
PRISHTINË- Policia e Kosovës po kërkon Enver Sekiraqën, i cili është arratisur. Triumf Riza u vra në 30 gusht të vitit 2007, ngjarje për të cilën është dënuar me 35 vite burg, Arben Berisha, ndërsa Sekiraqa ishte në kërkim deri para disa muajsh kur edhe u vendos në pranga. Pasi u arrestuan dhe u ekstradua në Kosovë, më 3 maj 2024, Sekiraqa u dënua përfundimisht me 25 vite burgim. Megjithatë ai tashmë nuk gjendjet dhe këtë e ka konfirmuar edhe policia e Kosovës.
Ndonëse ishte në survejimin e Policisë së Kosovës, ai duket se ia ka dalë që të zhduket. Në një kohë që Policia e kërkon për të arratisur, avokatja e tij, Kosovare Kelmendi e cila tha se kjo nuk ishte “arratisje” pasi klienti i saj ka qenë “i lirë” deri tani dhe nuk ka qenë i detyruar të presë vendimin në shtëpi.
“Unë nuk mund të konfirmoj, kjo quhet arrati por nuk mund të konfirmoj se është arrati sepse nuk kam informacione, pikë jo kontektuese është se policia nuk e ka gjetë në shtëpi, këtë e di e pashë edhe prej portaleve por që është në arrati këtë nuk e di. Nuk kam asnjë informacion,”- tha Kelmendi për KALLXO.com.
Por i dënuari me burg ka 2 ditë që nuk ndodhet në banesën e tij.
“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njejti nuk është hasur në shtëpi. Po ashtu, sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kan kërkuar të njejtin, por nuk e kan hasur në shtëpi. Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit,” – kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës.
Si ndodhi vrasja?
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007. Të dyja grupet ishin përplasur në “Sëiss Casino” që në dhjetorin e vitit 2006. Të përfshirë ishin Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë dhe Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident mbeti i plagosur rëndë Arben Selmani. Prokuroria dyshon se ky ishte shkaku që çoi më pas në vrasjen e Triumf Rizës, i dashuri i asaj kohe i këngëtares Adelina Ismajli. Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm. Më pas, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, derisa disa javë më parë e shpalli fajtor për vrasje./ZËRI