
KOSOVË- Prishtina nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë më 17 dhjetor. Serbët e Kosovës që duan të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe të 17 dhjetorit, duket se do të udhëtojnë drejt Serbisë. Serbia nuk ka pranuar kushtin e kryeministrit Albin Kurti për marrëveshje paraprake dhe ka njoftuar komisionin e saj zgjedhor se në Kosovë nuk do të ketë zgjedhje. Zyra e Kryeministrit deklaroi se Kurti ka njoftuar për vendimin shefin e OSBE-së, Michael Davenport.
“Sa i përket kërkesës së Serbisë për mbajtje të zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti theksoi se, siç ka njoftuar shefin e OSBE-së në përgjigjen e 17 nëntorit, për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndërshtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, ka deklaruar Zyra e Kryeministrit.
Nga ana tjetër kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviç tha se zgjedhjet nuk do të mbahen në territorin e Kosovës, pasi Kurti ka kushtëzuar mbajtjen e zgjedhjeve me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Ju njoftojmë se aktualisht nuk është e mundur të zbatohet procedura zgjedhore në veri të Kosovës, në mënyrë që do të ishte në përputhje me rregulloret ligjore, si dhe me interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Serbisë. Arsyeja është se Regjimi i Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, në krye me Albin Kurtin, e kushtëzon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve me njohjen e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Kosovë nga Beogradi”, ka thënë Petkoviç.
Zakonisht serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe votat janë grumbulluar nga OSBE-ja dhe janë dërguar në Rashkë e Vranjë për numërim. Serbët për herë të fundit kanë votuar në Kosovë më 2020. Më 2021 për zgjedhjet parlamentare dhe më 2022 për ndryshime kushtetuese nuk u lejuan.