
EUROPË- Një valë e fortë të nxehti po përfshin Evropën, duke bërë që disa rajone italiane të ndalojnë punën në terren gjatë orëve më të nxehta të ditës, ndërsa dhjetëra shkolla në Francë janë mbyllur. Ndërkohë, Spanja konfirmoi se qershori i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë. Nxehtësia intensive ka ngritur alarme shëndetësore në shumë vende.
Ndërkohë, autoritetet në Spanjë po hetojnë nëse vdekja e një punëtori pastrimi në Barcelonë gjatë fundjavës kishte lidhje me të nxehtin, sindikatat po fajësojnë shtetin për vdekjen e një punëtori 47-vjeçar në një kantier ndërtimi pranë Bolonjës të hënën. Sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Koperniku të BE-së, Evropa po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, dyfishi i mesatares globale. Valët ekstreme të nxehtësisë tani po ndodhin më herët gjatë vitit dhe zgjasin deri në fund të vjeshtës.
"Ajo që është e jashtëzakonshme - dhe e theksoj, e jashtëzakonshme, por jo e paprecedentë - është koha. Jemi në fillim të korrikut dhe po shohim ngjarje ekstreme të nxehtësisë që normalisht do të ndodhnin më vonë gjatë verës,"-tha zëdhënësja e Organizatës Botërore Meteorologjike, Claire Nalis.
Ajo shtoi se temperaturat e larta në Mesdhe priren të amplifikojnë temperaturat ekstreme. Sipas agjencisë meteorologjike spanjolle AEMET, temperatura në Mesdhe këtë vit arriti deri në 6 gradë Celsius mbi mesataren për sezonin, duke arritur një rekord deri në 30 gradë Celsius në Detin Balearik për shkak të të ashtuquajturës "kupolë e nxehtësisë" që bllokon ajrin e ngrohtë mbi Evropën.
Përveç kësaj, temperaturat në Francë pritet të arrijnë kulmin të martën, duke arritur në 40-41 gradë Celsius në disa zona dhe 36-39 gradë në shumë të tjera. Numri i shkollave që janë mbyllur plotësisht ose pjesërisht është rritur në 1,350, nga rreth 200 që ishin mbyllur të hënën, ndërkohë, kati i sipërm i Kullës Eiffel do të mbetet i mbyllur të martën dhe të mërkurën, me vizitorët që u kërkohet të pinë shumë ujë.
Në Itali, autoritetet kanë lëshuar një alarm të kuq për valë të nxehti për 17 qytete, përfshirë Milanon dhe Romën. Në Siçili, një grua 53-vjeçare me probleme me zemrën vdiq ndërsa ecte në qytetin e Bagherias, ndoshta nga goditja e të nxehtit./ZËRI