
TURQI- Revista LeMan, e cila shpesh bën bujë me vizatimet e saj provokuese, e përshkroi Profetin Muhamed në qytete të bombarduara në Lindjen e Mesme në numrin e saj të 26 qershorit. Kaq ka mjaftuar për të ngjallur shumë reagime dhe përplasje në Turqi. Një kopje e imazhit bardhë e zi, të publikuar në rrjetet sociale, shfaq dy personazhe që fluturojnë mbi qiellin e një qyteti nën bombardime.
“Salam aleikum, unë jam Muhamedi,”- thotë njëri nga personazhet teksa përshëndet personazhin tjetër i cili përgjigjet dhe i thotë: Aleikum salam, unë jam Musai.
Karikatura ka ngjallur shumë reagime të ashpra në Turqi! Por, kryeredaktori i revistës, Tuncay Akgun, tha për AFP-në se imazhi ishte keqinterpretuar dhe “nuk është karikatura e profetit Muhamed”.
PAMJET NGA VIDEOJA:
“Në këtë punim, për emrin e një myslimani që u vra në bombardimet e Izraelit është përdorur emri Muhamed. Më shumë se 200 milionë njerëz në botën islame quhen Muhamed. Karikatura nuk ka asnjë lidhje me profetin Muhamed. Ne kurrë nuk do të rrezikonin me një gjë të tillë,"-tha ai.
Edhe në një deklaratë të bërë në llogarinë e revistës në mediat sociale, u pretendua se vizatimi përshkruante njerëz të zakonshëm, jo profetë. Në deklaratë shkruhej: Ky vizatim nuk është vizatim i Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të). Në vepër, emri i një muslimani që u vra në bombardimet izraelite u trillua si Muhamed. Më shumë se 200 milionë njerëz në botën islame quhen Muhamed. Nuk ka asnjë referencë për Profetin Muhamed në vepër. Emrat më të zakonshëm dhe më popullor në botë janë Muhammed, Mehmet, Mamadu (të gjithë të dhënë nga myslimanët për ta mbajtur gjallë emrin e profetit tonë). Aktualisht ka 200 milionë njerëz me emrin Muhammed. Këtu, karikaturisti donte të portretizonte drejtësinë e popullit të shtypur mysliman duke përshkruar një mysliman të vrarë nga Izraeli, dhe ai kurrë nuk kishte ndërmend të denigronte vlerat fetare. Ne nuk e pranojmë njollën që na është hedhur, sepse nuk ka asnjë përshkrim të Profetit tonë. Duhet të jesh shumë keqdashës për ta interpretuar karikaturën në këtë mënyrë.
Fill pasi doli lajmi për fletarrestimet, dhjetëra protestues të zemëruar sulmuan një kafene që shpesh frekuentohet nga punëtorët e revistës LeMan në qendër të Stambollit, duke nxitur një përleshje me efektivët e Policisë. Policia që ka përdorur plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë të zemëruar. Në këtë përleshje u përfshin 250 deri në 300 persona.
Incidenti ndodhi mbrëmjen e së hënës, pasi kryeprokurori i Stambollit urdhëroi arrestimin e redaktorëve të revistës LeMan, me arsyetimin se ata kishin publikuar një karikaturë “që ofendonte vlerat fetare”. Përmes disa postimeve në X, ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, tha se Policia ka arrestuar karikaturistin përgjegjës, dizajnerin grafik të revistës dhe dy pjesëtarë të tjerë të stafit. Po ashtu janë lëshuar fletarrestime për disa udhëheqës të tjerë të revistës.
Për ngjarjen ka pasur edhe një reagim nga vetë presidenti turk. Recep Tayyip Erdogan u shpreh se: Mungesa e respektit ndaj profetit tonë nga disa njerëz, pa asnjë moral, është e papranueshme. Është provokim i hapur dhe i ndyrë, nën maskën e humorit.
Përveçse ligjërisht, portretizimi i profetit është i ndaluar edhe me fe. Sipas të dhënave nga forumet fetare, "i Dërguari i Allahut" e ka ndaluar (haram) pikturimin ose skulturën e gjallesave me shpirt.
E themeluar në vitin 1991, LeMan është e famshme për satirën e saj politike dhe ka qenë prej kohësh mallkim për konservatorët, veçanërisht pas mbështetjes së saj për Charlie Hebdo të Francës, pasi zyrat e saj në Paris u sulmuan në vitin 2015 nga persona të armatosur që vranë 12 persona pas botimit nga revista të karikaturave të profetit Muhamed./ZËRI