
ANKARA - Kreu i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) Devlet Bahçeli, që është aleat i Erdoganit, tha se nëse nuk arrihet një armëpushim në konfliktin e vazhdueshëm midis Izraelit dhe Hamasit, Turqia duhet të jetë e përgatitur për të ndërhyrë në konflikt.
"Nëse nuk vendoset një armëpushim brenda 24 orëve, nëse sulmet nuk ndalen, Turqia duhet të ndërhyjë në këtë konflikt, sa më shpejt të jetë e mundur. Mbrojtja e Gazës është trashëgimia jonë, e lënë nga paraardhësit tanë", tha ai.
Kryetari i MHP-së, Devlet Bahçeli foli në mbledhjen e grupit të partisë së tij. Bahçeli bëri thirrje për armëpushim për Gazën dhe u shpreh se nuk duhet të përjashtohet mundësia që Ankaraja të ndërhyjë në konflikt.
"Për hir të njerëzimit dhe si garantues në emër të Republikës turke, ne duhet të jemi të përgatitur dhe të vendosur për çdo lloj ndërhyrje dhe lufte. Ne nuk bëjmë asnjë hap prapa. Fëmijët, foshnjat dhe gratë nuk duhet të vdesin; shtypësit duhet të shkatërrohen, të këqijtë duhet të mallkohen", shtoi ai.
Bahçeli vazhdoi deklaratën e tij, duke kritikuar Kombet e Bashkuara dhe sistemin e diplomacisë në botë.
"Kombet e Bashkuara janë joefektive. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së nuk ka bërë gjë tjetër veçse është paraqitur në vendkalimin kufitar Rafah. Nuk ka asnjë shpresë nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik. Samiti i Kajros për Gazën nuk ka dhënë asnjë rezultat. Vendet islamike shohin ngjarjet në mënyrë pasive dhe të janë të pafuqishme. Po shikojmë Gazën të bombardohet, prandaj misioni për të mbrojtur Gazën, bie mbi kombin turk.
Ose palët ulen në tryezë për një paqe të përhershme dhe një zgjidhje me dy shtete, ose Turqia do të reagojë në formën më të ashpër. Ky është qëndrimi ynë. Nëse është e nevojshme të shkojmë në Gaza, askush nuk duhet të shqetësohet. Paqja, stabiliteti dhe qetësia duhet të mbizotërojnë menjëherë dhe pa kushte në zonën e konfliktit", deklaroi Devlet Bahçeli, aleat i Erdogan.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7100 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/