
TIRANË- Pronë për 1 euro, tashmë mund të bledh edhe në zonat malore në Shqipëri. Projektligji i hartuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i jep të drejtën të gjithë "investitorëve strategjikë" që të aplikojnë për të blerë prona shtetërore me tarifën simbolike 1 euro, me kushtin e vetëm që të vërtetojnë se kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe të paraqesin një plan biznesi për ta zhvilluar. Deri më tani, kjo nismë ishte implementuar në zonat bregdetare, me qëllim ndërtimin e hoteleve dhe resorteve në pronat e shtetit. Tashmë, kjo nismë do të implementohet edhe në male.
“Investo në tokën tënde", prezantohet si një thirrje e drejtuar për emigrantët që të kthehen të investojnë në vend. Të gjithë ato qytetarë apo biznese që kanë mbi 10 vite që posedojnë një pasuri të paluajtshme shtetërore, dhe e kanë përdorur atë si pronë të tyre, me projektligjin e ri do të cilësohen si posedues faktik jopronar. E kështu do të kenë mundësi që të blejnë pronën për 1 euro.
“Iniciativa për këtë projektligj merret në kuadër të “Programit të integruar për zhvillimin rural - Programi i 100 Fshatrave”, dhe më konkretisht, në kuadër të nismës “Investo në Tokën Tënde – Paketa e Maleve”, e cila synon të ofrojë një qasje alternative për tërheqjen e investimeve direkte dhe orientimin e tyre, për zhvillimin e atyre zonave rajonale/lokale të qeverisjes vendore, të identifikuara si zona me përparësi zhvillimin, që kanë nevojë për përdorimin e mekanizmave të veçantë, për zhvillimin ekonomik,”-shkruhet në projektligj.
Por cilat janë kriteret e aplikimit?
Kriteret e verifikimit të pasurisë së paluajtshme shtetërore
Lejohet kalimi i pronësisë të pasurisë së paluajtshme shtetërore brenda zonës së përcaktuar, përmes shitjes me tarifën simbolike 1 (një) euro, vetëm nëse në përfundim të verifikimit administrativ plotësohen në mënyrë kumulative kriteret e mëposhtme: a) ka rezultuar në përfundim të proçesit të përditësimit dhe inventarizimit të pasurisë/pasurive shtetërore brenda zonës së përcaktuar, se pasuria e paluajtshme shtetërore gjendet nën regjimin e një posedimi faktik nga një posedues jopronar; b) pasuria e paluajtshme shtetërore nuk është pronë e patjetërsueshme në kuptimin e ligjit Nr.8743/2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar dhe nuk janë pasuri të paluajtshme të cilat sipas planeve të detajuara vendore të miratuara janë destinuar për tu përdorur për interes publik. c) mbi pasurinë e paluajtshme shtetërore nuk rëndojnë të drejta të tjera reale të regjistruara apo barrë mbi pasurinë e paluajtshme dhe nuk janë prona private të të tretëve; d) nuk janë objekt i investimeve strategjike, sipas legjislacionit në fuqi për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë si dhe nuk janë prona shtetërore në zbatim të nenit 7 të ligjit Nr. 71/2019 “Për korporatën e investimeve shqiptare”; e) nuk janë objekt i ushtrimit të të drejtës së parablerjes nga pronarët e njohur me një vendim të organeve të kohës për kthimin dhe kompensimin e pronave, në zbatim të nenit 22 të ligjit Nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e proçesit të kompensimit të pronave”; f) në zbatim të ligjit 20/2020 “Për përfundimin e proçeseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” poseduesi jopronar nuk ka aplikuar: i. për kalimin nga përdorimi në pronësi të tokës bujqësore; ii. për kalimin në pronësi të objekteve pa titull pronësie dhe oborret në përdorim”; iii. për legalizimin e ndërtimit pa leje të të tretëve apo të vetë subjektit kërkues; g) nuk ka instalime dhe objekte të tjera të destinuara për qëllime të mbrojtjes kombëtare, të rendit dhe sigurisë publike me qëllim për të mbrojtur instalimet e mbrojtjes, si strehimet dhe fortifikimet.
Por jo në të gjitha pronat shtetërore ku ka një posedues faktik do të ketë shitje të pronës me qëllim ngritjen e një biznesi, pasi ka edhe kufizime. Këshilli i Ministrave do të miratojë zonat me përparësi zhvillimi dhe më pas do të jetë MEKI, ajo që do të krijojë një strukturë të posaçme që të bëhet inventarizimi për çdo zonë. Më pas, investitori strategjik që kërkon pronën mund të bëjë një kërkesë pranë bashkisë, duke e shoqëruar me vetëdeklarimit si posedues. Në dokumente mund të duhet të ketë edhe planin e investimit. Të gjitha kërkesat do ti vihen në dispozicion Ministrisë së Ekonomisë, e cila do të vendosë më pas nëse do të krijojë strukturën e posaçme për këtë aplikim .
Më pas, me kalimin e pasurisë së paluajtshme shtetërore me posedues faktik jopronar e bën MEKI.
"Poseduesi faktik jopronar i pronës së paluajtshme shtetërore në pronësi dhe administrim të ministrisë përgjegjëse, në zonën e përcaktuar, ka të drejtë mbi bazën e këtij ligji të kërkojë kalimin e pronësisë për sipërfaqen e tokës pasuri e paluajtshme shtetërore, përmes aplikimit të tarifës simbolike 1 (një) euro. Në çdo rast poseduesi faktik jopronar duhet të rezultojë si i tillë në kartelën kadastrale të pasurisë së paluajtshme shtetërore përpara kryerjes së aktit të kalimit të pronësisë,"-shkruhet ndër të tjera në projektligj.
Procedurat e posaçme në zbatim të këtij ligji, zbatohen më 31 dhjetor 2028./ZËRI