Bota

Zbulohet marrëveshja Sunak-Braverman, plani me 4 pika për migrantët

Kryeministri Rishi Sunak dhe ish-Sekretarja e Shtetit Suella Braverman kishin diskutuar një plan për migrantët. Ky plan parashihte edhe lëshim të leje-qëndrimit për 4 muaj, në vend të të vizave 2-vjeçare.

D.XH
Zbulohet marrëveshja Sunak-Braverman, plani me 4 pika për
Sunak dhe Braverman

LONDËR – Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak ra dakord të rriste pragun e pagave për emigrantët në 40,000 paund në vit, si pjesë e një marrëveshjeje që ai arriti me Suella Braverman, sipas një kopje të marrëveshjes, të vëzhguar nga Telegraph.

Sunak ra dakord për një plan migrimi me katër pika, pasi ai kërkoi mbështetjen e Braverman gjatë kandidaturës së tij për kryeministër vitin e kaluar, thonë aleatët e zonjës Braverman. Marrëveshja midis tyre përfshinte një premtim për të rritur pragun e pagës minimale për një vizë të punëtorëve të kualifikuar të huaj, nga 26,000 £ në 40,000 £, një propozim që u mbështet publikisht javën e kaluar nga Boris Johnson, arkitekti i sistemit të migrimit të bazuar në pikë, pas Brexit.

Një kopje e marrëveshjes për migracionin, e parë nga Telegraph, tregoi se ata propozuan kufizimin e numrit të vartësve që mund të sillnin migrantët legalë dhe t'u jepnin përparësi aplikantëve të universitetit Russell Group, kur vlerësonin aplikimet për viza studentore. Zonja Braverman përmendi dështimin e Kryeministrit për t'iu përmbajtur marrëveshjes së tyre në letrën e saj të largimit, që ajo publikoi pasi u shkarkua nga posti i Sekretares së Brendshme, në fillim të këtij muaji.

Detajet e marrëveshjes janë shfaqur disa ditë, pasi shifrat zyrtare treguan se migrimi neto arriti një rekord prej 745,000 nga janari deri në dhjetor 2022 në Britani, duke trefishuar nivelet para Brexit dhe duke shkatërruar kësisoj angazhimin e fushatës të konservatorëve të vitit 2019, për të ulur numrat e përgjithshëm nën 239,000. Sunak nuk e ka mohuar diskutimin e opsioneve të politikave me zonjën Braverman ose ekzistencën e një dokumenti, por Downing Street shprehet se diskutimet nuk kanë qenë një marrëveshje e mirfilltë.

Zbulohet marrëveshja Sunak-Braverman, plani me 4 pika për
Te dhenat per vizat

‘Unë po vazhdoj rrugën për të ofruar diçka për qytetarët’

Kryeministri britanik Rishi Sunak i tha Daily Mail të dielën: "Çdokush mund të ketë biseda me njerëz, kur gjërat janë në fazën e zgjedhjes së një lidershipi. Kam bërë biseda, e jo vetëm me Suellën”. I pyetur nëse ai ishte i shqetësuar që ajo mund të tregonte prova të marrëveshjes, ai u përgjigj: “Kjo është një pyetje për të. Unë jam duke vazhduar punë, për të ofruar diçka për qytetarët”.

Burime pranë zonjës Braverman thanë se marrëveshja nuk ishte nënshkruar nga Sunak, por se ishte rënë dakord verbalisht në shumë raste. Ata pretenduan se pasi ranë dakord për marrëveshjen dhe Suella Braverman u bë Sekretare e Brendshme, ai nuk e mori seriozisht migracionin legal, duke deklaruar në vend të kësaj se varkat e vogla ishin shqetësimi kryesor i publikut.

Gjashtë letra, secila që përcaktonte opsionet e detajuara të politikave dhe dërguar Sunak, qoftë nga zonja Braverman ose zyra e saj, u injoruan, sipas burimeve pranë ish-sekretares së Brendshme. Në njërën, në nëntor 2022, disa javë pas emërimit të saj, ajo tha se kishte udhëzuar zyrtarët të "përpunonin një sërë propozimesh". “Angazhimi ynë se numri i përgjithshëm i imigracionit do të ulet është në rrezik, për shkak të tendencave të fundit për grantet e vizave. Ne mund dhe duhet të përmbushim premtimin tonë të fushatës elektorale, për uljen e numrave të përgjithshëm në atë mënyrë, që është në përputhje me mbështetjen e rritjes ekonomike”, tha Braverman.

