Ekonomi

Rregullorja e re për institucionet e kredive, Sejko: Janë të kënaqura se do i përmirësohet puna

Një nga kriteret është që individi nuk do të ketë më shumë se dy kredi njëherësh.

k.m.
Rregullorja e re për institucionet e kredive, Sejko: Janë të
Gent Sejko

TIRANË- Banka e Shqipërisë ka zyrtarizuar këtë të mërkurë rregulloren që kufizon dhënien e kredisë konsumatore nga institucionet financiare jo banka. Më shumë detaje për këtë rregullore dha vetë guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, i cili në fjalën e tij u shpreh se në këtë mënyrë mbrohet konsumatori, por edhe vetë këto institucione që japin kredi. Madje shtoi se rregullorja është konsultuar edhe me këto të fundit, duke shtuar se janë të kënaqura me mënyrën sesi po veprohet nga Banka e Shqipërisë.  

"Qëllimi kryesor është ruajtja e huamarrësve, por nga ana tjetër është ruajtja e këtyre institucioneve nga kreditë problematike. Pasi nëse do të ekspozoheshin nga huamarrësit edhe vetë këto institucione do të kishin normë më të lartë kredie dhe do të përballeshin me humbje. Këto ndryshime do të kenë efekt pozitiv në institucione jobanka. Janë konsultuar me institucionet financiare jobanka dhe kanë gjykim pozitiv se do përmirësohet puna e tyre e mëtejshme. Ne jemi në rishikim edhe për mbrojtjen e konsumatorit edhe në funksion të transparencës, edhe për normat e interesit,"-tha Sejko.

Një nga kriteret është që individi nuk do të ketë më shumë se dy kredi njëherësh.

“Në mbledhjen e sotme kemi bërë disa ndryshime në rregulloren për menaxhimin e riskut të kredisë në institucionet financiare jobankare, lidhur me mbrojtjen e konsumatorit, në raport me një analizë më të mirë financiare, në raport me disa kufizime që kanë të bëjnë me moshën e kredimarrësve dhe në raport me disa elementë që kanë të bëjnë me numrin e kredive, pra nuk mund të marrin më shumë se dy kredi njëherësh, nuk mund të ekspozohen më shumë sesa duhet,”- deklaroi Sejko.

Po ashtu, institucionet financiare jo banka do të kalojnë në një filtër më të hollësishëm gjendjen ekonomike të qytetarëve që aplikojnë për kredi dhe të ardhurat e tyre mujore.

“Do t'u kërkohet këtyre institucioneve që të përshtasin edhe rregulloret e tyre të brendshme në funksion të ruajtjes së kredimmarrësve nga mbingarkesa me borxh të panevojshëm. Qëllimi është mbrojtja e huamarrësve por edhe mbrojtja e vetë jkëtyre insticuioneve nga kredi problematike,”-shtoi guvernatori.

Në lidhje me rregulloren, Sejko shtoi se parashikohet që të futet në fuqi pas datës 1 janar 2025.

Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”. Në rregullore parashikohet se një institucion financiar jobankë nuk do të lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës. Po ashtu, do të ketë një vlerë tavan të kësteve të kredisë në raport me të ardhurat mujore neto të huamarrësve. Vlera e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 40%. Kjo vlerë mund të jetë më e lartë vetëm në rastet kur kredimarrësi ka evidenca të mjaftueshme që niveli më i lartë i raportit nuk cënon pagesën e detyrimeve të kredisë. Pra, projektrregullorja parashikon gjithashtu edhe kërkesa më të detajuara dhe rigoroze të administrimit të rrezikut mbi huadhënien konsumatore.

Prej muajsh tashmë, ZËRI ka denoncuar, denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve kredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija, përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Ky skandal, deri më tani ka marrë 2 jetë njerëzisht. Njëri ishte Pal Trashaj, i cili u vetëflijua para ambienteve të SPAK, ndërsa nga një godinë në ndërtim u hodh Olsi Ibro, i cili ishte një nga pronarët e MCA./ZËRI

Poll

MOS HUMB