
KOSOVË- Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër në lidhje me aludimet për mungesën e tij në varrimin e Liridona Ademaj. Pacolli ka shkruar se po sheh “disa insinuata të individëve me sjellje skizofrenike që përdorin tragjedi si kjo e Liridonës për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për të pervetësuar ndonjë pëlqim (like) në platformat mediatike”.
Sipas tij të gjitha spekulimet kërkojnë të njollosin imazhin dhe reputacionin e të tjerëve vetëm për të përfituar vëmendjen publike. Ai edhe një herë ka shpjeguar se për shkak të largësisë dhe një pune të ndjekur prej 6-muajsht nuk ka mundur dot të jetë i pranishëm, por në vend të tij në varrim kanë qenë vëllezërit dhe familjarët e Pacollit.
"Nga largësia, vërej disa insinuata të individëve me sjellje skizofrenike që shfrytëzojnë tragjeditë si ajo e Liridonës për të tërhequr vëmendjen në platformat mediatike dhe krijuar ndonjë “imazh”. Është kritike të dallohen dhe kundërshtohen deklaratat paqëndrueshme dhe pa fakte të disa “debatuesve” apo “analistëve” që njollosin imazhin dhe reputacionin e të tjerëve vetëm për të përfituar vëmendjen publike. Kjo ndihmon në ngritjen e nivelit të bisedës dhe transparencës së informacionit për publikun, duke theksuar seriozitetin e mediave. Për të sqaruar publikun, po ndjek një rrugë të gjatë dhe të planifikuar prej 6 muajsh, që më ka penguar të marr pjesë në varrim (gjë për të cilën janë kujdesur vëllezërit, familja dhe bashkëpunëtorët e mi)”,-shkruan ai.
Duke qenë se Behgjet Pacolli është kumbari i djalit të së ndjerës ra në sy mungesa e tij në varrim. Gjithsesi ai me anë të një postimi në Facebook njoftoi se nuk mundi të marrë pjesë në ceremoninë e rivarrimit të Liridonës, sepse ndodhet në një vizitë në Lindjen e largët.
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./ZËRI