TIRANË- Censi i bujqësisë pritet të nisë në tetor 2026 dhe synon të evidentojë në detaje gjendjen reale të sektorit bujqësor në vend, duke regjistruar çdo sipërfaqe toke të mbjellë dhe numrin e kafshëve në ferma e stalla.
Sipas planifikimit, rezultatet e procesit do të bëhen publike në vjeshtën e vitit pasardhës, duke ofruar të dhëna të përditësuara për një sektor që konsiderohet ndër më të rëndësishmit e ekonomisë.
Këtë të hënë, Komisioni i Ekonomisë dha dritën jeshile projektligjit për ‘Censin e Bujqësisë’, që do të kushtoj afro 11 milionë euro.
Sipas të dhënave të prezantuara, procesi i mbledhjes së informacionit në terren do të zgjasë rreth gjashtë javë dhe do të realizohet nga rreth 3,400 anketues, të mbikëqyrur nga 640 kontrollorë, si dhe nga struktura të INSTAT-it të shpërndara në të gjithë vendin.
“Informacioni statistikor në kuadër të censit të bujqësisë do të mblidhet në terren për gjashtë javë nga një armatë prej 3400 punonjësish në terren që janë anketuesit të menaxhuar nga 640 kontrollorë dhe të gjithë punonjësit e INSTA është shpërndarë në të gjithë territorin e Shqipërisë”, tha Lantona Sado drejtoreshë e INSTAT.
Nga ana tjetër, opozita ngriti shqetësime për mungesën e të dhënave të sakta në bujqësi ndër vite, duke vënë në dyshim ndikimin që kjo situatë ka pasur në hartimin e politikave, subvencioneve dhe shpërndarjen e fondeve të Skemës Kombëtare dhe programit IPARD.
“Si janë hartuar deri tani pikërisht politikat bujqësore, subvencionet, skemat e mbështetjes dhe planifikimi për fondet IPARD, nëse qeveria vetë pranon se nuk ka pasur të dhëna të besueshme, kur vetë RIRA pranon se nuk ka të dhëna të konsoliduara”, shprehet Ledina Allolli, deputete e PD-së.
“Unë nuk do të thoja se nuk ka të dhëna. MBZHR, së bashku me INSTAT-in, mbledh të dhëna vjetore për veprimtarinë bujqësore nga sistemi i AREB-ve, i cili është i shpërndarë në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Fatmir Guri, zëvendësministër i Bujqësisë.
Në fund të mbledhjes së komisionit, anëtarët votuan projektligjin për Censin e Bujqësisë, por fjalën e fundit do ta ketë seanca përkatëse. Censi i fundit i bujqësisë është realizuar nga INSTAT 14 vite më parë./ZËRI