
GAZA - Mjekët në Gaza paralajmëruan të dielën se mijëra persona mund të vdesin, pasi spitalet e mbushura me njerëz të plagosur, kishin mungesë me furnizime bazë. Palestinezët në enklavën e rrethuar bregdetare u përpoqën të gjenin ushqim dhe ujë përpara një ofensive tokësore të pritshme izraelitem, në luftën e shkaktuar nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit.
Forcat izraelite, të mbështetura nga anijet luftarake të SHBA-së në rajon, u pozicionuan përgjatë kufirit të Gazës dhe kryen stërvitje. Izraeli thotë se ka nisur një fushatë për të shkatërruar Hamasin. Një javë sulmesh ajrore të ashpra kanë shkatërruar lagje të tëra, por Hamasi dhe gjatë kësaj kohe ka lëshuar raketa në qytetet izraelite.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se 2 670 palestinezë janë vrarë dhe 9 600 janë plagosur që luftimet. Viktimat janë më shumë se në luftën e Gazës në vitin 2014, e cila zgjati më shumë se gjashtë javë. Kjo e bën këtë, luftën më vdekjeprurëse të zhvilluar ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.
Më shumë se 1 400 izraelitë u vranë, shumica dërrmuese e tyre civilë, në sulmin e Hamasit të 7 tetorit. Të paktën 155 të tjerë, përfshirë fëmijë, u kapën pengje nga Hamasi dhe u dërguan në Gaza. Është gjithashtu lufta më vdekjeprurëse për Izraelin, që nga konflikti i vitit 1973, me Egjiptin dhe Sirinë.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken do të kthehej në Izrael dhe do të përpiqet të ulë tensionet, me qëllim që të shmanget një konflikt i gjerë rajonal. Presidenti amerikan Joe Biden po konsideron gjithashtu një udhëtim të mundshëm në Izrael.
Luftimet përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin, që janë ndezur që nga fillimi i luftës së fundit të Gazës, u intensifikuan të dielën me militantët e Hezbollahut që gjuanin raketa dhe Izraeli u përgjigj me sulme ajrore e granatime. Ushtria izraelite gjithashtu raportoi të shtëna në një nga pikat e saj kufitare. Luftimet vranë të paktën një person në anën izraelite dhe u plagosën disa njerëz, në të dy anët e kufirit.
Një dron izraelit gjuajti dy raketa të dielën vonë në një kodër në perëndim të qytetit Kfar Kila në Libanin jugor. Nuk raportohet për viktima nga sulmi. Një zëdhënëse e Hezbollahut, Rana Sahili, tha se luftimet e shtuara përfaqësonin një paralajmërim dhe nuk do të thotë se Hezbollahu ka vendosur të hyjë në luftë.
Vendet perëndimore janë të shqetësuar, në raport me atë që po ndodh në Izrael dhe në Gaza. Spitalet në Gaza pritet të mbarojnë karburantin e gjeneratorit brenda 1 dite, duke rrezikuar jetën e mijëra pacientëve. Termocentrali i vetëm i Gazës u mbyll, për shkak të mungesës së karburantit.
Në Spitalin Nasser, në qytetin jugor të Khan Younis, dhomat e kujdesit intensiv ishin të mbushura me pacientë të plagosur, shumica prej tyre fëmijë nën moshën 3 vjeç. Qindra njerëz me lëndime të rënda nga shpërthimi kanë ardhur në spital.
Në spital ishin 35 pacientë që kishin nevojë për ventilatorë dhe 60 të tjerë për dializë. Nëse karburanti mbaron, do të thotë që i gjithë sistemi shëndetësor do të mbyllet. “Të gjithë këta pacientë janë në rrezik vdekjeje, nëse ndërpritet energjia”, tha mjeku.
Mjekët thonë se mungesa e energjisë, mund të bëjë që dhe shumë bebe të vdesin, pasi nuk janë kushtet për lindje dhe as për mbajtjen e tyre në ambjente spitalore. Ahmed Al-Mandhari, drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se nga spitalet u larguan disa pacientë që ishin në gjendje të iknin, por se të tjerët nuk mundeshin dot.
Spitali Shifa në qytetin e Gazës, më i madhi në territor, tha se do të varroste 100 trupa në një varr masiv si masë urgjente, pasi morgu u tejmbush. Dhjetëra mijëra njerëz, që kanë nevojë për kurime, janë mbledhur në kompleksin e spitalit.
Gaza është tashmë në një krizë humanitare, për shkak të mungesës në rritje të ujit dhe furnizimeve mjekësore të shkaktuara nga rrethimi izraelit.
“Një katastrofë e paprecedentë humanitare po shpaloset nën sytë tanë”, tha Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë. Ai tha se agjencia e tij nuk ishte më në gjendje të ofronte ndihmë humanitare dhe se numri i njerëzve që kërkonin strehim në shkolla dhe objekte të tjera në Gazën jugore e tejkalonte kapacitetin.
Ka probleme të theksura edhe në raport me mungesën e ujit, gjë që mund të sjellë pasoja fatale për jetën e shumë individëve. Ushtria izraelite tha në një postim në X, se kishte goditur objektivat e Hezbollahut, por nuk specifikoi se cilat ishin ato.
Hezbollah tha në një deklaratë se kishte gjuajtur raketa drejt një pozicioni ushtarak izraelit në qytetin kufitar verior të Shtula, në hakmarrje për bombardimet izraelite që vranë gazetarin e Reuters Issam Abdallah të premten dhe dy civilë libanezë të shtunën.
Izraeli ka urdhëruar më shumë se 1 milion palestinezë - pothuajse gjysma e popullsisë së territorit - të lëvizin në jug. Ushtria thotë se po përpiqet të largojë civilët përpara një fushate të madhe kundër Hamasit në veri, ku thotë se militantët kanë rrjete të gjera tunelesh, bunkerësh dhe raketash.
Hamasi u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Megjithatë, më shumë se 600 000 njerëz ishin evakuuar nga zona e qytetit të Gazës. Rreth 500 000 njerëz, gati një e katërta e popullsisë së Gazës, po strehoheshin në ndërtesat e Kombeve të Bashkuara dhe objektet e tjera në të gjithë territorin, ku furnizimet me ujë po pakësoheshin. Gaza po thahet.
SHBA-të janë përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje për të rihapur kalimin e Egjiptit në Rafah me Gazën për të lejuar amerikanët dhe të huajt e tjerë të largohen dhe të sillen ndihmat humanitare, të grumbulluara në anën egjiptiane. Kalimi, i cili u mbyll për shkak të sulmeve ajrore në fillim të luftës , ende nuk është rihapur. Izraeli ka thënë se rrethimi do të hiqet vetëm kur pengjet e tij të kthehen.
Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë më tepër se 1 400 persona. Izraeli u përgjigj dhe vrau më shumë se 2 700 njerëz./Zëri.ai/