Bota

Protestat/ Nëna e të ndjerës: Faleminderit që po e bëni këtë për Donën time

Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës ka shprehur mirënjohjen e gjithë familjes për të gjitha organizimet për të nderuar Liridonën.

f.t
Protestat/ Nëna e të ndjerës: Faleminderit që po e bëni
pamje nga protesta

KOSOVË- Nëna e të ndjerës Liridona Ademaj, e cila dyshohet se u vra me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murseli, ka reaguar pas marshit të sotëm në Prishtinë, ku u bë thirrje për drejtësi për gratë e vrara.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës ka shprehur mirënjohjen e gjithë familjes për të gjitha organizimet për të nderuar Liridonën. Vëllai i Liridonës gjithashtu deklaroi se presin drejtësi të shpejtë dhe profesionale.

“Sonte bashkë me nanen po i përcjellim lajmet dhe marshin në Prishtinë dhe ndonëse shumë e pikëlluar, nana vazhdimisht po thotë faleminderit prej tyre që po e bëjnë këtë për Donen time. Kampanja jonë për drejtësi fillon tash, bashkë me juve aktiviste, organizata joqeveritare dhe me mbështetjen e mediave. Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet. Ne besojmë në institucionet e shtetit dhe presim që të ndajnë drejtësi”, thuhet në reagimin e familjes.

Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim. /ZËRI

Poll

MOS HUMB