FUSHË KRUJË- Dy plagosje me thikë janë regjistruar së fundmi, brenda pak orësh në Fushë-Krujë. Bëhet fjalë për dy ngjarje të ndryshme dhe në rrethana të veçanta. Në të dyja rastet, Policia ka identifikuar personat e përfshirë, ku njëri prej autorëve të dyshuar është arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Raportohet se ngjarja e parë ka ndodhur në një lokal, ku janë konfliktuar dy persona. Pas një konflikti të çasit është plagosur me thikë Aurel Doda, teksa është arretuar autori i dyshuar Shkëlqim Curaj 49 vjeç. Ky i fundit, dyshohet se ndodhej nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes.
Plagosja e dytë ka ndodhur në afërsi të Urës së Gjolës, pas një aksidenti të dy automjeteve. Automjetet e përfshira në aksident drejtosheshin nga Donald Caca dhe Ardjan Xheka, mes të cilëve ka nisur një debat që më pas ka degjeneruar në përplasje fizike. Mësohet se gjatë sherrit, Ardjan Xheka është goditur me thikë dhe është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmë mjekësore.
Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Donald dhe Halil Caca. Sipas të dhënave paraprake, përplasja mes palëve dyshohet se lidhet me konflikte të mëparshme./ZËRI