
SHBA- Një shaka mjaft të sikletshme u bë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Trump shkoi për të inauguruar qendrën e re të paraburgimit të imigrantëve në Florida, tashmë famëkeqin "Alcatraz me aligatorë". Dhe pikërisht për këtë fakt u pyet nga gazetarët e pranishëm gjatë inagurimit të qendrës së paraburgimit.
"Nëse një emigrant i paligjshëm arratiset, a e ha atë një aligator apo rrezikon të pickohet nga një gjarpër?," - e pyeti presidentin e SHBA-së gazetari i Fox News, Peter Ducey. Dhe ai u përgjigj, duke bërë shaka: Mendoj se kjo është ideja - nuk është aspak një vend i lehtë. Mendoj se kjo është ajo që është. Ju e dini, gjarpërinjtë janë të shpejtë. Por aligatorët... Do t'u mësojmë atyre (të burgosurve) si të ikin nga një aligator. Nëse ikin, si të vrapojnë: Mos vraponi drejt, vraponi kështu (tregon me dorë shenjën e zigzagut) Dhe e dini çfarë? Shanset për mbijetesë rriten me 1%. Paç fat!
VIDEOJA E TRUMP:
“Alcatrazi me aligatorë”, të cilin Trump e inauguroi sonte, është një qendër ndalimi për emigrantë në mes të Everglades. Florida mori miratimin federal vetëm javën e kaluar dhe qendra pritet të hapet këtë muaj me 5,000 shtretër - një numër që më vonë do të dyfishohet.
Shpenzimet vjetore operative, të cilat arrijnë në 450 milionë dollarë, do të mbulohen nga FEMA. Kritikët e politikave të ashpra të imigracionit të Trump e kanë quajtur qendrën e paraburgimit në kënetat e Everglades çnjerëzore, por presidenti republikan jo vetëm që nuk u tremb, por u sigurua të provokonte edhe më shumë sot, në ceremoninë e inaugurimit.
Protestuesit kundër politikave të imigracionit të Trump u mblodhën jashtë objektit të ri në Florida ditët e fundit, përfshirë edhe sot. Ambientalistët ankohen se kampi po krijohet në një zonë të mbrojtur. Parku Kombëtar Everglades është një habitat i rëndësishëm për aligatorët - vlerësohet se rreth 200,000 të tillë jetojnë në këtë kënetë. Kur janë të rritur, ata mund të arrijnë deri në 4.5 metra gjatësi.
Sulmet e aligatorëve ndaj njerëzve janë relativisht të rralla në Florida. Në të gjithë shtetin, u regjistruan vetëm 453 “incidente të paprovokuara kafshimesh” dhe kjo shifër është regjistruar midis viteve 1948 dhe 2022. Nga të gjitha sulmet, për këtë periudhë vetëm26 ishin fatale. Megjithatë, autoritetet po e përdorin këtë rrezik për të theksuar fuqinë “parandaluese” të qendrës./ZËRI