
ITALI- Detaje të reja janë zbardhur pas vetëvrasjes së një studenteje franceze në Itali. Autoritetet pretendojnë se 21-vjeçarja është përdhunuar dhe më pas ka vendosur ti japë fund jetës. Burime nga mediat e huaja raportojnë se ka qenë ditari i studentes ai që ka ngruitur hipotezën e abuzimit.
"Është e vështirë të jesh vetëm dhe të durosh atë që ka ndodhur. Nuk është faji i askujt, unë nuk jam inatosur me askënd. Unë ju dua. Jam e trishtuar", shkruhej në ditarin e 21-vjeçares.
Po ashtu disa prej miqve ishin në djeni se ajo ishte dhunuar seksualisht, por nuk kishte bërë asnjë denoncim. Nga hetimet e autoriteteve rezultoi se më 19 tetor, pas përdhunimit, studentja ka shkuar në urgjencë. Ajo kishte refuzuar të kryente mostrat biologjike të rekomanduara nga mjekët.
Megjithatë nga zbulimet është identifikuar autori i dyshuar i abuzimit. Bëhet fjalë për një djalë italian me banim në zonën e Brindisit, i cili tashmë është intervistuar gjatë nga policia. Mësohet se i riu ka mohuar çdo akuzë, ndërkohë që hetimet vijojnë./Zëri.ai