Ekonomi

BSH mban normën bazë në 2.5%, por sinjalizon rritje në të ardhmen

Në fjalën e tij pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori, Gent Sejko, tha se inflacioni ka gjasa të rritet më tej gjatë dy tremujorëve në vijim.

Redaksia Zëri
BSH mban normën bazë në 2.5%, por sinjalizon rritje në
banka e shqiperise

TIRANË- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%. Në fjalën e tij pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori, Gent Sejko, tha se inflacioni ka gjasa të rritet më tej gjatë dy tremujorëve në vijim. Megjithatë, kjo rritje pritet të jetë e moderuar dhe e përkohshme. Më pas, duke filluar nga mesi i vitit të ardhshëm, inflacioni pritet të vijë në rënie graduale drejt objektivit.

“Rritja e inflacionit në muajt korrik – gusht ishte disi më e shpejtë se pritjet tona. Nga këndvështrimi i strukturës së shportës, rritja e inflacionit u ndikua nga rritja e çmimeve të karburantit dhe të ushqimeve të papërpunuara. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të shërbimeve dhe ai i qirave shënoi rënie. Në aspektin makroekonomik, ecuria e inflacionit pasqyroi rritjen e presioneve të huaja.

Në veçanti, rritja e shpejtë e çmimeve të produkteve bazë në tregje dhe rritja e inflacionit në partnerët tanë tregtarë nuk arritën të kompensoheshin plotësisht nga efekti frenues i forcimit të kursit të këmbimit, duke rezultuar në rritje të inflacionit të importuar. Nga ana tjetër, inflacioni bazë dhe ai brendshëm erdhën në rënie, ecuri kjo e diktuar kryesisht nga rënia e inflacionit të qirave, në pasqyrim të një balancimi më të mirë të kërkesës dhe ofertës në segmentin e qirave afatgjata. Megjithatë, presionet e brendshme dhe afatmesme mbi inflacionin vijojnë të jenë të ndikuara nga mungesat e tregut të punës dhe nga rritja e shpejtë e pagave,” tha Sejko.

Sipas tij, optimizmi se inflacionit do të jetë kalimtar faktorizon pritjet për një goditje të përmbajtur dhe afatshkurtër të ofertës në tregjet e huaja dhe një ecuri të balancuar të kërkesës dhe ofertës agregate në vend.

“Megjithatë, tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Ndikimi i këtij konflikti në tregjet ndërkombëtare e mban balancën e rreziqeve të zhvendosur në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike në afatin e mesëm. Po ashtu, ecuria e tregut të punës dhe e pagave në vend, sugjeron se ky treg vijon të karakterizohet nga mungesa të ofertës, të cilat përbëjnë rreziqe potenciale të kahut të sipërm mbi inflacion,” theksoi Sejko.

Në deklaratën e sotme, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për momentin.

“Ky qëndrim mundëson përmbushjen e parashikimeve të skenarit bazë, duke i ofruar ekonomisë shqiptare kushte të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv. Gjithashtu, ai adreson pasigurinë mbi ecurinë e ekonomisë dhe të inflacionit në të ardhmen, si dhe efektin frenues në inflacion të kahut konsolidues të politikës fiskale dhe të forcimit të kursit të këmbimit,” tha Sejko në fjalën e tij.

Gjithsesi, Këshilli Mbikëqyrës thekson se rritja e presioneve mbi inflacionin dhe prania e rreziqeve të kahut të sipërm mbi parashikimet, forcojnë premisat e një reagimi në kahun shtrëngues të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen, duke i kushtëzuar lëvizjet e ardhshme të politikës monetare nga informacioni i ri mbi inflacionin, nga balanca e përgjithshme e presioneve inflacioniste, si dhe duke konsideruar kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.

Banka e Shqipërisë ndërkohë vlerëson se ritmi i rritjes ekonomike pritet të jetë disi më i lartë se parashikimet paraardhëse, por ai pritet të krijojë gjithsesi premisa për një balancim më të mirë të kërkesës me ofertën agregate. Sipas Guvernatorit, rritja ekonomike do të vijojë të ushqehet nga bilancet likuide të sektorit privat, ambienti i favorshëm financiar dhe pritjet për të ardhmen, si dhe të pasqyrohet në rritje të punësimit e të pagave në vend./Monitor

Poll

MOS HUMB