorin ishte 1536 ton, me një zgjerim prej 6.7% me bazë vjetore, duke arritur gjithsesi sërish një nivel rekord, që nga 2018-a. Në periudhën janar-maj në vend hynë 3.4 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 4% me bazë vjetore.
Konsumi final i popullatës u rrit me vetëm 2.45% në tremujorin e parë të vitit 2025. Megjithëse ky është niveli më i ulët që nga i njëjti tremujor i vitit 2021, sërish nevoja për artikuj është më e madhe se e një viti më parë.
Ndërsa emigrimi ka një efekt konstant, turizmi ndikon më shumë në mënyrë sezonale. Zakonisht konsumi ka përmirësim dhe shënon kulmet e rritjes në tre-mujorët e dytë. Të dhënat e zyrtare nga PBB tregojnë e konsumi final i popullatës në Shqipëri është i ndjeshëm ndaj zhvillimeve të jashtëm të tilla si ardhja e turistëve dhe inflacioni i importuar dhe tendencave të brendshëm demografike./ Monitor