TIRANË- Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka dhënë pretencën për kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje. SPAK ka kërkuar që Shkreli të shpallet fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe të dënohet me 1 vit burg, si dhe ndalim të ushtrim të funskioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.
Ndërkohë, seanca e radhës do të mbëhet më 18 nëntor, ku mbrojtja do të paraqesë konkluzionet e saj.
Hetimet e SPAK-ut për Shkrelin kanë nisur më 20 mars, mbi një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Në maj 2025, në prag të zgjedhjeve, Shkrelit iu sekuestrua telefoni celular dhe iu ushtrua kontroll.
Shkreli dyshohet për veprën penale të korrupsionit zgjedhor, pasi dyshohet se ka blerë vota në favor të PSD-së së Tom Doshit. Së bashku me të, nën hetim janë edhe tre persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të shitblerjes së votës në qarkun e Shkodrës.
Kryebashkiaku socialist ishte gjithashtu në shënjestër të kritikave të kryeministrit Edi Rama. Para sekuestrimit të telefonit, gjatë një takimi elektoral në Shkodër, ZËRI kapi momentin kur Rama e kritikoi nën zë Shkrelin. Në momentin që kishte hequr mikrofonin nga dora dhe po largohej, kryeministri u ndal përballë tij dhe i tha:"Kristian, mos më luaj me dy porta, Kristian! Mos më luaj me dy porta!"/ZËRI