Bota

U vranë 'kapon', bandat në Brazil djegin 35 autobusë

Dhuna dramatike dhe e paprecedent në rrugët e Rios, ndodhi, pasi policia vrau 'kapon' e grupit, Matheus Da Silva Rezende.

D.XH
U vranë 'kapon', bandat në Brazil djegin 35 autobusë
Nje nga autobuset e djegur

RIO DE JANEIRO- Guvernatori i shtetit të Rio de Zhaneiros, Claudio Castro, është zotuar se do të kundërpërgjigjet kundër krimit të organizuar, pasi gangsterët paraushtarakë nisën një sulm të paprecedentë në sistemin e transportit publik të Rios, duke djegur dhjetëra automjete. Politikani brazilian tha se këto janë akte terroriste.

Të dyshuarit thuhet se i vunë flakën të paktën 35 autobusëve, katër kamionëve dhe një treni, gjatë asaj që media lokale e përshkruan si një nga sulmet më të mëdha kriminale në historinë e Rios.

Sulmet thuhet se ishin një hakmarrje për vrasjen e një udhëheqësi të lartë paraushtarak të quajtur Matheus da Silva Rezende nga forcat speciale të policisë. "Ai njihej si "Zoti i Luftës", tha guvernatori i djathtë i Rios në një konferencë urgjente për shtyp, ndërsa forcat e sigurisë dhe zjarrfikësit u përpoqën t'i përgjigjen valës së sulmeve në Rion perëndimore.

Shpërthimi i dhunës – dramatik për një shtet që ka kaluar dekada duke u përballur me krimin që merr mijëra jetë çdo vit – bllokoi disa pjesë të qytetit më të famshëm të Brazilit dhe detyroi të paktën 45 shkolla të mbyllen.

Bashkia u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin zonat ku janë djegur mjetet. Pjesa perëndimore e qytetit qëndroi në flakë për një periudhë relativisht të gjatë.

Pamjet e shpërndara në mediat sociale, treguan dhjetëra pasagjerë që hidheshin nga një autobus, ndërsa kriminelët përgatiteshin për t'i vënë zjarrin mjetit. Sulmet thuhet se ndodhën në të paktën nëntë zona të ndryshme – Cosmos, Campo Grande, Inhoaíba, Guaratiba, Madureira, Paciência, Santa Cruz, Sepetiba dhe Recreio dos Bandeirantes – ku jetojnë rreth një milion njerëz.

Zyrtarët qeveritarë dhe raportet e medias ia atribuan dhunën milicive  shumë të frikshme – grupe të lidhura me politikën, që veprojnë me stili mafioz, që kanë marrë kontrollin e zonave të mëdha të Rios gjatë dy dekadave të fundit.

U vranë 'kapon', bandat në Brazil djegin 35 autobusë
Kapo i grupit, që u vra nga policia, Matheus da Silva Rezente

Dhuna erdhi disa orë pas pushkatimit të Rezende, 24 vjeç, i cili thuhet se është nipi i një prej krerëve kriminalë më famëkeq të Rios, Luis Antonio da Silva Braga, një shef paraushtarak me nofkën Zinho. Rezende thuhet se u qëllua për vdekje gjatë një operacioni policor në Três Pontes, zonë e dominuar nga kriminelë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB