Bota

Kryeministri suedez dënon thirrjen e ekstremit të djathtë për shembjen e xhamive

Kryeministri i Suedisë Ulf Kristersson deklaroi se dënon deklaratat e ekstremit të djathtë, që bën thirrje për shembjen e xhamive.

D.XH
Kryeministri suedez dënon thirrjen e ekstremit të djathtë
Ulf Kristersson dhe Jimmie Akesson

STOCKHOLM - Kryeministri suedez Ulf Kristersson kritikoi liderin e partisë së ekstremit të djathtë, që mbështet qeverinë e tij, pasi kishte bërë thirrje, që disa xhami në Suedi të shkatërrohen. Udhëheqësi i Demokratëve Suedezë (SD) Jimmie Akesson bëri thirrje që disa xhami të rrafshoheshin, gjatë një fjalimi në konferencën e tij vjetore të partisë.

“Duhet të fillojmë shembjen e xhamive ku po përhapet propaganda antidemokratike, anti-suedeze, homofobike, antisemitike apo dezinformata të përgjithshme”, tha Akesson. Kristersson, qeveria e koalicionit të së cilës nuk përfshin SD, por mbështetet prej saj, i dënoi deklaratat si mosrespektuese.

"Unë mendoj se është një mënyrë mosrespektimi për t'u shprehur, një mënyrë polarizuese. Kjo nuk është ajo që Suedia përfaqëson", tha Kristersson. Fjalimi i Akesson shkaktoi zemërim, si në Suedi ashtu edhe jashtë saj dhe e detyroi Kristersson të bënte një deklaratë në X, duke përsëritur të drejtën kushtetuese të Suedisë për lirinë e fesë.

"Në Suedi, ne nuk shkatërrojmë vendet e adhurimit. Si shoqëri, ne duhet të luftojmë kundër ekstremizmit të dhunshëm, pavarësisht nga bazat e tij - por ne do ta bëjmë këtë brenda kornizës së një shteti demokratik dhe shtetit të së drejtës," tha ai.  

Ish-kryeministrja socialdemokrate Magdalena Andersson bëri thirrje që Kristersson të largojë të gjithë zyrtarët e SD-së që punojnë në zyrat e kabinetit në Stokholm.

"Kjo parti përkeqëson imazhin e Suedisë, nuk lehtëson aplikimin tonë në NATO dhe rrit më tej polarizimin në vendin tonë. Kjo nuk i shërben Suedisë dhe popullit suedez", tha Andersson në X. Suedia, aplikimi i së cilës në NATO ka ende nevojë për ratifikimin nga Hungaria dhe Turqia me shumicë myslimane, ka pasur një sërë incidentesh që lidhen me çështje të ndjeshme fetare.

Djegia e Kuranit disa herë në fillim të këtij viti çoi në protesta të përhapura në Suedi dhe disa vende të Lindjes së Mesme thirrën ambasadorët suedezë. Protestuesit irakianë sulmuan ambasadën suedeze në Bagdad dy herë në korrik, duke ndezur zjarre brenda ndërtesës. Vitin e kaluar Suedia ishte shënjestër e një fushate të gjerë dezinformimi, teksa pretendohej se shërbimet e saj sociale po "rrëmbenin fëmijë myslimanë" dhe i vendosnin ata në shtëpitë e krishtera, duke i detyruar autoritetet të mohonin publikisht akuzat./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB