
IZRAEL- Ambasadori izraelit shprehu zemërimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres, duke i bërë thirrje atij të japë dorëheqjen. Guterres shprehu shqetësimin për "shkeljet e qarta" të ligjit ndërkombëtar humanitar në Gaza, duke këmbëngulur për një "armëpushim të menjëhershëm" në ditën e 18-të të luftës midis Izraelit dhe Hamasit.
“Jam thellësisht i shqetësuar për shkeljet e qarta të ligjit ndërkombëtar humanitar që po shohim në Gaza. Le të jemi të qartë: asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare,”- tha ai, por pa përmendur emrin e Izraelit.
Guterres, megjithatë, tha se ankesat palestineze nuk mund të justifikojnë "sulmet e tmerrshme" të Hamasit, të cilat nga ana tjetër nuk mund të justifikojnë "dënimin kolektiv të popullit palestinez".
"Në një kohë kritike si kjo, është jetike që ne të jemi të qartë mbi parimet - duke filluar nga parimi themelor i respektimit dhe mbrojtjes së civilëve."
Menjëherë pas tij, ambasadori izraelit, Eli Cohen ka marrë fjalën, kërkoi dorëheqjen e Guterres.
“Nuk ka asnjë justifikim për të folur me ata që tregojnë simpati për ata që kanë kryer aktet më të tmerrshme kundër qytetarëve të Izraelit,”- theksoi ambasadori izraelit.
Militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor dhe sulmuan objektiva kryesisht civilë, duke përfshirë familjet dhe një festival muzikor, duke vrarë të paktën 1,400 njerëz dhe duke marrë më shumë se 220 pengje. Nga ana tjetër, më shumë se 5,700 palestinezë janë vrarë në të gjithë Rripin e Gazës nga bombardimet hakmarrëse izraelite./Zëri.ai