Letra parashtronte dy propozime shtesë, një për një kufi në tarifat e përgjithshme të vizave, me numra të vendosur çdo vit nga Parlamenti, dhe një i dytë heq disa profesione nga e drejta e përfitimit të leje-qëndrimit. Kjo është rekomanduar nga vetë Komiteti Këshillimor i Qeverisë për Migracionin (MAC). Trajtimi i migracionit neto ishte pika kryesore e marrëveshjes, e cila u bë me paralajmërimin se po lëshoheshin numra rekord vizash, duke përfshirë një rritje të madhe të numrit të studentëve të huaj nga vendet në zhvillim që ndjekin universitetet jo të grupit Russell në master për studime biznesi.

Rishi Sunak propozoi: “A. Mbyllni rrugën për vite të shtuara në viza. B. Kufizoni numrin e personave në ngarkim. C. Jepni përparësi universiteteve dhe kurseve të veçanta. D. Rritni kufijtë e pagave për punëtorët e kualifikuar nga 25 mijë £ në 40 mijë £ në vit".

Në letrën e saj të nëntorit 2022, Braverman mbrojti zëvendësimin e vizave 2-vjeçare me një qëndrim katër mujor, kur studentët jashtë shtetit mund të përpiqeshin të gjenin një punë dhe mund ta kalonin vizën e tyre nga ‘studentore’ në ‘pune’. Kjo ishte në përputhje me një rekomandim të vitit 2018 nga MAC. Një ndalim për pothuajse të gjithë studentët pasuniversitarë që të sjellin persona në ngarkim, përveç atyre në programet kërkimore, u njoftua në maj nga zoti Sunak, të cilën ai e ka përshkruar si masën e vetme më të ashpër në vite, për të reduktuar migrimin neto.

Megjithatë, ai është nën presion për të shkuar më tej. Robert Jenrick, ministri i imigracionit, i cili bashkënënshkroi letrën e fundit të zonjës Braverman në tetor të këtij viti, po bën presion për ndalimin e punonjësve të kujdesit, që sjellin persona në ngarkim dhe të ketë një kufi për vizat shëndetësore dhe sociale.

Kryeministri po konsideron masat, që përfshijnë kufizime për personat në ngarkim të punonjësve të kujdesit dhe një rritje të pragut të pagës së punëtorëve të kualifikuar. Të dielën, një zëdhënës tha se zoti Sunak kishte qenë shumë i qartë se besonte se migrimi ishte shumë i lartë dhe duhej të zbriste në nivele më të qëndrueshme. Ai kishte thënë se do të përpiqet të ulë numrin e migrantëve legalë në vend.

"Suella Braverman kishte parime politike"

Megjithatë, një aleate konservatore e zonjës Braverman tha: “Kryeministri duhet të vazhdojë me përmbushjen e premtimit të fushatës tonë të 2019-ës, në vend që të përpiqet të shajë njerëzit me fjalë dhe premtime të paqarta. Suella e kishte shumë të qartë se çfarë duhej bërë dhe ai thjesht e injoroi atë. Kjo është arsyeja pse ata nuk e donin atë – sepse ajo kishte parime politike.”

Ministrat pritet këtë javë të marrin vendimet përfundimtare mbi traktatin e ri me Ruandën dhe projekt-ligjin për ta shpallur atë të sigurt, pasi kjo politikë emigracioni u shpall e paligjshme nga Gjykata e Lartë. Projektligji do të përfshijë një traktat, sipas të cilit Ruanda angazhohet të mos largojë asnjë emigrant të deportuar nga Britania e Madhe, një veprim i krijuar për t'iu përgjigjur kritikave kryesore nga Gjykata Supreme, se azilkërkuesit mund të kthehen në vendlindjet e tyre, ku mund të përballen me persekutimin./Telegraph- Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB