Bota

Lufta, banorët e Gazës pijnë ujë të pistë

Banorët e enklavës po pinë ujë të ndotur ose të kripur. OKB paralajmëron se shumë njerëz mund të vdesin nga dehidratimi.

D.XH
Lufta, banorët e Gazës pijnë ujë të pistë
Njerezit mbushin uje ne Gaza

GAZA – Kriza ka prekur kulmin në Gaza dhe situata po bëhet gjithmonë e më katastrofike. Banorët shprehen se uji i pastër ka mbaruar dhe po pijnë ujë të pistë. Mohammad Al Shanti detyrohet të udhëtojë gati katër milje për në spitalin Al-Aksa në Gazan qendrore, për të mbushur shishet plastike me ujë. Ky ujë mjafton vetëm për nevojat më elementare të familjes së tij.

“Ne nuk i lajmë rrobat tona; ne kursejmë çdo pikë të ujit”, tha ai për CNN, duke e përshkruar situatën në kërkim të ujit, si katastrofike.

Gjetja e ujit të pastër po bëhet një sfidë e madhe, pasi thuajse ka mbaruar. Sulmet brutale të Hamasit në Izrael më 7 tetor vranë të paktën 1400 njerëz dhe grupi mori më shumë se 200 pengje. Në vazhdën e sulmeve, Izraeli filloi një bombardim ajror të Gazës duke vrarë mbi 5000 persona. Izraeli njoftoi një rrethim të plotë në enklavë. Kështu banorët kanë mbetur pa ujë të pijshëm, si dhe kanë mungesë ushqimi e furnizimi me karburant.

Izraeli që atëherë ka lejuar që pak ujë 'të rrjedhë' përmes një prej tre tubacioneve që shkojnë në Gaza, por ekspertët thonë se ky ujë mbulon vetëm një përqindje të vogël të nevojave të enklavës. Ndodhur në këto kushte, disa banorë të Gazës janë detyruar të pinë ujë të ndotur dhe të kripur, duke shkaktuar shqetësime për një krizë shëndetësore dhe frikë se njerëzit mund të fillojnë të vdesin nga dehidratimi.

Prodhimi i ujit në Gaza është aktualisht në 5% të niveleve normale, sipas një raporti të UNICEF nga 17 tetori, duke cituar Autoritetin Palestinez të Ujit. Izraeli, nga ana tjetër thotë se nuk do të lejojë karburant në Gaza, edhe sikur të gjitha pengjet të lirohen. Tel Avivi pretendon se karburanti përdoret nga Hamasi, për lëshim raketash. OKB ka paralajmëruar se situata në Gaza mund të degradojë në krizë të rënduar humanitare.

Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7100 njerëz kanë vdekur nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB