
GAZA- Një grup i vogël operativësh të Hamasit planifikoi sulme të befasishme ndaj Izraelit duke komunikuar për dy vjet përmes një rrjeti telefonash me tela të ngulitura në tunele nëntokësore në Rripin e Gazës. Linjat telefonike në tunele i lejonin që të komunikonin me njëri-tjetrin në mënyrë të fshehtë dhe ishin të pagjurmueshëm edhe nga inteligjenca izraelite. Skema është zbuluar nga dy burime të CNN.

Gjatë dy viteve, një qelizë e vogël e Hamasit që vepronte në tunele përdori ato linja telefonike për të planifikuar operacionin, por e mbajti atë të fshehtë derisa erdhi koha për t'u aktivizuar dhe thirrur qindra luftëtarë për të kryer sulmet më 7 tetor. Ata shmangën përdorimin e kompjuterëve dhe telefonave celularë që të mos kapeshin nga inteligjenca izraelite ose amerikane.

CNN foli me burime të mirëinformuara, por nuk pa prova, ndaj edhe deri më taniSHBA dhe Izraeli nuk iu përgjigjën kërkesave për koment mbi raportin. Por raportin duket se e konfirmon Yocheved Lifshitz, një gjyshe 85-vjeçare, e cila ishte një nga dy pengjet e liruara nga Hamasi të hënën, tha se pasi u rrëmbye, ajo u fut në disa tunele. Një burim i tretë i njohur me raportin më të fundit tha se Irani e ka ndihmuar Hamasin të zhvillojë taktikat e tyre operacionale të sigurisë, megjithëse inteligjenca amerikane nuk beson se Irani ka luajtur një rol të drejtpërdrejtë në planifikimin e vetë sulmit të 7 tetorit. Më shumë se 1,400 u vranë në sulmet ndaj Izraelit nga Hamasi, dhe më shumë se 200 njerëz mbahen ende peng. Por bilanci i shkaktuar nga kundërpërgjigjia është edhee më i rëndë./CNN