Ekonomi

Buxheti 2027/ “Tkurren” subvencionet për bujqësinë, rriten fondet për administratën, ulen për fermerët e peshkatarët

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, të ardhurat e përgjithshme buxhetore për vitin e ardhshëm do të arrijnë në 907,9 miliardë lekë, ndërsa sektori i prodhimit do të marrë vetëm 2,19% të totalit.

zh.ll
Buxheti 2027/ “Tkurren” subvencionet për bujqësinë,
foto ilustruese

TIRANË- Bujqësia pritet të përfitojë një pjesë të vogël të financimeve nga buxheti i shtetit për vitin 2027.

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, të ardhurat e përgjithshme buxhetore për vitin e ardhshëm do të arrijnë në 907,9 miliardë lekë, ndërsa sektori i prodhimit do të marrë vetëm 2,19% të totalit. Konretisht, parashikohet se ky sektor të marrë 19,9 miliardë lekë, me një financim shtesë prej 1,1 miliardë lekë.

Por, ku parashikohet të shkojë kjo shtesë? 

Sipas parashikimeve, kjo shumë nuk do të përdoret për rritjen e subvencioneve për fermerët apo për ngritjen e sistemeve të reja laboratorike. Përkundrazi, fondet pritet të orientohen drejt shpenzimeve të tjera të sektorit, si administrata, këshillimi bujqësor dhe infrastruktura e kanaleve kulluese.

Një tjetër element që bie në sy është edhe tkurrja e subvencioneve për fermerët që parashikohen të zbresin nga 8,3 miliardë lekë në 6,3 miliardë lekë. Gjithashtu, rënie parashikohet edhe për sektorin e peshkimit, me mbështetje që përgjysmohet nga 7.8 miliardë lekë në 3,4 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, ndryshe nga subvencionet, më shumë fonde parashikohen për infrastrukturën bujqësore dhe sistemet e ujitjes, me një rritje prej 18,7%. Ndërkohë që financimi për sigurinë ushqimore dhe laboratorët parashikohet të rritet vetëm me 2,55%, pavarësisht rekomandimeve të Brukselit për më shumë investime.

MOS HUMB