
GAZA - Kufiri midis Egjiptit dhe Gazës është ende i mbyllur, pavarësisht raportimeve të mëparshme se Kajro ishte gati ta rihapte atë, për shtetasit e huaj.
Turmat e njerëzve janë mbledhur në vendkalimin Rafah, duke pritur që të kalojnë. Rafah është në kufirin midis Gadishullit Sinai të Egjiptit dhe Gazës të qeverisur nga Hamasi dhe është i vetmi vendkalim në territor, që nuk kontrollohet nga Izraeli.
Nuk ka asnjë mënyrë që njerëzit të largohen nga Gaza tani - pasi të gjitha kalimet janë të mbyllura – dhe nuk ka mënyrë që të mbërrijnë ndihma në enklavë.
Ministri i Jashtëm i Egjiptit tha se Izraeli nuk ka ende një qëndrim, për të lejuar hapjen ose jo të vendkalimit kufitar. Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka mohuar raportimet për një armëpushim, që do të kishte lehtësuar ikjen e njerëzve nga Gaza.
Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Izrael për të diskutuar lejimin e furnizimeve me ndihma në Gaza, ndërsa dëshpërimi rritet për ushqime, ilaçe dhe karburant.
Hamasi sulmoi Izraelin dhe Tel Avivi u përgjigj me raketa. Më shumë se 4100 persona kanë vdekur nga sulmet e përgjakshme./Zëri.ai/