Aktualitet

Dosjet e prapambetura, KLGJ plan për 84 gjyqtarë të rinj dhe 9 pozicione të përkohshme në Gjykatën e Lartë

Përmes një projektvendimi të hedhur për konsultim publik KLGJ parashikon shtimin e 102 pozicioneve të përhershme për gjyqtarë si dhe angazhimin e nëntë gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë.

M.K.
Dosjet e prapambetura, KLGJ plan për 84 gjyqtarë të rinj dhe 9
foto ilustruese

TIRANË- Mijëra dosje të prapambetura dhe mungesa e gjyqtarëve në sistem kanë nxitur Këshillin e Lartë Gjyqësor të propozojë zgjerimin e organikës së gjykatave në vend. Përmes një projektvendimi të hedhur për konsultim publik KLGJ parashikon shtimin e 102 pozicioneve të përhershme për gjyqtarë si dhe angazhimin e nëntë gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë. Kostoja e këtij plani vlerësohet në rreth 14 milionë euro në vit.

Aktualisht organika e gjyqësorit parashikon 417 gjyqtarë, por në detyrë janë vetëm 309, për shkak të vendeve vakante. Me propozimin e ri, numri i pozicioneve të përhershme do të arrijë në 519. Nga 102 vendet e reja, 84 do të jenë pozicione funksionale ndërsa 18 të tjera do të shërbejnë si vende rezervë.

Pjesa më e madhe e shtesës parashikohet në gjykatat e shkallës së parë, ku do të shtohen 64 gjyqtarë. Prej tyre 44 do t'u përkasin gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, 18 gjykatave administrative dhe dy Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, numri më i madh i vendeve të reja parashikohet në Tiranë, me 18 gjyqtarë, ndërsa Durrësi dhe Fieri do të kenë nga gjashtë vendeElbasani pesë, kurse Korça, Shkodra dhe Vlora nga tre. Për gjykatat administrative parashikohen 18 pozicione të reja, 16 prej të cilave në Tiranë dhe dy në Lushnjë. Ndërkohë, dy vende do t'i shtohen Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

“44 prej tyre të shkojnë për juridiksionin e përgjithshëm, konkretisht 18 në Tiranë, 6 në Durrës, 5 në Elbasan, 6 në Fier, 3 në Korçë, 3 në Shkodër dhe 3 në Vlorë. Për juridiksionin administrativ propozohet shtimi me 18 vende, ku 16 i caktohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe 2 Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnje. Ndërsa në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar propozohet shtimi me 2 vende”, thuhet në dokument.

Përveç shkallës së parë, 20 gjyqtarë të tjerë parashikohen të shtohen në apel. Gjashtë prej tyre do të shkojnë në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, 12 në atë administrativ dhe dy në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Një ndërhyrje e veçantë propozohet edhe për Gjykatën e Lartë ku parashikohet angazhimi i nëntë gjyqtarëve për një mandat të vetëm, të parinovueshëm prej nëntë vitesh. Ata do të merren me kategori të përcaktuara çështjesh me synimin për të ndihmuar në uljen e stokut të dosjeve që presin shqyrtimin në këtë gjykatë.

“Studimi evidenton nevojën për një kapacitet shtesë prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë, për një mandat të vetëm, të parinovueshëm dhe të lidhur me trajtimin e një kategorie të përcaktuar çështjesh. Kjo masë synon të kontribuojë në reduktimin e stokut të akumuluar në këtë gjykatë”, thuhet në dokument.

Shtimi i gjyqtarëve do të kërkojë edhe më shumë punonjës administrativë si dhe investime për krijimin e kushteve të nevojshme të punës. Për 102 pozicionet e përhershme parashikohen të paktën 336 punonjës jogjyqtarë ndërsa për nëntë gjyqtarët e përkohshëm në Gjykatën e Lartë nevojiten edhe 56 punonjës të tjerë.

“Propozohet një minimum planifikimi prej 336 punonjësish jogjyqtarë për 102 vendet e përhershme, si dhe 56 punonjës për paketën e përkohshme prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, studimi thekson se shtimi i pozicioneve të reja duhet të shoqërohet me sigurimin e infrastrukturës së nevojshme ndërtimore dhe teknologjike të nevojshme për funksionimin efektiv të gjykatave. Për këtë qëllim, rekomandohet hartimi i një plani të posaçëm investimesh”, thuhet në dokument.

Për realizimin e këtij plani, KLGJ vlerëson se do të nevojiten 1 miliard e 221 milionë lekë të reja në vit ose rreth 14 milionë euro.

Dosjet e prapambetura, KLGJ plan për 84 gjyqtarë të rinj dhe 9

Dosjet e prapambetura, KLGJ plan për 84 gjyqtarë të rinj dhe 9

./ZËRI

MOS HUMB