
IZRAEL- Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në ditën e saj të 17-të, ndërkohë që në 24 orët e fundit është shënuar dhe numri më i lartë i viktimave në Gaza, më shumë se 700 të vdekur në një ditë.
Ndërkohë si kundërpërgjigje ndaj shtimeve të sulmeve izraelite, në Bejrut të Libanit u mbajt një samit ndërmjet përfaqësuesve të lartë të Hezbollahut, Hamasit dhe Xhihadit Islamik.
Këtë e raportoi televizioni al Manar i cili është në varësi të grupit televiziv të Hezbollahut. Stacioni televiziv tregon pamjet e takimit midis liderit të Hezbollahut, Hasan Nasrallah, zëvendëskryetarit të Hamasit, Saleh Aruri, dhe udhëheqësit të Xhihadit Islamik, Ziad Nakhale, raporton ANSA.
"Takimi vlerësoi pozicionet e marra ndërkombëtarisht dhe çfarë duhet të bëjë Boshti i Rezistencës," tha televizioni në fjalë, i cili i referohej një aleance midis Iranit, organizatave të armatosura palestineze, Sirisë, Hezbollahut të Libanit dhe fraksione të tjera.
Vihet re se Xhihadi Islamaik Palestinez është organizata e dytë më e madhe militante në Gaza pas Hamasit. Ndërkohë, dhuna u përshkallëzua më tej në kufirin Izrael- Liban të martën, duke bërë që shumë fshatarë libanezë të largoheshin nga shtëpitë e tyre pasi ushtria izraelite duket se kishte vendosur të zgjeronte bombardimet e saj me artileri.
Anëtarët e krahut ushtarak të lëvizjes shiite Hezbollah të Libanit, e cila është afër Iranit dhe konsiderohet aleate e lëvizjes islamike palestineze Hamas, kryen të paktën tre sulme kundër pozicioneve izraelite pranë kufirit. Si përgjigje, ushtria izraelite bombardoi një grup fshatrash kufitare, sipas një burimi të DPA në forcat libaneze të sigurisë.
Ushtria izraelite tha se goditi një "celulë terroriste" në Liban që hodhi një raketë në drejtim të territorit të saj. Nga sulmet nuk u raportua për viktima izraelite. Sipas Hezbollahut, gjashtë luftëtarë të tjerë të saj u vranë të martën.
Ndërkohë që përplasje të forta janë shënuar mes Izraelit dhe sekretarit të përgjithshëm Antonio Guterres, i cili e quajti krim atë që po kryen Izraeli ndaj popullsisë civile në Gaza.
Ambasadori izraelit në OKB Gilad Erdan tha se vendi i tij do t'u refuzojë vizat e hyrjes zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara pas fjalimit të djeshëm të Guterres, i cili u kundërshtua nga vetë Izraeli.
"Duke pasur parasysh fjalët tuaja - shpjegoi Erdan për Radion Ushtarake - ne do të refuzojmë lëshimin e vizave për përfaqësuesit e OKB-së. Për më tepër, ne i kemi refuzuar tashmë një vizë nënsekretarit për Çështjet Humanitare Martin Griffiths. Ka ardhur koha t'u japim atyre një mësim".
Ndërsa politika ashpërson tonet, 704 palestinezë, përfshirë 305 të mitur, u vranë në 24 orët e fundit nga sulmet izraelite në Rrip. Ministria lokale e shëndetësisë ia raportoi këtë Zyrës së Koordinimit të OKB-së për Çështjet Humanitare (OCHA). Sipas të njëjtit burim, ky është numri më i lartë i vdekjeve në një ditë që nga fillimi i armiqësive./Zëri.ai