Aktualitet

Dy dosje ‘të nxehta’ në Prokurori, Sejko i përgjigjet sërish Begajt për skandalin me kreditë e këqija

Sejko thotë se Banka e Shqipërisë është e gatshme të mbështesë në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet.

F.m
Dy dosje ‘të nxehta’ në Prokurori, Sejko i përgjigjet
Guvernatori i Bankës së Shqipëri Gent Sejko

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipëri Gent Sejko doli sot në një deklaratë për shtyp, ku foli për situatën ekonomike në vend, por preku dhe temën e ‘nxehtë’ për të cilën e presin dy dosje në insitucionet e drejtësisë, atë të kredive të këqija që deri më tani ka marrë dy jetë, pasi qytetari Pal Trashaj dhe kreditori Olsi Ibro u vetëflijuan.

Në mbyllje të fjalës së tij, Sejko ripërsëriti deklaratën e bërë edhe më herët, kur iu përgjigj Presidentit Bajram Begaj, i cili kërkoi me urgjencë hartimin e reformave ligjore që në seancat e para plenare të Kuvendit të Shqipërisë, që do të rregullonte apo riformatonte skandalin që ka rënduar xhepat e qytetarëve prej vitesh.

Sejko thotë se Banka e Shqipërisë është e gatshme të mbështesë në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet.

Pjesë nga fjala e Sejkos:

Në mbyllje, duke marrë shkas nga diskutimet e fundit mbi situatën e krijuar në një segment të veçantë të sistemit financiar, atë të trajtimit të kredive me probleme, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë sa më poshtë. Banka e Shqipërisë është një institucion kushtetues, i mandatuar nga ligji me një mision thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit: atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të mbështetjes së stabilitetit financiar. I gjithë aktiviteti politikëbërës, rregullator dhe mbikëqyrës i institucionit, ka qenë dhe mbetet i orientuar ekskluzivisht drejt përmbushjes së këtij misioni. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka ushtruar me përgjegjësi e profesionalizëm detyrën e tij, si organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Ai ka marrë gjithnjë vendime në interes të së mirës publike të vendit dhe të shoqërisë, ka monitoruar me vëmendje dhe në përputhje me mandatin ligjor zbatimin e detyrave të ngarkuara, si dhe është njohur rregullisht me raportimet e njësive organizative të Bankës, përfshi edhe ato të mbikëqyrjes bankare. Në tërësi, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se aktiviteti i Bankës së Shqipërisë ka qenë në përputhje me bazën ligjore e rregullatore dhe i ka shërbyer përmbushjes së misionit të saj në linjë me nevojat e zhvillimit ekonomik të vendit. Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës mbeten të gatshëm të mbështesin në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet.

Pak ditë më parë Sejko dhe Begaj u përplasën në distancë. Përmes një letre publike, Begaj kërkoi marrjen e masave për mashtrimet me institucionet që mbledhin borxhet e kreditë e këqija. Ndërsa, në përgjigjen e tij, Sejko u ankua se Presidenti Bajram Begaj ‘i ka prishur reputacionin’ përmes letrës së publikuar, pasi sipas tij, Banka e Shqipërisë, në asnjë rast, as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri. Sipas tij, Banka e Shqipërisë në shtator të vitit 2015, miratoi “Planin kombëtar për reduktimin e kredive me probleme”, me nënshkrim edhe të vetë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që përcaktonte një sërë detyrash për institucionet qeveritare dhe për Bankën e Shqipërisë. Por, në reagim përmendet dhe fakti që ky ishte një format i propozuar dhe mbështetur fuqimisht nga institucionet partnere ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Me ardhjen e vjeshtës, Sejkon e presin dy procese gjyqësore. Burime për ZËRI-n kanë bërë me dije se Dhoma Kombëtare të Përmbaruesëve Gjyqësore Privatë ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës ndaj Guvernatorit, për shpërdorim detyre të lidhur me institucionet mikrofinanciare. Seanca paraprake ishte parashikuar të mbahej më 28 maj të këtij viti, por as Sejko dhe asnjë përfaqësues tjetër i Bankës së Shqipërisë nuk ka qenë i pranishëm në seancë, ndërsa nga pala paditëse në sallë ka qenë vetë Tedi Malaveci.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, ka vendosur deklarimin e pavlefshmërisë së kërkesës për pushimin e procedimit penal dhe kabërë kthimin e akteve pranë SPAK. GJKKO i ka lënë SPAK 3 muaj kohë që të hetojë Sejkon dhe ka vendosur që seanca gjyqësore paraprake të mbahet më datë 16.10.2024, në orën 10:00.

Por, kjo është vetëm njëra nga dosjet për të cilat Sejko duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për çështjen e mikrokredive. Pas denoncimeve të njëpasnjëshme, prokurori i Tiranës, Leonard Filopati, pas disa muajsh hetime konstatoi se çështja e mashtrimit dhe tjetërsimit të pronave përmes kredive, përmban elementët e një grupi të strukturuar kriminal, ku të përfshirë janë jo vetëm drejtues të shoqërisë “Micro Credit Albania”, “Final” dhe fondi “Besa”, por dhe një zinxhir përmbaruesish privatë.

Siç është raportuar edhe nga ZËRI, Prokuroria e Tiranës ka dalë në përfundimin se abuzimi është shtrirë deri tek zyrtarët e Bankës së Shqipërisë, përfshirë dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Ndërkohë që ZËRI vazhdon me denoncimet e qytetarëve që kanë rënë pre e mashtrimeve të këtyre institucioneve të licensuara nga BSH. Për të marrë edhe versionin e Bankës së Shqipërisë lidhur me "shumimin" e këtyre institucioneve, prej kohësh ZËRI ka kërkuar një komunikim zyrtar me BSH, por deri më tani ka marrë si përgjigje referencat që Sejko ka bërë në Kuvend dhe në media të tjera lidhur me rastin që është denoncuar nga vetë ZËRI

Poll

MOS HUMB